Ish-kolegia e McGonigal: Skandali rrezikon burimet e SHBA jashtë vendit

Ish-kolegia e McGonigal: Skandali rrezikon burimet e SHBA jashtë vendit

09:20, 27/01/2023
A+ Aa A-

Lajmi për arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, po bën shumë bujë në Amerikë. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me një oligark rus, të quajtur Oleg Deripaska, me qëllim shmangien e sanksioneve ruse.

Por mbi të gjitha, McGonigal njihet edhe si mik personal i kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe është nën akuzë se ka marrë 225 mijë dollarë nga njerëzit e Edi Ramës. Sipas hetuesve amerikanë, Rama është takuar të paktën katër herë me zyrtarin e FBI, por këto takime nuk janë raportuar.

Ndërkohë në SHBA, Charles McGonigal po krahasohet me një agjent të dyfishtë rus, që punonte për FBI-në. ‘NewsWeek’ citon ish-oficeren e CIA-s dhe ish-agjenten e FBI-së, Tracy Walder, i cili tha se ky rast ngjan me atë të Robert Hanssen.

“Robert Hanssen na shfaqet sërish para syve,” tha ajo.

Walder i referohet agjentit të kundërzbulimit, që punoi për FBI-në nga viti 1976 deri në vitin 2001. Por gjatë kësaj kohe, ai shërbente si agjent për Bashkimin Sovjetik dhe për Rusinë më vonë. FBI e pati cilësuar Hanssen si ‘spiuni që e ka dëmtuar më shumë byronë në historinë e saj’. Duke përdorur emrin Ramon Garcia, ai punonte për rusët duke u dhënë informacione thellësisht sekrete, duke marrë në këmbim të paktën 1.4 milionë dollarë, fonde bankare dhe diamante.

Analistja e njohur e sigurisë dhe ish-kolegia e McGonigal, Tracy Walder, ka folur për këtë çështje për portalin Scripps News.

Walder, e cila ka punuar pikërisht te sektori që mbulonte Kinën në FBI, nën varësinë e McGonigal, tha se Kina nuk ishte një prioritet i madh në atë kohë. Sipas saj, edhe pse McGonigal ishte përgjegjës për kundërzbulimin në Azi, nuk dukej shumë i investuar në atë që po bënte FBI. Por më pas ndodhi diçka. Informatorët e CIA-s në Kinë nisën të arrestoheshin ose të vriteshin.

“CIA vuri re se asetet e saj njerëzore në Kinë ose po zhdukeshin, ose po vriteshin dhe nisën të dyshojnë se kishte një spiun brenda agjencisë. Kështu që ata thirrën FBI-në për të bërë një hetim,” thotë Walder.

Hetimi zgjati dy vite, dhe personi që u zbulua ishte një punonjës i CIA-s, i quajtur Jerry Lee. Ky i fundit u jepte kinezëve emrat e burimeve të CIA-s në Kinë dhe Charlie McGonigal ishte personi që ishte ngarkuar për zbulimin e tij. Walder thotë se një vlerësim për dëmet që McGonigal i ka shkaktuar FBI-së, do të kërkojë muaj në mos vite.

“Kjo mund të vërë në rrezik dënimin e Jerry Lee. Lee u shpall fajtor në vitin 2019 për komplot për të spiunuar për Kinën”. Walder ka të njëjtin shqetësim edhe për rastet e tjera në të cilat ishte i përfshirë McGonigal, duke përfshirë një rast hetimi ndaj disa kinezëve që kishin vjedhur sekrete teknologjike nga SHBA, përfshi këtu teknologjinë e maskimit të nëndetëseve bërthamore.

Më pas ishte kontributi i McGonigal në hetimin për ndërhyrjen ruse gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Walder ka frikë se emrat e spiunëve dhe burimeve amerikane jashtë shtetit mund të jenë gjithashtu në rrezik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco