Çfarë po ndodh në Federatën ‘Vatra’? Flasin nga Nju Jorku dy drejtues të kryesisë

21:51, 28/03/2023
A+ Aa A-

Përplasjet brenda Federatës Shqiptare ‘Vatra’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin mbrëmjen e sotme pjesë e diskutimit në ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV.

Nazo Veliu, sekretare e federatës ‘Vatra’, dhe Asllan Bushati, anëtar i kryesisë së Vatra-s, kanë shprehur mendimet e tyre në lidhje me këtë përplasje dhe problematikë që ka futur në përplasje anëtarët e kësaj Federate mjaft të rëndësishme për shqiptarët në SHBA.

Nazo Veliu, sekretare e federatës Vatra

Që nga themelimi, Vatra ka pasur edhe punë të mira edhe probleme brenda vetes. Njëra prej tyre është edhe kjo periudhë. Vatra ka bërë të pamundurën për të mbijetuar, në kushtet e një pandemije të rëndë.

Unë po mendoj se përpara se të akuzojmë ‘Vatrën’ për atë që nuk po punohet në Vatër, duhet të kontribuojmë secili nga ne brenda ‘Vatrës’ përfshi këtu edhe Valentin Lumajn, me qëllim që; kushdo që ha bukë, do bëjë thërrime dhe thërrimet ti pastrojë e zonja e shtëpisë dhe zonja e shtëpisë është pikërisht çdo anëtar brenda Vatrës.

Ndaj unë do të thosha për gjithsecilin, nëse punon shumë apo punon pak, puna në ‘Vatër’ është vullnetare, secili nga ne merr nga koha e tij, me qëllim që themeli dhe puna për kombin të qëndrojë e palëkundur. Më shumë se çdo herë tjetër, interesi i kombit na thërret më shumë se përherë.

Kemi një Shqipëri që nuk e dimë se nga po shkon, kemi një Kosovë më probleme shumë të mëdha, kemi një Mal të Zi, ku nuk gëzojnë shumë të drejtat e tyre dhe kemi edhe një popullsi shqiptare në Maqedoni dhe të mos harrojmë se kemi një çështje që pikon gjak çdo ditë, që është Çamëria.  

Asllan Bushati, anëtar i kryesisë së Vatra

Mendimi ndryshe në Vatër duhet të pranohet. Unë nuk kam asnjë dijeni në lidhje me një dokument që do të bëhej marrëveshje me Edi Ramën, apo ndonjë institucion në Shqipëri. Unë jam anëtar i Këshillit Drejtues dhe nuk më ka ardhur ndonjë gjë. Por nëse do të më vinte një gjë e tillë, do të isha shumë i dëshpëruar. Vatra duhet të gjenerojë energji kombëtare, këtu në SHBA për shqiptarët, duke gjeneruar energji për kombin dhe duke zënë miq në Departamentin e Shtetit, në Kongres, Senat dhe Shtëpi e Bardhë.

Misioni ynë do të jetë që shqiptarët të brumohen mirë më gjuhën shqipe, por ti shërbejmë edhe kombit. Unë mendoj se disa problematika të brendshme ekzistojnë dhe duhet të zgjidhen. Nuk mundet Vatra të konsiderohet një pronë personale, e merr Vatrën dhe shkon në Shqipëri, Kosovë apo diku tjetër dhe të thotë; unë jam Vatra dhe do të bëhet kështu.

Rregulli i përgjithshëm që e kemi marrë nga Faik Konica, Fan Noli e deri më sot është; vendimet madhore diskutohen më përpara në Vatër, merret vendimi, pyetet anëtarësia dhe çdo gjë bëhet e ditur. Jam duke shpresuar që zoti Elmi Berisha ta çojë në vend për të diskutuar me themel, sepse gjatë kuvendit të kaluar mund të ketë pasur probleme serioze të kanunores.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco