Berat, pjesëmarrja e ulët dhe 77 vota minus për LSI favorizuan PS

Berat, pjesëmarrja e ulët dhe 77 vota minus për LSI favorizuan PS

13:01, 11/05/2021
A+ Aa A-

Partia Socialiste arriti të marrë 5 mandate në qarkun e Beratit, një më shumë se sa në tre zgjedhjet e fundit, por mandati i pestë u fitua me vetëm 77 vota diferencë.

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Pjesëmarrja në zgjedhje në qarkun e Beratit më 25 prill 2021 ishte më e ulëta e shënuar ndonjëherë, vetëm 44% ose afro 81 mijë vota të hedhura në kuti. Por pjesëmarrja e ulët u reflektua në rënie për qeverinë dhe opozitën njëkohësisht, ku rritja mbresëlënëse e Partisë Demokratike nuk mjaftoi për të mbuluar rënien dramatike të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në fund, të shtatë mandatet e qarkut u ndanë, pesë për PS, 2 për PD dhe zero për LSI. Megjithatë, LSI e humbi mandatin e saj pasi mori vetëm 77 vota më pak nga sa i nevojiteshin. LSI ka ankimuar në Këshillin e Ankimimeve dhe Sanksioneve të KQZ-së duke kërkuar shpallje të pavlefshme të rezultateve në disa qendra votimi në këtë qark. Sipas LSI, pamjet filmike tregojnë se së paku 80 vota të saj janë tjetërsuar.

LSI mori në zgjedhjet e 25 prillit në Berat gati 8,400 vota, 11 mijë më pak nga sa pati marrë më 2017, por këto vota duket se nuk i shkuan Partisë Socialiste. PS, e cila garoi me dy ish-deputetë të LSI me synimin për të gërryer vota nga kjo parti, mori 42 mijë vota në qark, 3 mijë më pak se sa katër vjet më parë dhe rezultati më i dobët i saj që nga viti 2013.

Partia Demokratike arriti të marrë 23 mijë vota, ose 7 mijë më shumë se sa zgjedhjet e kaluara, duke marrë kështu dy mandate. Por rritja e saj nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar rënien e LSI-së. PD dhe LSI sëbashku morën 4,300 vota më pak se sa më 2017, ndërsa humbjet e PS-së ishin 3 mijë vota.

Rreth 85% e votuesve dhanë një votë pëlqyese për një kandidat ndërsa kandidatet gra morën 17% të votave pëlqyese.

Blendi Klosi ishte kandidati më i pëlqyer nga socialistët e Beratit me 12 mijë vota personale, pasuar nga Bardhyl Kollçaku me gati 6,400 vota. Mes demokratëve, Tomorr Alizoti mori 5 mijë vota pëlqyese ndërsa Kasëm Mahmutaj mori gati 4,300 vota.

Kandidati i dytë i LSI-së, Bernard Nonaj mori gati 2500 vota pëlqyese, duke mposhtur kryesuesin e listës, Ardit Çelën me 1500 vota.

Qarku i Beratit ka pësuar ndryshime të mëdha përgjatë katër zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në vitin 2009, PS mori 4 mandate, PD 3 dhe LSI 1, në një kohë kur në qark dilnin tetë deputetë. Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI arriti t’i marrë një mandat PD-së, e cila ra në dy mandate ndërsa PS ruajti katër mandatet e saj. Në zgjedhjet e vitit 2017 Berati nxori shtatë mandate, një më pak se sa më parë, për shkak të rënies së popullsisë. Mandati mangët u humb nga Partia Demokratike, e cila në këtë qark u bë parti e tretë pas PS-së dhe LSI-së.

Në Berat ashtu si edhe në qarqe të tjera, pjesëmarrja e votueseve gra në zgjedhje ishte më e ulët se sa ajo e burrave.

Deputetët e ardhshëm të Beratit pritet të jenë:

Për Partinë Socialiste: Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollçaku, Fadil Nasufi, Nasip Naço dhe Blendi Klosi.

Për Partinë Demokratike: Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vendi yne 11/05/2021 15:25

Parti me drejtues te skaduar.Njerez te urryer familjarisht.Hajjdute e te pabese,burracake dhe mendere shqyer.Tani na bejn si patriot .Mos pafshin dite te mira.

Shto koment

Denonco