VIDEO/ Bashkia Konispol shtron beton elektoral, Dritan Leli mbush gropat para zyrës së tij

18:05, 04/04/2023
A+ Aa A-

Teksa zgjedhjet po afrojnë, bashkitë nxitojnë të kryejnë punët që nuk i bën për katër vjet.

Në Vlorë dhe Konispol, vijnë denoncimet e radhës, ku tregohet sesi në prag të zgjedhjeve, bashkitë po hedhin asfalt apo beton elektoral, duke përdorur punonjësit e shërbimeve publike apo dhe zjarrfikësit.

Kryetari në ikje i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli nuk i ka shpëtuar hedhjes së asfaltit elektoral. Por ndryshe nga bashkitë  e tjera të vendit, ku gropat e hapura përgjatë katër vjetëve janë duke u mbushur me asfalto beton, në qendrën e qytitet të Vlorës, përballë bashkisë, po mbushen me rërë bituminoze. Pamjet që ka siguruar "Syri Televizion", tregojnë sesi punonjësit e Ndërrmarjes Publike po hedhin rërë bituminoze në qendër të qytetit.

Kjo rrugë, e cila është pjesë e projektit të rehabilitimit të sheshit para bashkisë që lidhet me zonën historike të Vlorës, duket se nuk është përfshirë në planet rregulluese të tyre, duke u degraduar dita ditës.

Në prag të zgjedhjeve të 14 majit, bashkitë po përdorin edhe punonjës të zjarrfikëses, për të shtruar beton apo asfalt elektoral. Në redaksinë e "Syri Televizion" ka mbërritur një denoncim për bashkinë Konispol, e cila pak ditë më parë ka shtruar një rrugë që lidh fshatin Markat me Ninat. Rruga është shtruar me beton, i cili është blerë te një kompani private sipas një tenderi që ka kushtuar rreth 160 milionë lekë. por, përtej këtij fakti, rruga është shtruar nga punonjësit e shërbimeve publike në bashki.

Madje, dy prej punonjësve kanë qenë punonjës të repartit zjarrfikës, të cilët duket se kanë lënë gatishmërinë e këtij shërbimi, për të shtruar betonin në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco