Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Anglezët: Na kanë humbur provat për Berishën

Don Kishoti në kërkim të lavdisë së humbur në Shqipëri

Don Kishoti në kërkim të lavdisë së humbur në Shqipëri

Nga Agim Nesho - 27/05/2024

Ramës nuk i ka mbetur asgjë në Shqipëri, veçse gjysma e qeverisë së tij të Rilindjes në burg dhe gjysma tjetër duke fshehur dardhët që kanë rënë në sundimin e tij. Ai e shkatërroi Shqipërinë dhe e ktheu në një tokë të djerrë për të siguruar pushtetin e tij autokratik, ndërsa Shqiptarët u larguan pa shpresë dhe në dëshpërim drejt Europës dhe vendeve të lira. Ai mallkon shtypin dhe opozitën që përmendin largimin e 1 milion shqiptarëve gjatë regjimit të rilindjes, por akoma nuk publikon rezultatet e censusit të popullsisë, të cilat dëshpërimisht kërkon ti rregullojë. Shqipëria është më keq sesa mund ta përfytyrojnë shqiptarët të përmalluar për atdheun, të cilët me dashurinë e tyre nuk dallojnë demagogun nga monstra që ka kapur shtetin. Ai flet për arritjet e Shqipërisë me paturpësinë e një rrugaçi që tremb me të pavërtetat e tij; ai krahason Shqipërinë e para 35 viteve siç bënte diktatori me vitin 1938 pa thënë se edhe pa të bota do zhvillohej.

Ai krahason policin e djeshëm që shtynte makinën, por nuk thotë që policia e Rilindjes është zhytur në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe ka shërbyer për të ruajtur kanabis; ai flet për drejtësinë  e shkuar por bën sikur harron që drejtësia e sotme është komplet e kontrolluar dhe lideri i opozitës në arrest pa akuzë; Ai është i paturp që kalvarin e vuajtjeve të shqiptarëve në vitet ’90 ta shfrytëzojë emocionalisht për t’ju thënë se ku jeni sot, pa përmendur se ai nuk ka asnjë meritë në ringritjen e tyre por do të mbahet mend si diktatori i dytë që ka larguar shqiptarët masivisht.

Don Kishoti ynë gjithmonë ka besuar se i ka fituar të gjitha betejat e tij, por fitoret e tij kanë qenë vetëm me mullinjtë e erës. Ai humbi shansin ta fuste Shqipërinë në BE sepse shkatërroi shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vend, se shkatërroi opozitën dhe e ktheu vendin në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Por ai nuk e pranoi kurrë, madje e festoi hapjen e negociatave vite më parë me shampanjë dhe dhënie dekoratash.

Ai krijoi narko-shtetin në Shqipëri për tu fuqizuar dhe blerë influencë, por kritikonte gjithmonë Europën se nuk po bënte martesën e premtuar me djemtë seriozë të Ballkanit. Ai mashtronte popullin e tij me PPP-të e shëndetësisë, etj., por nuk harronte të baltoste Europën për paaftësi dhe keqmenaxhim të pandemisë së Covid në 2020. Strategjia e vetme e propagandës së shfrenuar gjithmonë ka qenë: Fol jashtë Shqipërisë dhe hidhja fajin të tjerëve për të besuar Shqiptarët. Tani kjo strategji është diskretituar nga vjedhjet masive të pronës dhe parave publike, nga afera korruptive e inceneratorëve, 5D, apo afera e errët e Portit të Durrësit.

Sot atë nuk e beson njeri në Shqipëri përveçse patronazhistëve rrjepacakë dhe administratës së frikësuar që i kërcënon me vendet e punës. Prandaj ai kërkon të mbijetojë duke luajtur kartën e ‘patriotizmit’ dhe prekur ndjenjat e pastra të emigrantëve të përmalluar me vendin që kanë lënë pas.

Mesazhi i përcjellë në takimin e Milanos se ‘kemi fituar besimin e Europës dhe sot kërkojmë besimin tuaj’ është vetëm një demagogji. Rama nuk mund t’ju ofrojë asgjë më shumë shqiptarëve të lirë që jetojnë në Europë sesa të bëhen punonjës shërbimi, kamarierë, pastrues, etj në ‘parajsën’ e turizmit elitar që bën sikur ka ndërtuar në Shqipëri. Ai nuk ka thithur asnjë investim serioz, nuk ka ndërtuar asnjë industri të teknologjisë bashkëkohore, nuk ka hapur asnjë perspektivë për ata miliona shqiptarë që janë integruar me dinjitet në vendet perëndimore.

Rama duke bërë fushatë në Itali për Melonin mendon se mund të gënjejë shqiptarët për rolin e saj të ndritur si avokate e Shqipërisë në BE, për të harruar që të dy kanë kthyer hapësira të tokës Shqiptare në një kamp për afrikanët, duke ndërtuar një bombë sociale dhe kërcënim të sigurisë për Shqipërinë.

Takimet e Ramës në vendet europiane janë vetëm një demagogji për të ndërtuar imazhin e tij të copëtuar dhe mbajtur pushtetin. Ai kërkon të duket një figurë e madhe përbashkuese për shqiptarët për të justifikuar mbajtjen e pushtetit deri në 2030 apo më vonë, duke justifikuar manipulimin dhe blerjen e procesit zgjedhor. Ai ka kapur shtetin në Shqipëri por kërkon të blejë imazhin e një lideri popullor që gëzon simpati. Sa për Shqipërinë ajo mbetet një plaçkë në duart e patronazhistëve të tij, që tundin flamuj dhe brohorasin mes turmave të përmalluara që nuk dallojnë më Don Kishotin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco