Për vete Nusretin, për shqiptarët Qametin!

Për vete Nusretin, për shqiptarët Qametin!

09:16, 12/01/2021
A+ Aa A-

Në datën 6 të këtij muaji, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), ngriti alarmin se deri në datën 11 janar, i gjithë vendi do të përfshihej nga përmbytje të mëdha.

Një ditë më pas pa asnjë njoftim zyrtar, kryeministri Edi Rama mbërriti për një vizitë 2-ditore në Ankara, për t'u takuar me presidentin Erdogan. Nga ajo që pamë dhe mësuam të paktën publikisht, nuk dukej se kishte ndonjë emergjencë të madhe për këtë udhëtim, përveçse spitalit të Fierit i cili duhet të ndërtohet me patjetër nga turqit, përpara zgjedhjeve të 25 prillit, siç edhe premtoi Erdogan jo pa ironi.

Ndërkohë që Rama ishte në Turqi, alarmin e IGJEUM, nuk e përfilli askush nga qeveria këtu në Shqipëri. Shirat dhe përmbytjet shpërthyen ngado. Lumenjtë dolën nga shtrati. Digat e hidrocentraleve u hapën dhe mijëra familje nga Shkodra në Vlorë e panë veten me gjithë pasuritë e tyre nën pushtetin e ujit.

Katastrofa sapo kishte nisur, por Rama në vend që të kthehej dhe të shkundte institucione përgjegjëse, i hipi sërish avionit dhe shkoi në Athinë për të ngrënë një drekë me homologun e tij Mitsotakis si dhe për të bërë një takim me tematikë sekrete, `kokë më kokë`, me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias.

As për këtë vizitë nuk mësuam dhe as kuptuam se u bë në kushtet e ndonjë emergjencë të madhe, përveç faktit se menjëherë pas ikjes së Ramës, qeveria greke kaloi urgjent në parlament, ligjin për zgjerimin e detit të tyre në Jon me 12 milje.

Pra emergjenca në Turqi ishte spitali elektoral, kurse ajo në Greqi për një drekë në shtëpinë e Mitsotakis dhe ca sekrete, kushedi se për çfarë, të ndara me ministrin e Jashtëm Dendias.

Kur u pa se uji përmbyti edhe Vlorën e tij të “rilindur” si pasojë e keq-menaximit të infrastrukturës, dhe po bënte namin mbi shtëpitë, tokat dhe gjedhët e mijëra familjeve shqiptare në gjithë vendin, Edi Rama, e shiti kthimin normal në vend si një urgjencë. E vërteta është se sipas axhendës së publikuar nga pala greke, ai në Athinë i kishte mbaruar punët e veta të cilat ne ende nuk i dimë se cilat janë. 

Kështu kryeministri nxitoi që të vesh xhupin ADIDAS dhe “çizmet” për t'u shfaqur në çdo ekran mes kënetave gjigante, por ministria që është përgjegjëse direkt për situatën këtu, Belinda Balluku, ngatërroi avion dhe së bashku me kryekëshilltarin Endri Fuga, nga Akaraja përfunduan në Dubai.

Nën shoqërinë edhe të Arben Ahmetajt, nënkryetarit të bashkisë Tiranë Arbian Mazreku dhe një super-oligarku, për publikun shqiptarë u shfaqën duke shqyer mish me faturën 12 mijë euro, në restorantin e luksoz e të ngrohtë të Nusretit.

Përmbytje shtëpish, tokash e fermash në Shqipëri, përmbytje me verë dhe mish të cilësisë së parë në Dubai!

Por le të kthehemi 17 vite prapa në kohë, në tetor të vitit 2004.

Organizata “Mjaft" me kryetar de fakto Edi Ramën dhe ushtar në terren Erion Veliajn e dy shijuesit e mishit special të mbështjell në fleta ari të Nusretit në Dubai, Fuga e Mazniku, kishin mbushur rrugën e Durrësit me parulla për të përshëndetur kthimin nga Greqia të Fatos Nanos në atë kohë kryeministër.

“Mirë se erdhe Nano djali, se për ty na kish marre malli’, shkruhej në këto parulla, të cilat ironizonin një kryeministër i cili nuk mbante përgjegjësi për çfarë ndodhte në vend.
Në atë kohë Mjaft me Fugën e Maznikun në terren, protestonin kundër Fatos Nanos i cili e rrezikoi postin seriozisht dhe më pas e humbi edhe atë të kryetarit të PS-së, sepse ndërkohë që Shqipëria ishte në zi për vdekjen e 15 maturantëve nga Kosova në një aksident tragjik më 14 tetor 2004 në Fushë Arrëz, u kap duke harbuar në një buzuk në Greqi.

E njëjta gjë i ndodhi edhe ndërkohë që zhvillohej tragjedia kriminale e 9 janarit 2004, kur 28 shqiptarë që tentonin të iknin me skaf në Itali u lanë të mbyten pranë brigjeve të Vlorës.

Nano më vonë u justifikua se ishte për një operacion shëndetësor në Turqi, por Fuga e Mazreku që sot kur Shqipëria përmbytet hanë e pinë në Dubai, nën frymëzimin e Ramës në atë kohë, i kërkonin dorëheqje urgjente.

Por të paktën Fatos Nano shkonte thjesht për qejf, kurse këta i bëjnë të dyja, qejfin dhe aferën e madhe miliardëshe të Portit të Durrësit, duke nxjerr njësoj si për Teatrin Kombëtar një ligj special në datën 3 Dhjetor.

Nëse e keni harruar, ju kujtojmë se spoti i Rilindjes gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e vitit 2017, shfaqte Edi Ramën me gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët kishin lidhur me litar diellin dhe po e tërhiqnin për t`ua sjellë shqiptarëve.

Tani pas 8 viteve të gjithë po e shohim: Për vete gëzojnë diellin e një jete prej sheikësh dhe pjatat e florinjta të Nusretit në Dubai, kurse për shqiptarët kanë Qametin që po përjetojnë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco