Urime Kosovë për antikorrupsionin, po a u dënua ndokush për aferat 'Pronto', 'Veteranët', 'Toka'?

Urime Kosovë për antikorrupsionin, po a u dënua ndokush për aferat 'Pronto', 'Veteranët', 'Toka'?

07:29, 26/01/2022
A+ Aa A-

Nga Syri.net Kosova.

Lajme të mira i erdhën Kosovës për luftimin e korrupsionit nga Transparency International. Reagime gjithandej, lëvdata për pushtetin e ri të Albin Kurtit. Zemra mal!

Por, askush nuk u dënua në aferën më të madhe korruptive “Pronto”. Askush nuk u dënua në skandalin e madh “Veteranët”. As në rastin “Toka”. E në shumë e shumë raste të tjera.

Të korruptuarit në këtë vend, me siguri qeshin më të madhe me raporte të tilla. Renditja e raportit na ka kthyer disa vite më herët  dhe pa dyshim është inkurajues, por përtej perceptimit, na duhet drejtësi.

Nuk mohohet vullneti politik dhe nismat e ndërmarra nga qeveria Kurti, për luftimin e korrupsionit, megjithatë, dielli me shoshë nuk mbulohet.

Disa operacione policore që janë zhvilluar kohëve të fundit që nga rasti “Subvencionet” te “Brezovica”, janë finalizim i hetimeve policore dhe të prokurorisë, të nisura vite më herët.

Meritat po vrapon t’i marrë Vetëvendosje. Ashtu siç nuk po heziton të bëjë koalicione me partitë që deri dje i quante të “krimit”.

Për shkak të propagandës, të krijohet përshtypja se të korruptuarit nuk do të gjejnë vrimë miu ku të futen. Por, në anën tjetër, shikoni se çfarë po ndryshon konkretisht në institucione, në administratë, në kompani publike e agjenci të pavarura.

Ka sërish nepotizëm, ka improvizime, ka dështime.

Të zgjedhurit e Kurtit bashkëpunojnë ngushtë me ata që deri dje i quanin të korruptuar, hajna e kriminelë. Kudo në sferën publike gjen shembuj për ta ilustruar këtë të vërtetë të pamohueshme.

Pjesa dërrmuese e votuesve të ndryshimit me 14 shkurt, nuk janë përkrahës të Vetëvendosjes, por kanë shpresuar në një ndryshim dhe kanë votuar për ndëshkimin e qeverive të kaluara.

Populizmit të pushtetit të ri, po i del boja shpejt. Deri dje, Albin Kurti vajtonte se si çmimi i energjisë është kaq i lartë e i papërballueshëm për kosovarët, duke premtuar se në qeverinë e tij energjia do të jetë më e lirë. Ndërsa sot, fantazon para deputetëve, se si populli as që e paska ditur sa e paguan energjinë-aq e lirë paska qenë!!!

Perceptimet për korrupsionin që qenkan përmirësuar, mund ta entuziazojmë pushtetin, por rezultatet mungojnë edhe më tej.

Të korruptuarit nuk po ndëshkohen nga drejtësia dhe vazhdojnë të mbajnë edhe pozita publike.

Nepotizmi nuk është ndalur as nga qeveria e Vetëvendosjes.

Tenderët njëburimorë si burim i pashtershëm korrupsioni, nuk janë ndalur, po vazhdojnë me intensitet edhe më të madh në qeverisjen e Kurtit.

Transparenca ndërkohë është pika më e dobët e kësaj qeverie. Një qeveri jotransparente, nxit gjithnjë dyshime për korrupsion.

Arroganca gjithashtu, në administrimin e pushtetit, po bëhet më e dukshme nga protagonistët e Vetëvendosjes.

Pak çojnë peshë pikët e Transparency Internatonal, nëse ke një pushtet autoritar, arbitrar, arrogant, jotransparent, nepotik dhe populist. Nuk të mbrojnë dot ambasadorët. E dinë edhe ata fare mirë që për një termin vize duhet të japësh mijëra euro, në një skemë korruptive e kriminale që funksionon prej më tepër se dy dekadash.

Dhe në fund, nëse vërtet kaq mirë do t’i kishim punët me këtë pushtetin e ri, pse po rritet pandalshëm dëshira për t’u larguar nga Kosova, sidomos te të rinjtë, ata që simbolizonin në një farë mënyre edhe votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje?!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco