'Si mund të jepet Butrinti, pasuri kombëtare, me kontratë sekrete?!' - Zhupa përplaset me ministren

'Si mund të jepet Butrinti, pasuri kombëtare, me kontratë sekrete?!' - Zhupa përplaset me ministren

13:40, 26/04/2022
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare po përgatitet që Parkun Kombëtar të Butrintit t’ia japë për administrim një fondacioni të ngritur posaçërisht, por deputetja e PD-së Ina Zhupa ka reaguar sot në Komisionin parlamentar të Edukimit, duke paralajmëruar se Butrinti, trashëgimi kulturore dhe pasuri kombëtare po jepej me një marrëveshje sekrete dhe nga i njëjta ministre, e cila me një “copë letër”, kishte dhënë edhe Teatrin Kombëtar.

Zhupa u detyrua t'ia heqë mikrofonin ministres Elva Margariti, e cili kishte ardhur me ekipin e saj, përfshirë juristin e fondacionit privat, për ta përfunduar atë marrëveshje pa marrë mendimin e asnjë specialisti të fushës.

“Si mund të kalojmë me “marrëveshje sekrete”, dhënien e trashëgimisë kulturore, të pasurisë kombëtare?” – pyeti Zhupa në komision, duke u detyruar të përplaste edhe dorën mbi tryezë sepse askush nuk donte ta dëgjonte.

Komisioni i Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publikimit, që drejtohej nga Petro Koçi, e kishte pikë kryesore në rendin e ditës, diskutimin e projektligjit për miratimin e Marrëveshjes për Administrimin e Nënzonave të Trashëgimisë Kulturore dhe të Peizazhit Kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

Koçi kishte thirrur për ta paraqitur çështjen, ministren e Kulturës Elva Margariti, Entela Çipën - Sekretaren e Përgjithshme dhe Alban Shanajn, një avokat të studios ligjore “Tashko-Pustina”.

Por, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e kërkoi me ngulm fjalën për procedurë që në fillim, duke i paraprirë asaj që ishte përgatitur të luhej në komision.

Zhupa tha: “Sot dua t’u them se është e turpshme që duam të kalojmë Butrintin, të japim trashëgiminë tonë kulturore me koncesion, me një marrëveshje sekrete.

Si mund të kalojmë me “marrëveshje sekrete”, dhënien e trashëgimisë kulturore, të pasurisë kombëtare? Si mund të kalojmë pasurinë kombëtare me kontratë sekrete?!

Ka dy momente kur jepen kontrata sekrete: ku ka sekret shtetëror dhe janë të dhëna që na i marrin inteligjencat e huaja, SHISH dhe kur është sekret tregtare...

Unë kërkoj që para se të thërrasim ministren, ministren që kaloi me një copë letër Teatrin Kombëtar pasi ishte shembur, ne do të duhet të thërrasim në këtë komision ekspertët: Neritan Cekën, Agron Alibalin, Kreshnik Merxhanin, Auron Taren dhe kë të doni ju, ekspertë që mund të keni ju që të flasin për Butrintin, që të flasin për nevojën që mund të ketë për një menaxhim të ndryshëm nga sot. Të flasin ekspertët dhe pastaj të flasë ministrja!

Unë kam 200 vërejtje mbi këtë projekt-marrëveshje dhe e fundit, si mund të vijë këtu juristi i një firme private, Pustina, kur ne nuk kemi as marrëveshje?! Për çfarë mund ta pyesim ne atë kur ne s’kemi parë marrëveshjen?! Vjen juristi i një firme private për nj gjë që ne as e kemi parë!” shprehu habinë, Zhupa.

Ndiqni reagimin e mazhorancës në vijim:

Koçi: Mirë, të dëgjuam ne...Se ke tre orë që po na mban fjalim këtu. Mbarove për procedurë, tani të vijojmë mbledhjen.

Zhupa: Jo, nuk vijojmë mbledhjen ne, do të vazhdojmë si komision.

Koçi: Po s’e vendos ti, drejtoju kujt të duash, edhe OKB po deshe!

Zhupa: Nuk mund të vazhdosh mbledhje. Ju duhet të kërkoni një mendim për rregulloren. Jemi për çështje të Kulturës.

Koçi: Zonja ministre, fjala për ju!

Zhupa: (I bie tryezës) Absolutisht, ajo nuk flet.

Ministrja Margariti: Përshëndetje!

Zhupa: Absolutisht, nuk mund të vazhdoni!

Ministrja: Pas një prezantimi edhe nj patosi gati kinematografik, Butrinti nuk është imi personal dhe as juaji personal dhe sot jemi këtu për të qartësuar këtë projektligj dhe sqaruar çdo element që kalon akoma në të gjithë elementet e padijes. Jemi këtu për të informuar aty ku padija mbizotëron...

Zhupa (proteston nga vendi): Nuk kalon projektligji!

Ministrja vazhdon: ...jemi këtu për të diskutuar miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor pjesë e parkut kombëtar të Butrintit nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Buntritit.

Zhupa i largon ministres, mikrofonin: Nuk kalon Butrinti kështu!  Nuk kalohet Butrinti! Të lutem. Ta trajtojë Butrintin ajo si mall, ajo që që dha Teatrin!

Zhupa: Të lutem, zonja ministre, nuk vazhdon. Nuk jepet Butrinti! Është marrëveshja jote e turpit.

Ministrja: Ngritja e një fondacioni të posaçëm, ësht ënjë marrëveshje...Ti e vesh turpin përditë, je fytyra e turpit në këtë komision,  je antinjeriu dhe antifemra.

Zhupa: Turp, turp, turp!/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco