Luçiano Boçi: Rama po vazhdon eksperimentin e Enver Hoxhës me Elbasanin, për të krijuar njeriun më të varfër dhe…

Luçiano Boçi: Rama po vazhdon eksperimentin e Enver Hoxhës me Elbasanin, për të krijuar njeriun më të varfër dhe…

19:00, 09/04/2023
A+ Aa A-

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, u shpreh se ky qytet është kapur për fyti nga një grusht njerëzish për interesat e tyre personale.

Komentet Boçi i bëri gjatë takimit të nisjes së fushatës elektorale në këtë qytet, ku të pranishëm ishin edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Boçi tha se kryeministri Edi Rama po vazhdon eksperimentin e Enver Hoxhës në këtë qytet, për të krijuar njeriun më të varfër dhe për të zhbërë dimensionin e lirisë.

Ai shtoi se nëse zgjidhet kryebashkiak, nuk do i gënjejë dhe zhgënjejë kurrë qytetarët.

“Dua t’u them qytetarëve se çfarë nuk do të bëj unë për ta. Unë nuk do ju gënjej, për asnjë arsye. Për asnjë rrethanë, për asnjë votë e parti. Unë nuk pranoj t’ju gënjej, sepse nuk pranoj t’ju fyej. Ndershmëria është politika më e mirë. Së dyti, unë nuk do t’ju zhgënjej. Ne kemi të drejtën dhe detyrën qytetare vetëm të fitojmë. Gjatë gjithë jetës sonë, kemi ëndërruar të jemi të dobishëm për Elbasanin tonë. Sot kemi hedhur farën e shpresës dhe besimit. Secili duhet të bindet për bashkëpunimin qytetar dhe politik që do të realizoj. Këtë do ta bëj për të arritur qëllimin e kauzës sonë, të qytetarit dhe të Elbasanit. Elbasani është nusja e Rumelisë, ku puthet mali me qiellin.

Ky Elbasani ynë është një vend i ndritur i historisë krenare. I kryqëzimit të kulturave, ku rrinë bashkë xhamia mbret me kishën e Shën Mërisë. Ku jetojnë bashkë ata që besojnë në parajsë dhe ata që nuk e besojnë atë. Është vend i Kristoforidhit, Xhuvanit e shumë emrave të tjerë të nderuar. Është pasuria jonë, fillimi dhe fundi, dashuri jete dhe progresi. Por sot ky vend është kapur prej fyti prej një grushti njerëzish që e kanë helmuar me luftë politike dhe me tym inceneratori. E kanë lënë pa rrugë dhe të zhytur në korrupsion, varfëri dhe dhimbje. Rama po vazhdon eksperimentin e Enver Hoxhës, për të krijuar këtu në Elbasan njeriun më të varfër dhe po kërkon të zhdukë dimensionin e lirisë. Elbasani ynë duron shumë, por kur ta jep përgjigjen të lë pa fjalë.

Elbasani i ngjan atij mali të lulëzuar që përbrenda vlon një vullkan. Kush nuk di të mësojë në këtë vend, ikën i turpëruar. Ka vetëm një mënyrë për ta qeverisur Elbasanin, duke ja kthyer atë qytetarëve. Si drejtues i barabartë me ju, garantoj se qytetarët do të munden të votojnë çdo vendim që prek jetesën e tyre të drejtpërdrejtë. Ne kemi programin e duhur dhe stafin e përkushtuar. Elbasani është një vend që vlerëson historinë e tij”, u shpreh Boçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco