Shih shëndetësinë e kupto Rilindjen

Shih shëndetësinë e kupto Rilindjen

09:51, 09/08/2020
A+ Aa A-

Ta themi që në krye, asnjë qeveri s’do të kish mundur të bënte mrekulli me pandeminë. As ato të vendeve të zhvilluara, siç edhe koha tregoi. Virusi nuk kurseu as më të fuqishmit.

Çka mund të bëhej, doli se ishte thjesht mbajtja e një sistemi të mirë shëndetësor. Fillimi dhe fundi i historisë. Seriozitet, disiplinë dhe sidomos funksionim i gjithë hallkave.

Kështu e përballuan me sukses vende si Gjermania apo Austria. Vetëm te ne, u krijua një ide foshnjarake, e ushqyer mirë e bukur nga qeveria, se pandemia do të ndalej e vihej poshtë me propagandë.

Edi Rama tentoi që në krye të na mbushte mendjen se ishte babai i kombit që po sakrifikonte shumë për ne, më tej tentoi të na edukojë të gjithëve duke treguar edhe se si të lajmë duart, e pastaj kur u pa se fjalët s’bëjnë punë, u lëshua t’ua hedhë fajin njerëzve që nuk respektojnë masat.

Por sot, menaxhimi qeveritar i situatës ka dalë lakuriq rrugëve dhe po e shohin të gjithë. Spitalet kanë vetëm punën e heroizmin e mjekëve dhe infermierëve që qëndrojnë prej 5 muajsh si gladiatorë, pa u ankuar asnjë ditë për orët e tepërta apo për rrezikun që ndërmarrin.

Të tjerat që i takojnë ekzekutivit, lënë kaq shumë për të dëshiruar dhe janë në fakt arsyeja kryesore pse numrat janë vetëm në rritje në çdo kategori.

Nuk ka pajisje, s’ka mjete, s’ka burime njerëzore, s’ka testime sa duhet. S’ka spital Covid-3 e katër, por vetëm godina të bojatisura.

Të gjitha këto punë të qeverisë. Një qeveri që në heshtje duhej të merrte pikërisht këto masa shumë përpara se të identifikohej rasti i parë. Në vend të kësaj, nxori në rrugë autoblindat e ushtrisë dhe sirenat e trishta e të përvajshme që ngjallën panik te qytetarët.

Detyra tjetër e qeverisë, edhe ajo një dështim monumental, ishte reagimi ndaj ekonomisë. Ndihma dhe injektimi më i ulët në krejt rajonin. Mijëra biznese janë në vështirësi ekstreme. Vendi po kalamendet dhe tashmë një zot e di si do shkojë çështja e parave, e financave, e vendeve të punës.

Kjo pandemi tregoi qartë se qeveria qëndron në fasadë me ngjyra e propagandë, dhe sapo të gërvishtësh një lëkurë në realitet zbulon zgavrën e madhe bosh.

Gërvisht një lëkurë e të dalin maskat false. Hiq një tjetër, e të del se s’ka pajisje, shtretër apo burime njerëzore.

E njëjta gjë për tërmetin, për arsimin, për rrugët, për rendin, për drogën.

Një bosh i madh, një asgjë, që mbahet në këmbë me dukje, imazh të stisur, e sajesa për PR./Mapo.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco