Të gjitha faktet, pse qeveria Rama ka dështuar me COVID-19

Të gjitha faktet, pse qeveria Rama ka dështuar me COVID-19

10:07, 08/08/2020
A+ Aa A-

Pesë muaj pas shfaqjes së rastit të parë me koronavirus në Shqipëri, kemi rritje të fortë të rasteve me të prekur dhe shtim të fataliteteve. Pas hapjes, pritej ky fluks, por menaxhimi qeveritar është një dështim, dhe vjeshta në prag vjen me shqetësimin te qytetarët, nëse virusi po përballohet si duhet.

Gazeta MAPO sjell një analizë të plotë të pikave të dobëta të sistemit

Teksa kanë kaluar 5 muaj nga identifikimi i rastit të parë me koronavirus në Shqipëri, gjendja aktuale me pandeminë është mjaft shqetësuese.

Njerëzit presin me një lloj nervozizmi orën 16:00, kur del buletini i përditshëm me të dhënat më të fundit, se çfarë ka ndodhur në 24 orët që kaluan.Dhe dje, lajmet nuk ishin aspak të mira. 44881 të testuar, 6151 pozitivë, 189 të ndarë nga jeta.

Tashmë Covidi nuk është si më parë, një lloj legjende për të cilën shumë vetë nuk besonin. Secili nga ne, e ka një të afërmose një të njohur që është prekur nga ky virus.

Teksa shoqëria dukshëm nuk është në nivelin më të lartë të ndërgjegjësimit, nuk është aty ku duhet me masat e distancimitsocial, sistemi shëndetësor i ka shfaqur qartazi dhe rëndshëmdobësitë dhe dështimet.

Pika e parë e dobët, është numri i ulët i testimeve. Anomalisht i ulët. Me mbi 500 testime në ditë, nuk ndihmojnë dot në identifikimin sa duhet të rasteve, dhe kjo nuk e parandalon apo e ul në fund të fundit, vdekshmërinë. Përkundrazi. Sa për të kuptuar se sa pak bëhen, mjafton të kujtojmë se vetëm në një ditë, në javën që po lëmë, autoritetet greke zhvilluan në Kakavijë, mbi 2 mijë testime.

Pika tjetër e dobët e sistemit, janë kushtet.

Mungojnë mjetet e duhura për trajtim, në spitalet e specializuara, shpesh ka 4-5 persona në një dhomë. Raportohet në media se në disa raste mungon edhe kondicioneri, për të mos folur për dhomat me presion të ulët, që do të shërbenin për nxjerrjen e ajrit të infektuar dhe futjen e ajrit të pastër.

Ka po ashtu, mbingarkesë te stafi mjekësor, duke qenë se e gjitha është përqendruar në dy njësitë Covid-1 dhe Covid-2. Pesë muaj punë intensive pa pushim, çon në lodhje të personelit, dhe lodhja mund të sjellë rënie të cilësisë së shërbimit dhe gabime.

Mjekë si Tritan Kalo apo Najada Çomo, infermierë si Bedriu apo shumë të tjerë, reanimatorë e specialistë, janë çdo ditë në front si gladiatorë, po kaq nuk mjafton për të mbajtur nën kontroll një pandemi.

Një masë e munguar kjo nga qeveria, duke qenë se spitalet rajonale mund të ishin bërë eficiente dhe të ndihmonin me të tilla raste, duke evituar mbipërqendrimin.

Tashmë, është rikthyer vëmendja te mjeku i familjes, si hallka e parë dhe e rëndësishme. Por problemi është se ata janë pa pajisje, dhe shpesh detyrohen me paratë e tyre të marrin masat mbrojtëse kur duhet të trajtojnë një të sëmurë, ose që ka dhënë simptomat e para. Zakonisht, vizitat dhe trajtimet kryhen me telefon.

Spitalet Covid-3 dhe Covid-4, janë fantazma, edhe pse nga Kryeministri u premtua se do të ishin shumë shpejt gati. Dhe çdokush që merr vesh nga fusha, e kupton pse ato nuk janë askund. Një spital, aq më shumë Covid, nuk mund të jetë një godinë me shtretër. Që të ofrojë shërbimin e duhur, lypset të ketë mjekë, specialistë dhe burime njerëzore. Është kjo arsyeja pse ende nuk janë hapur. Dhe për më tepër, duhen pajisjet për diagnostikim dhe trajtim.

Është kjo situatë, kjo rënie në gjendje të lirë, ky menaxhim i dështuar, që e kanë bërë treguesin e pozitivitetit në vendin tonë, nga më të lartët në rajon e më gjerë. Pra, dalin të prekur 20 deri në 25 për qind, teksa norma që kërkon sot OBSH dhe që e ka Europa, është jo më shumë se 10 për qind pozitivitet.

“Me kalimin e ditëve, bëhet akoma më e qartë për publikun ajo që kemi thënë kohë më parë: Situata e COVID në rënie të lirë! Gjurmimi e testimi nuk funksionon as për familjarët e rasteve pozitive të shtruara në spital, jo më për familjarët apo kontaktet e atyre pozitivëve asimptomatikë”, shprehet në rrjetin social mjeku Artan Koni.

Heshtja e Ramës 

Tashmë Edi Rama nuk flet më për Covidin. Siç paralajmëroi në një dalje nga qershori, ai tha se ishte komunikimi i fundit që do të bënte për atë temë, dhe premtoi se nuk do të dëgjohej më nga ai fjala mbyllje. Gjithë reagimi ka ngelur te ministrja e Shëndetësisë. Manastirliu doli edhe dje në publik ku prezantoi punësimin e 50 infermierëve të rinj, si një masë shtesë në përballimin e pandemisë në shtator dhe në Dimër, duke u përpjekur të transmetojë siguri dhe që situata është nën kontroll. Mirëpo, duket se ka ndryshim të strategjisë së komunikimit. Ekspertët dhe drejtorët nuk janë më nëpër ekrane. Bëhet vetëm informimi i përditshëm.

Kryeministri ka hallin e ekonomisë dhe pasojave që solli ajo tebiznesi. Pasoja dramatike që po ndihen çdo ditë. Dhe çdo ditë, po kuptohet se masat e marra nga qeveria ishin me pikatore, krejt të pamjaftueshme. Figura e shpëtimtarit të kombit dhe e më të suksesshmit në Europë, që qortoi dhe këshilloi edhe kryeministrin britanik, është përmbysur.

Pandemia thjesht ka çuar në skaj krizën që ekzistonte. E kjo do t’i kushtojë jo pak një Kryeministri, disa muaj para zgjedhjeve.

Në një shënim dy ditë më parë, Kryetari i Opozitës, tha se Shqipëria ka dhënë vetëm 1 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për krizën e pandemisë, dhe sipas tij, edhe kjo shumë është shpërndarë në masën 32 për qind. Asnjë reagim nga qeveria, apo nga Rama.

Janë shtuar ndërkohë denoncimet e qytetarëve. Disa po pretendojnë se po humbin të afërmit në spital, për shkak të mostrajtimit. Nisur nga një dëshmi e tillë dy ditë më parë në media, reagoi edhe Presidenti i Republikës, duke thënë që të tilla raste të merren seriozisht. Ai po ashtu, kërkoi shtim urgjent të buxhetit për shëndetësinë.

Dyshimet kanë qenë edhe më të forta, kur nisur nga një qytetare, e afërme e dikujt që humbi jetën, ish-deputeti i PD, Bardh Spahia, denoncoi se testet e realizuara nuk ishin të sakta dhe negativiteti ishte fals. Ai përmendi dëshminë konkrete dhe solli prova. Mirëpo, ISHP e mohoi, duke thënë se laboratorët dhe mjekët që e kryejnë këtë procedurë janë të specializuar dhe të certifikuar.

 Analiza tronditëse e mjekut Erion Dasho, nisur nga rasti i tij personal

Mjeku i njohur Erion Dasho, nga më të zëshmit në këtë kohë, që ka patur kurajën të flasë në publik, ka bërë një analizë mbi situatën e fundit që po kalojmë, nisur nga përvoja personale që kishte me një të afërm. Ai e nis shënimin, me titullin: Një sistem që ka rënë.

“Mungesa e kontrollit mbi COVID-19 dhe papërgjegjshmëria e institucioneve shëndetësore me sa duket po materializohet në një situatë të rrezikshme. Një situatë intensive dyditore (fatkeqësisht e pasuar nga humbja e jetës së një personi të afërm) më bindi plotësisht se asnjë nga hallkat e sistemit shëndetësor nuk funksionon më.

Nëse që nga muaji maj kam shkruar e folur se “Shqipëria ndodhet në mëshirën e tekave të virusit”, sot mund të shkruaj se edhe mëshira e virusit arriti në kufi. Tashmë sistemi shëndetësor është në kaos të plotë. Në vijim një përshkrim gjakftohtë i fakteve”, thotë Dasho.

Ai rendit më tej, arsyet.

Mjekësia e familjes 

Ndonëse e gjithë familja manifeston shenja që sugjerojnë për COVID, nuk ka patur asnjë kontakt me mjekun e familjes. Arsyeja?! Ndoshta duhet kërkuar te deklarata e përditshme e Ministrisë së Shëndetësisë që rekomandon ose 127 ose numrin e gjelbër në rast dyshimi për COVID.

 Sistemi shëndetësor privat

Një nga pjesëtarët e familjes kërkoi kujdes shëndetësor pranë një strukture private. Skaneri fliste për COVID, klinika për COVID, epidemiologjia për COVID dhe, sigurisht, mjeku privat i rekomandoi trajtimin anti-COVID. Asnjë masë apo interesim për pjesëtarët e tjerë të familjes. Asnjë element koordinimi me sektorin publik (domosdoshmëri në raste epidemish).

 Urgjenca mjekësore

Ndonëse numri 127 u thirr disa herë dhe u kërkua me ngulm realizimi i tamponit, Urgjenca Mjekësore asnjëherë nuk erdhi. Pas insistimit tim, familja bleu një puls oksimetër. Kur u konstatua se oksigjenimi i një familjari ishte 84%, ky parametër iu njoftua 127-ës. Ambulanca erdhi me mbi një orë vonesë.

 Sistemi spitalor publik

Urgjenca Mjekësore e dërgoi pjesëtarin e moshuar të familjes në një prej spitaleve COVID. Nga momenti i shtrimit nuk pati asnjë komunikim midis stafit dhe familjarëve. Me përfshirjen time dhe insistimin konstant, arritëm të merrnim vesh vetëm informacione të cunguara. Asgjë zyrtare. Rreth 30 orë pas pranimit në spital, familja njoftohet se familjari i tyre kishte humbur jetën. Struktura e promovuar si “spital i specializuar COVID” mezi e mbajti një ditë në jetë të sëmurin.

 Trajtimi me dinjitet dhe mbështetja

As që mund të mendohet mbështetja psiko–sociale për pjesëtarëte tjerë të familjes. Ata nuk dinë se ç’të bëjnë më parë – të vajtojnë prindin që humbën apo të kenë frikë për jetën e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka bërë tamponin, ndonëse ende kanë shenjat klinike të sëmundjes. Askush nuk jep përgjigje as edhe për një pyetje të thjeshtë: “Në kushtet kur të gjithë familjarët janë të izoluar, si do të kryhen shërbimet e fundit ndaj të ndjerit?”

Sot do të pres raportimin ditor të vdekjeve nga COVID. Nuk e di nëse ky rast do të raportohet si i tillë. Të shohim…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco