VIDEO-SYRI TV/ Afera e plehrave në Elbasan, 1 vit ‘kontrata emergjente’ për ‘Victoria Invest’

VIDEO-SYRI TV/ Afera e plehrave në Elbasan, 1 vit ‘kontrata emergjente’ për ‘Victoria Invest’

15:18, 09/12/2021
A+ Aa A-

Skandali i mungesës së pastrimit të mbetjeve urbane në Elbasan, duket se fsheh pas një aferë financiare, e cila po mundohet të mbulohet nga Bashkia. Kjo e fundit e drejtuar nga Gledian Llatja, lidhi kontratë të përkohshme për pastrimin e plehrave të qytetit me kompaninë ‘Viktoria Invest’, në një kohë që kjo e fundit ishte përjashtuar me 10 muaj nga përfitimi i tenderave publik. Bashkia e Elbasanit duket se ka zgjatur qëllimisht kryerjen e tenderit për pastrimin e qytetit, në pritje që kompania  ‘Viktoria Invest’ të përmirësonte pozitat ligjore.

Nga SYRI TV

Bashkia e Elbasanit, në rastin më të mirë, ka dështuar me menaxhimin e mbeturinave të qytetit. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ekzistojë edhe një aferë financiare, e cila po mundohet të mbulohet nga një kakofoni informacioni.

Pak ditë më parë, punonjësit e kompanisë së pastrimit ‘Victoria Invest’ denoncuan publikisht se kishin mbetur pa punë, pasi drejtuesit e shoqërisë i kishin njoftuar se nuk do të vijonte të kryente pastrimin e qytetit. Nga ana tjetër, bashkia e drejtuar nga Gledian Llatja mori rolin e të paditurës për arsyet se përse kompania private hoqi dorë nga shërbimi i pastrimit të qytetit.

Megjithatë, si Bashkia, ashtu edhe ‘Victoria Invest’ e dinin shumë mirë se bashkëpunimi mes tyre nuk mund të vijonte, pasi kompania private ishte përjashtuar më herët nga e drejta për të marrë pjesë në përfitimin e fondeve publike. Ndaj, ishte përgjegjësi e bashkisë që të merrte masat për të siguruar shërbimin e pastrimit të qytetit. Por, me shumë mundësi, administrata e Llatjas ka pritur që të përmirësoheshin pozitat ligjore të ‘Victoria Invest’.

Por kjo pritshmëri nuk është përmbushur dhe tashmë qytetarët e Elbasanit po vuajnë pasojat.  Kompania ‘Victoria Invest’ fitoi në Mars të vitit 2019 tenderin me vlerë 1.1 miliardë lekë të vjetra për pastrimin e qytetit të Elbasanit. Kontrata i zgjati deri në fund të vitit 2020. Në janar të vitit 2021, Bashkia zgjati edhe një muaj kontratën me ‘Victoria Invest’, deri në zhvillimin e tenderit të ri.

Në Shkurt 2021, kontrata u zgjat edhe me tre muaj të tjerë. Në Mars, Bashkia shpalli tenderin e ri, me vlerë sërish 1.1 miliardë lekë të vjetra. Në garë morën pjesë ‘Victoria Invest’ dhe kompania ‘Alko Impeks’ e familjes së ish-deputetit socialist, Sadri Abazi.

Kjo e fundit u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili në Maj të këtij viti vendosi të detyronte Bashkinë e Elbasanit që të modifikonte kriteret e tenderit. Që nga ky moment, procesi i tenderit për pastrimin e qytetit ka mbetur pezull. Ndërkohë, Bashkia ka vijuar me kontratat e përkohshme me ‘Victoria Invest’, duke i dhënë pa garë rreth 700 milionë lekë të vjetra.

Kontrata e fundit e përkohshme mes Bashkisë së Elbasanit dhe ‘Viktoria Invest’ u nënshkrua në fillim të Shtatorit 2021, për një afat 3-mujor, në pritje të zhvillimit të tenderit të ri. Por, në 14 Shtator 2021, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi të

përjashtojë kompaninë ‘Victoria Invest’ nga përfshirja në tendera për 10 muaj, për shkak të shkeljeve të konstatuara në një tender të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. ‘Victoria Invest’ e ankimoi menjëherë në gjykatën administrative të Tiranës këtë vendim përjashtimi, duke kërkuar edhe pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Por, mësa duket, kërkesa e saj për pezullimin e vendimit nuk janë marrë parasysh nga Gjykata Administrative. Në këto kushte, ‘Victoria Invest’ nuk mund të ishte përfituese as e shtesës  së kontratës për pastrimin e Elbasanit. Këtë e dinte shumë mirë edhe Bashkia e Elbasanit, e cila, duhej të parashikonte që, deri në Dhjetor, kur përfundonte kontrata shtesë me ‘Victoria Invest’, të merrte masa për të identifikuar një tjetër operator ekonomik për të ofruar shërbimin e pastrimit.

Vetëm pasi u gjet në kushtet e emergjencës, kryebashkiaku Gledjan Llatja u detyrua të rihapë sërish një tender emergjent, ndërkohë që procedura kryesore e pastrimit të qytetit vijon të mbetet pezull.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Kush lind nga nacja....minj do gjuaj !!09/12/2021 17:52

Gledjan Llatja eshte vazhduesi i Lales...keshtu qe do vazhdoje te njejten rruge !!!

Shto koment

Denonco