‘Fushata’ e shefes së Kadastrës në favor të Gjicit denoncohet në KQZ

‘Fushata’ e shefes së Kadastrës në favor të Gjicit denoncohet në KQZ

19:10, 26/04/2023
A+ Aa A-

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi të mërkurën dhjetra denoncime nga organizatat e shoqërisë civile për përdorim të aseteve publike në fushatë, përfshi edhe rastin e Dallëndyshe Bicit në përkrahje të kandidatit të Kukësit. Përfaqësuesja e Bicit u mbrojt se ajo ishte gjendur rastësisht në këtë aktivitet politik.

Nga Blerina Gjoka

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallandyshe Bici u shfaq në oborrin e një shkolle në Fshat të Kukësit më 16 prill si pjesë e një takimi elektoral të kandidatit socialist për bashkinë e Kukësit, Safet Gjici.

Bici mori mikrofonin dhe ofroi premtime në emër të kryeministrit në këmbim të votës për kandidatin Gjici.

‘Jam këtu me bekimin e Kryeministrit për të qenë në krah të kandidaturës më të mirë për Kukësin,’ tha Bici në takimin elektoral.

‘Nëse votat tuaja do jenë për Partinë Socialiste dhe kryetarin e palodhur Safet Gjici, atëherë dhe investimet do të jenë shumë të mëdhaja,’ dëgjohet të thotë ajo në një video që përfaqësues të organizatës ‘Qendra Qytetare’ e depozituan si provë pranë KQZ-së.

Sipas ‘Qendresës Qytetare’, prania e Bicit përkrah kandidatit Gjici është një rast tipik i përdorimit të aseteve publike në fushatë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit Zgjedhor.

‘Bazuar në dispozitat ligjore për rregullimin e procesit ligjor, drejtorët e agjencive shtetërore ndalohen që të marrin pjesë në takime elektorale dhe aq më shumë të bëjnë thirrje politike në favor të kandidatëve,’ tha Dhimitër Zguro, këshilltar ligjor i ‘Qëndresa Qytetare’ në KQZ.

Sipas tij, Bici kishte bërë thirrje të hapura për votimin e Gjicit dhe kishte premtuar në emër të kryeministrit investime në zonë në këmbim të kësaj mbështetje politike. ‘Qëndresa Qytetare’ kërkoi nga komisioneri Ilirian Celibashi marrjen e masave administrative ndaj Bicit dhe kandidatit Gjici.

Drejtoresha e ASHK-së, Dallëndyshe Bici u përfaqësua në mbledhjen e KQZ nga Ledia Lila, e cila pretendoi para Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve se Bici kishte qenë në Kukës për arsye familjare, pasi ishte fshati i saj i origjinës dhe se kishte marrë pjesë rastësisht në këtë aktivitet politik.

‘Ky aktivitet nuk është organizuar nga zonja Bici dhe aty nuk është bërë asnjë premtim elektoral për atë që ajo si zyrtare ka në dorë, si shpërndarja e titujve të pronësisë,’ tha përfaqësuesja e Kadastrës.

Rasti i Bicit nuk ishte i vetmi që u shqyrtua në mbledhjen e së mërkurës. Qëndresa Qytetare ka denoncuar dhe një akt ligjor të Këshillit të Ministrave për dhënien e shpërblimeve pensionistëve në prag të zgjedhjeve vendore, si dhe përfshirjen e zyrën arsimore vendore të Vlorës në organizimin e një takimi me të rinjtë votues për herë të parë me zyrtarë të PS-së.

Po ashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi përdorimin e administratës shtetërore në një takim elektoral të PS-së me gratë në Vlorë, ku sipas KSHH-së kishin marrë pjesë punonjëse të institucioneve vendore në një orar zyrtar të punës.

Dhjetëra denoncime të tjera nga KRIIK dhe organizata të tjera të shoqërisë civile në lidhje me mosraportime të aktiviteteve publike dhe përdorim të aseteve publike për fushatë u shqyrtuan nga Komisioneri, i cili shtyu vendimmarrjen për sanksione për mbledhjen pasardhëse.

Shumica e institucioneve të denoncuara nuk kanë dërguar pretendime dhe nuk i janë përgjigjur kërkesës për informacion nga KQZ për aktivitetet e denoncuara.

Përfaqësuesi i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ në KQZ, Franci Nuri, kërkoi marrjen e sanksioneve maksimale që të nxisin respektimin e ligjit nga administrata. Sipas tij, përdorimi i aseteve publike nga partia në pushtet është në përmasa shumë më të mëdha se sa denoncimet.

Administrata e KQZ-së bëri të ditur se për periudhën 14-20 prill janë ndaluar 37 aktivitete, mes të cilave 19 janë ndaluar për shkak të pjesëmarrjes së personave partiakë dhe pjesa tjetër për mosrespektim të afateve në raportim.

Për realizimin e aktiviteteve të ndaluara dhe mosraportim të tyre, komisioneri Celibashi i propozoi të martën Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve gjoba në masën 10 000 lekë për kryetarin e bashkisë Prrenjas dhe kryetarin e bashkisë Korçë, si dhe më masën 5 000 lekë për persona përgjegjes për raportimet në gjashtë raste të tjera.

KAS deri më tani ka vendosur sanksione minimale në masën 5 000 për personin përgjigjes dhe 2 500 lekë për kryetaren e bashkisë Lushnje për zhvillimin e aktiviteteve të ndaluara,  si dhe gjobë 5000 lekë  personit përgjegjës për raportim në bashkinë Tropojë për mosraportim të aktivitetit publik të kryetarit të bashkisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco