Berisha: Rama mendon se do na përjashtojë nga zgjedhjet, ne do ta përjashtojmë nga Shqipëria

Berisha: Rama mendon se do na përjashtojë nga zgjedhjet, ne do ta përjashtojmë nga Shqipëria

13:50, 03/03/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, rezervoi një mesazh për kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai po tenton të përjashtojë opozitën nga zgjedhjet. “Por ne do të të përjashtojmë nga Shqipëria,” tha Berisha.

“Sot, secili prej jush është në një mision të madh për veten, fëmijët, kombin e tij. Një mision që do u japë shqiptarëve, Shqipërinë e shekullit të 21-të.

Vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, që punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat e kësaj proteste.

Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni. Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë.

Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve. Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale.

Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë.

Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, dreko dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon 22 milionë euro me fluturime.

Nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur. Vjedhja e të ardhmes tonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria. Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera. Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian.

Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve. Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni.

Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në. Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria! Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve,” shtoi Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco