‘Ballkani i Hapur’ duket se nuk po ofron liritë e premtuara

‘Ballkani i Hapur’ duket se nuk po ofron liritë e premtuara

21:12, 26/06/2022
A+ Aa A-

Pavarësisht të gjitha premtimeve ambicioze për integrim ekonomik dhe formimin e një tregu të vetëm, nisma nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Nga Relja Radovic/

 Anëtarët e nismës Ballkani i Hapur mbajtën një tjetër takim javën e kaluar në Ohër, Maqedoni e Veriut.

Përfaqësuesit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan një tjetër grup dokumentesh – një marrëveshje për njohjen e diplomave dhe tre memorandume mirëkuptimi për tema të ndryshme.

Grupi i dokumenteve, së bashku me ato të nënshkruara në korrik dhe dhjetor të vitit të kaluar, pretendohet se synojnë të integrojnë rajonin ekonomikisht, duke ndjekur modelin e integrimit ekonomik të Bashkimit Evropian, ndërsa vendet presin të bëhen vetë anëtarë të BE-së.

Megjithatë, Ballkani i Hapur është ende larg krijimit të një organizate të duhur ndërkombëtare zyrtarisht, ose një bashkim doganor në thelb, e jo më diçkaje që i ngjan një BE-je ballkanase.

Me gjithë njoftimet për integrim ekonomik dhe formimin e një tregu të vetëm, ende nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Një problem i përgjithshëm është se mbetet e paqartë se çfarë dëshiron të arrijë nisma dhe si ajo synon ta bëjë këtë.

Nga njëra anë, vëmendja e publikut deri tani është përqendruar te deklaratat politike. Është bërë pak analizë, në mos fare, për kushtet aktuale të dokumenteve të nënshkruara.

Kjo nuk është për t’u habitur, duke qenë se nisma ka një problem kronik transparence. Publiku jo vetëm që është përjashtuar nga debati për përmbajtjen e marrëveshjeve të ardhshme dhe draftet e tyre, por është shumë e vështirë për të pasur akses në tekstet e plota të dokumenteve, edhe pas nënshkrimit të tyre.

Nga ana tjetër, nisma bën premtime të rreme. Deklarata e përbashkët e tre qeverive e 29 korrikut 2021 parashtron aspirata të larta: “Qëllimi ynë është i thjeshtë: të kemi një treg të vetëm, pa kufij”.

Qeveria e Serbisë njoftoi se një memorandum mirëkuptimi për aksesin e lirë në tregun e punës, i nënshkruar në të njëjtën ditë, “do të mundësojë një treg të vetëm pune”.

Gjatë takimit më të fundit të kësaj nisme, komisioneri i BE-së, Oliver Varhelyi, pohoi besimin se nisma “bazohet në katër liritë” (që i referohet lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve sipas ligjit të BE-së).

Problemi është se ndërsa “tregu i vetëm” dhe “katër liritë” janë terma juridikë të njohur në të drejtën ndërkombëtare ekonomike dhe integrimin ekonomik, marrëveshjet e nënshkruara nuk kanë të bëjnë fare me krijimin e një tregu të vetëm dhe lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitali dhe njerëzve.

Më 21 dhjetor 2021, të tre shtetet nënshkruan Marrëveshjen për Kushtet për Qasje të Lirë në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor, për të mos u ngatërruar me një memorandum mirëkuptimi për të njëjtën çështje të nënshkruar disa muaj më parë.

Pavarësisht njoftimeve të mëparshme, marrëveshja nuk krijon një treg të vetëm pune dhe, pavarësisht titullit pretencioz, nuk parashikon as “qasje të lirë në tregun e punës”.

Ajo që bën në fakt marrëveshja është thjeshtimi i procedurës administrative për aksesin në tregun e punës, dhe këtë e bën në mënyrë shumë të ngathët.

Ajo hapet duke deklaruar se qytetarët e të tre shteteve “do të kenë të drejtë të lëvizin, të qëndrojnë dhe të punojnë lirisht brenda territorit të Palëve Kontraktuese”.

Megjithatë, ajo vazhdon me rregullimin e kushteve dhe procedurave të thjeshtuara për marrjen e të drejtës për punë (dhe qëndrim të përkohshëm për qëllime pune) në një shtet palë nga një shtetas i një shteti tjetër palë.

Prandaj, marrëveshja nuk rregullon të drejtat e lëvizjes, qëndrimit dhe punës në përgjithësi, siç është paralajmëruar në dispozitën e hapjes, por vetëm të drejtat që lidhen me punën në një shtet tjetër.

Më e rëndësishmja, qasja në tregun e punës duhet të miratohet nga shteti pritës në çdo rast individual, duke e lejuar punëtorin të qëndrojë në shtetin pritës vetëm për dy vjet, edhe pse me një mundësi rinovimi. Miratimet mund të revokohen gjithashtu për një sërë arsyesh.

Ndryshe nga kjo, liria e vërtetë e lëvizjes, qëndrimit dhe punës do t’u mundësonte qytetarëve të shteteve të Ballkanit të Hapur të hyjnë, të banojnë dhe të punojnë në shtetet e tjera të Ballkanit të Hapur për aq kohë sa ata dëshirojnë, pa pasur nevojë për miratimin zyrtar të shtetit pritës, siç ekziston në BE.

Marrëveshja risjell në kujtesë angazhimin ndaj katër lirive të llojit të BE-së të bërë në deklaratën e përbashkët të Novi Sadit të vitit 2019, por nuk shkon drejt krijimit të tyre aktual.

As Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e Veterinarisë, Fitosanitare, Sigurisë Ushqimore dhe Ushqimit për Kafshët në Ballkanin Perëndimor, e nënshkruar më 21 dhjetor 2021, nuk paraqet asgjë spektakolare.

Marrëveshja ka të bëjë me importin dhe eksportin e kafshëve të gjalla, ushqimeve me origjinë shtazore ose jo shtazore, produkteve të përbëra, ushqimit për kafshë, nënprodukteve shtazore, bimëve dhe produkteve bimore. Ajo nuk shfuqizon kërkesat ekzistuese sipas rregulloreve të brendshme për importin dhe eksportin e mallrave të tilla; ajo i ruan ato shprehimisht.

Marrëveshja parashikon njohjen e raporteve të testimit të lëshuara nga laboratorë të akredituar. Për më tepër, ajo zhvendos kontrollet e përcaktuara nga ligjet vendase nga pikat e kontrollit kufitar. Kontrolle të tilla do të kryhen në terminalet doganore në “vendin më të afërt jashtë pikës së inspektimit kufitar” (për bimët dhe produktet bimore) ose në pikën e destinacionit (për kafshët e gjalla, ushqimet me origjinë shtazore ose jo shtazore, produkte të përbëra, ushqim për kafshë dhe nënproduktet shtazore).

Marrëveshja specifikon se cilat dokumente duhet të shoqërojnë dërgesat për të përmbushur kërkesat e importit vendas dhe cilat bimë dhe produkte bimore kërkojnë certifikata fitosanitare. Kjo është në thelb e gjitha.

Ndryshe nga marrëveshja e tregut të punës, e cila do të zgjasë pafundësisht nëse nuk ndërpritet, kjo marrëveshje lidhet vetëm për pesë vjet, pas së cilës rinovohet automatikisht për periudha njëvjeçare.

Deri më tani, këto dy marrëveshje janë të vetmet që duket se tentojnë të rregullojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Marrëveshjet e tjera synojnë më shumë çështje administrative ose të lidhura me shtetin, që mbulojnë menaxhimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, njohjen e diplomave dhe mbrojtjen nga fatkeqësitë – përveç një numri memorandumesh mirëkuptimi me përmbajtje të panjohur.

Megjithatë, nga përmbajtja e këtyre dy marrëveshjeve del se nuk është bërë asgjë, të paktën deri më tani, për të mundësuar realisht lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Duhet të jetë e qartë se problemi kryesore me nismën lidhet me besimin. Askush nuk pret që shtetet e Ballkanit të Hapur të krijojnë një treg të vetëm brenda natës. Megjithatë, nga ata duhet të pritet që t’i quajnë gjërat me emrin e tyre të duhur.

Formimi i një tregu të vetëm duhet të shpallet vetëm pasi shtetet e Ballkanit të Hapur të jenë në të vërtetë gati për të ecur drejt këtij qëllimi.

Praktika aktuale të krijon përshtypjen se aftësia e nismës për të ofruar liritë që ajo pretendon nuk është premtuese.

Opinionet e shprehura janë vetëm të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptaro-Amerikani26/06/2022 22:33

SHQIPERIA ESHTE NE RREZIK TE MADH SHPOPULLIMI DHE ZHDUKJEJE SI RRACE!! KUDO NEPER SHQIPERI PO PLLAKOS LEMERIJA, ZIJA E BUKES, URIA, SKAMJA, VARFERIA, RRENIMI, SHKATERRIMI, MIZERJA DHE PAPUNESIA!!!! POR DIASPORA SHQIPTARE KA VDEKUR!!! JANE BERE TE PERGJUMUR NJESOJ SI SHQIPTARET NE SHQIPERI!! PSE NUK PROTESTONJE ATA NGA ROMA, PARISI, BRUKSELI, NJU YORKU, ATHINA, GJERMANIA, SPANJA, HOLLANDA, KANADAJA, AUSTRALIA, NGA KUDO KU JANE!! SEPSE PERNDRYSHE NUK E RRUAN FARE EDVINI I SURRELIT NGA PROTESTAT NE SHQIPERI!!! KY ESHTE PLANI ME DJALLEZOR I CUBRILOVICIT I APLIKUAR NGA TRADHETARI I KOMBIT SHQIPTAR, ESADISTI NEOKOMUNISTE, NARKO-SULLTAN-SATRAPI SOROSIANO-PUTINIST I SURRELIT, DROGAXHIU ORDINER. ANTISHQIPTARI ME FAMEKEQ I TE GJITHA KOHERAVE, EDVIN KRISTAQ RAMA!!! AI PO E SHPOPULLON SHQIPERINE NGA TE GJITHE VOTUESIT POTENCIALISHT KUNDER NARKO-REGJIMIT TE TIJ BANDITESKO-KRIMINAL. AI PO PLANIFIKON QE NE ZGJEDHJET E ARDHESHME TE VOTOJNE VETEM 30% E VOTUESVE SHQIPTARE, NGA TE CILET 60% DO TE JENE PATRONAZHISTE, RILINDAS ORDINERE, ENVERISTE, IDIOTE, ANALFABETE DHE INJORANTE TE PUNESUAR NE ADMINISTRATEN PUBLIKE, NEPER BASHKITE E SHQIPERISE, NEPER MINISTRI, DHE INSTITUCIONET DHE DREJTORITE E TYRE VARTESE, NEPER DREJTORITE ARSIMORE DHE SHENDETESORE, NE POLICI, PROKURORI, GJYKATA, NEPER KOMPANITE FANTAZMA TE OLIGARKEVE DHE KLIENTEVE NARKO-MAFIOZE DHE KRIMINELE TE SHQIPERISE. NDERSA VETEM 40% E KETIJ 30% TE VOTUESVE TOTAL, QE JANE POPULLI OPOZITAR, DHE DO TE VOTOJNE PER OPOZITEN!!! PRA ME KETE PLAN KRIMINAL ANTIKOMBETAR DHE ANTISHQIPTAR, EDVIN KRISTAQ RAMA SIGURON PUSHTETIN E PERJETSHEM DHE ME BEKIMIN E BATON HAXHIUT DHE ALEX SOROS, SHPALLET PASHAI I PASHALLEKUT TE SHQIPERISE, NEN MBRETERINE SLLAVO-SERBE, ME MBRET KRAJLIN E SERBISE ALEKSANDER VUCIQ!!! MOS E BESONI PO DESHET!!!! NGA 10 AUTOBUSE ME 350 TE RINJ DHE TE REJA NGA 22-35 VJEC, PO LARGOHEN CDO MENGJES HERET NGA SHQIPERIA DREJTI GJERMANISE DHE VENDEVE TE TJERA TE EVROPES!!!!! SA ME TE VARFER, SA ME INJORANTE, SA ME ANALFABETE DHE SA ME IDIOTE QE TE JENE NJEREZIT AQ ME TE NENSHTRUAR BEHEN NGA DITA NE DITE NDAJ REGJIMIT KRIMINALO-DIKTATORIAL ANTIPOPULLOR!!!!

Shto koment

Denonco