Genti Çela: Kemi nevojë të vrasim frikën dhe indiferencën. Jemi vendi më i korruptuar në kontinent!

18:15, 03/03/2023
A+ Aa A-

Kryetari i degës së PD në Pogradec, Genti Çela foli në sheshin e protestës së opozitës, para Kryeministrisë. 

Nga podiumi i protestës, Çela bëri thirrje për zgjimin e të gjithë shqiptarëve dhe për të vrarë frikën e indiferencën. 

Ai tha se çdo qytetar duhet të jetë kundër të keqes që shihet si normalitet, kundër heshtjes dhe diktaturës së relativizmit.

"Është kaq bukur të shohësh këtë mrekulli të madhe lirie, kaq shumë atdhedashuri, kaq shumë shpresë në një shesh të vetëm. Liria është një mundësi shumë e mirë për të qenë njerëz më të mirë, thotë dikush, dhe patjetër që liria është një mundësi më e mirë për të qenë një shoqëri më e mirë, për të qenë një e ardhme më e mirë e jetuar këtu në tokën tonë. Por liria nuk dhurohet, ajo vetëm fitohet. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një revolucion shpirtëror që nis nga vetja si detyrë ndaj atdheut. Kemi nevojë për vrasjen e frikës dhe indiferencës. Kemi nevojë të jemi kundër të keqes si normalitet, kundër heshtjes, kundër diktaturës së relativizmit. Qytetet e vendit sot janë në shkatërrim e sipër, janë në gjymtim, janë në shkretim dhe boshatisje. Në fshatra të tërë nuk gjen as edhe një fëmijë të vetëm. Fataliteti se Shqipëria nuk bëhet është thjesht një tejzgjatje e korrupsionit, e zhvatjes dhe grabitjes së çdo shqiptari në vendin më të korruptuar të kontinentit. Koha e fjalëve është në perëndim, aktet duhet të flasin, koha është për një rizgjim shqiptar. Kjo pakicë antishqiptare nuk tremb më askënd. Kjo kufomë politike nuk tremb më askënd sepse Shqipëria ka zot, zotërit e Shqipërisë janë në këtë shesh. Liria do të kumbojë. Zotër të Shqipërisë të gjithë ne, qindra mijëra të tjerë që nuk janë këtu, miliona të tjerë që janë përzënë nga kjo qeveri antishqiptare dhe arrogante. Të gjithë bashkë do ia dalim nga Shkodra gjer në Vlorë, nga Tirana në Pogradec, Shqipërisë i dalim zot", tha ai.          

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco