Si po tallen PD dhe PS me hetimin parlamentar të '25 prillit'

Si po tallen PD dhe PS me hetimin parlamentar të '25 prillit'

09:31, 22/10/2021
A+ Aa A-

Me firmën e 38 deputetëve të Partisë Demokratike Parlamenti miratoi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Por pa nisur ende nga puna me “hetimin” kanë nisur mosdakordësitë mes palëve.

Ditën e mërkurë ishte thirrur mbledhja e radhës nga kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj, por maxhoranca nuk u paraqit duke thënë se ishin në terren duke takuar qytetarët. Sipas tij, mungesa e anëtarëve të maxhorancës është një strategji për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës së 25 prillit.

“Në bazë të ligjit, mbledhjet thirren nga kryetari i Komisionit. Unë, në konsultim me zotin Toni Gogu, i kam komunikuar që mbledhja e sotme do të ishte në datën 20 tetor, ora 15:00. Anëtarët e opozitës në sallën e byrosë u përballën para një befasie, një bojkot total i të gjithë anëtarëve të maxhorancës," tha Alibeaj.

Nënkryetari i komisionit hetimor për 25 prillin, Toni Gogu, nga ambientet e selisë së Kuvendit iu përgjigj akuzave të opozitës për bojkotin e komisionit nga ana e maxhorancës. Gogu u shpreh se ai së bashku me deputetët socialistë shkuan ditën e djeshme në ambientet ku zhvillohej mbledhja, por përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm. Gogu e përdori daljen në media për t’i bërë një ftesë publike kryetarit të Komisionit, Enkelejd Alibeajt, për t’u takuar ditën e sotme ose të nesërme, me qëllim miratimin e kalendarit të punës së komisionit.

"Unë vijoj të bëj të njëjtën ftesë, i bëj thirrje zotit Alibeaj të mblidhemi një orë e më parë dhe të vijojmë të caktojmë kalendarin e punës. Nderin e zgjedhjeve ne mund ta mbrojmë vetëm duke hetuar së bashku në këtë komision”, tha Gogu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco