Lajmi i fundit

Dosja 339/ Lirohet nga burgu ‘Niçja’ i Shijakut dhe tre anëtarë të grupit ‘Volvo 4’

Beteja e fundit e opozitës për zgjedhjet e 25 prillit! ‘Patronazhistët’ në Strasburg, në Gjykatë Kushtetuese do të çojë…

Beteja e fundit e opozitës për zgjedhjet e 25 prillit! ‘Patronazhistët’ në Strasburg, në Gjykatë Kushtetuese do të çojë…

13:27, 16/06/2021
A+ Aa A-

Ekipi i ekspertëve juridikë të Partisë Demokratike mblidhen këtë javë për të diskutuar çështjet që do të ngrenë në dy hallkat juridike për të vazhduar betejën ligjore për zgjedhjet e 25 prillit.

Ditën e djeshme, pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi edhe dy qarqet e fundit, Fierin dhe Elbasanin, përfaqësuesi ligjor i PD-së konfirmoi se selia blu do të vazhdojë betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strasburgut, një paralajmërim i bërë edhe më herët nga Partia Demokratike.

Gazeta “Panorama.al” u interesua pranë selisë blu se cila do të jetë qasja e tyre në dy hallkat e fundit. Ndërkohë mësohet përmes burimeve se në dy gjykatat procesi do të jetë ankimim ligjor dhe jo parregullsi dhe për shkelje që konsiderohen edhe vepra penale.

Sipas burimeve, mësohet se një nga pikat që do të ngrejë PD në Gjykatën Kushtetuese është refuzimi nga ana e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ dhe më pas nga Kolegji për marrjen e provave shtesë, që sipas PD-së, faktojnë manipulimin e zgjedhjeve.

Sipas argumentit të opozitës, subjektit të tyre politik i është mohuar e drejta për të zhvilluar një proces hetimor të rregullt. Kujtojmë që Partia Demokratike pas publikimit të rezultatit paraprak lajmëroi se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve dhe nisi betejën ligjore fillimisht në KAS dhe më pas edhe në Kolegjin Zgjedhor.

Në KAS PD përveç provave që vendosi vetë në dispozicion të komisionerëve për t’i bindur për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 9 qarqe, kërkoi nga Komisioni i Ankesave e më pas nga Kolegji Zgjedhor që të administrojnë disa akte e vendime të institucioneve shtetërore, që sipas tyre, janë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe përbëjnë shkelje të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë. Mirëpo në të dyja shkallët u refuzuan kërkesat e PD-së. Kjo ka bërë që opozita të krijojë pretendimin për cenimin e së drejtës kushtetuese.

Patronazhistët

Paralelisht me procesin që do të nisë në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike do të ndjekë edhe një proces në gjykatën ndërkombëtare. Përmes burimeve mësohet se Partia më e madhe në opozitë do të çojë në Strasburg çështjen e patronazhistëve. Bëhet fjalë për databazën me informacionet personale të detajuara të 910 mijë votuesve në qarkun e Tiranës.

Databaza u publikua nga portali “Lapsi.Al” vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ndërsa në të kishte informacione personale të qytetarëve që gjenden vetëm në institucionet shtetërore. Ndërkohë, mbetet për t’u parë pretendimi që do të ngrejë Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje.

Kujtojmë se databaza e patronazhistëve u evidentua si shqetësim edhe nga raporti paraprak i vëzhguesve të OSBE/ODHIR. Paralelisht me këtë proces ekspertët e PDsë kanë punuar dhe tashmë është në proces përkthimi edhe dosja e zezë që do t’i dërgohet çdo partneri ndërkombëtar dhe kancelarie për t’i bindur se zgjedhjet e 25 prillit, sipas opozitës, nuk pasqyrojnë vullnetin e shumicës, por të një pakice që është mbivendosur mbi ta me makinacionet që i jep pushteti dhe forca e kriminelëve. Vetë kryetari i Partisë Demokratike i rikonfirmuar, Lulzim Basha, si në deklaratën e parë pas zgjedhjeve, por edhe gjatë fushatës për garën brenda PD-së, është shprehur se ai nuk do t’i njohë zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë, nga ana e tij ende nuk ka një vendim të qartë nëse do të shkojë në Parlamentin e ri në shtator. Në lidhje me këtë çështje, numri dy i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një emision televiziv u shpreh se në PD nuk ka ende një vendimmarrje nëse do të shkojnë në Parlament në legjislaturën e ardhshme, duke mos përjashtuar kështu mundësinë e moshyrjes në Parlament nga ku nuk janë më që prej vitit 2019.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco