Mocionistët i kërkojnë verifikim të pasurisë, a po përgatitet Rama për zgjedhje të parakohshme?

Mocionistët i kërkojnë verifikim të pasurisë, a po përgatitet Rama për zgjedhje të parakohshme?

10:18, 28/02/2020
A+ Aa A-

Kongresi vjen në një moment kur, gjithnjë e më shumë po përflitet për zgjedhje të parakohshme. Të vjetrit e PS-së, kundërshtojnë autoritarizmin e Ramës dhe paraqesin mocion, ku kërkohet liri shprehjeje dhe verifikim të pasurive të kryeministrit dhe ministrave. Meta ka paralajmëruar dekret për shpërndarjen e kuvendit më 2 mars.

MAPO

Partia Socialiste do të mbajë nesër kongresin e saj, ku sipas një njoftimi do të diskutohet për tema që kanë të bëjnë me rindërtimin pas tërmetit, paktin për universitetin, të drejtën e pronës e kështu me radhë.Kongresi vjen në një moment kur, gjithnjë e më shumë po përflitet për zgjedhje të parakohshme,dhe vetëm dy javë para 15 marsit kur është dhe afati i fundit i Reformës Zgjedhore. Organizatorët janë treguar të kujdesshëm që këtë fakt të mos e përmendin në pikat e diskutimit. Por, një syri të kujdesshëm nuk do i shpëtonte fakti i Prezantimit të programit politik “Shqipëria që duam 2030” gati një vit e gjysmë para zgjedhjeve të vitit 2021. Natyrisht, jo më kot është vendosur viti 2030, për të treguar jo vetëm siguri, por dhe një lloj arrogance. Por, gjithsesi zgjedhje do ketë të paktën në nivel lokal. Katër bashki janë pa kryetar, Shkodra, Durrësi, Vora dhe së fundi Rrogozhina do duhet të zhvillojnë zgjedhje të pjesshme lokale. Humbja në to do ishte një goditje jo e vogël për Ramën. Megjithatë do ishte naivitet të besohej se Rama po zhvillon kongresin për zgjedhje të pjesshme.

Situata

Situata politike nuk është aq e favorshme për qeverinë. Dështimit të hapjes së negociatave, dhe akuzave për korrupsion, i janë shtuar kohët e fundit dhe përplasja institucionale me Ilir Metën, President i Republikës, që duket se po i hap jo pak andralla, të paktën në sytë e ndërkombëtarëve. Meta në një situatë të paprecedentë ka kërkuar tubim qytetar në datën 2 mars, diçka e padëgjuar më parë që një president të thërrasë popullin në protestë kundër qeverisë që ai e ka dekretuar. Presidenti e ka lënë të kuptohet qartë se “në rast se do i kërkohet nga qytetarët, ai do të firmosë shpërndarjen e parlamentit”. Aktualisht Rama në parlament është i detyruar të operojë me një opozitë gjysmake, me individë kryesisht anonimë që s’përfaqësojnë asgjë. Për më shumë që dhe numri i mandatave përfaqësuese në Kuvend është i mangët. Në rast se Meta do të nxjerrë dekret për shpërndarjen e parlamentit atëherë do i duhet të operojë me parlament dhe pushtet lokal që nuk njihen nga Presidenti i Republikës.Ngritja e Gjykatës Kushtetuese mund të shndërrohet në një tjetër andrallë, pasi ndër çështjet e para që ajo do të marrë në shqyrtim janë dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku Rama me të tijtë garoi i vetëm dhe sot ka 57 bashki nga 61 në total.

Përçarja

Por ky kongres vjen në një kohë kur brenda Partisë Socialiste ka filluar dhe përçarja. Kasta e vjetër e saj,në qendër por edhe në bazë, duket se e ka të vështirë të përtypë sjelljet autoritariste të Ramës, apo dhe të grupit të Rilindjes, që akuzohet se ka marrë peng Partinë Socialiste. 8 anëtarë të saj do paraqesin një mocion ku kërkojnë reformimin e PS-së. Ata kërkojnë që të vendoset oponenca kolektive brenda partisë, të kontrollohen të zgjedhurit e saj, që mos kenë rekorde kriminale dhe numri i mandateve të kupolës së partisë, përfshi këtu dhe kryetarin, të mos jetë më shumë se dy. Në mocion ata kërkojnë që forumet drejtuese që bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, apo në pushtet lokal të marrin për bazë propozimet dhe votimin e bazës dhe jo të vendosin sipas oreksit të kryetarit. Mocioni thotë se përfaqëson një grup të gjerë votuesish të PS, dhe mes firmëtarëve janë Arta Dade, Nazmir Bilani, Eva Teqja, Ibrahim Sulaj, Përparim Bodinaku, Maqo Lakrori, Irena Beqiraj, Luan Zhegu etj.

Bochard: Ideja e një qeverie 100-ditore, një zgjidhje e mundur

Ambasadori i OSBE-së, BerndBochard tha dje se nuk përjashtohet mundësia që të implementohet në reformën zgjedhore zgjedhja e një qeverie kujdestare 100 ditë para zgjedhjeve. Sipas tij, shembull për këtë është dhe Greqia apo Maqedonia e Veriut, por kjo mbetet që të vendoset nga politika shqiptare.“Nuk është rekomandim i ardhur nga OSBE/ODIHR-i, megjithatë një qeveri teknike përpara zgjedhjeve do të ishte, në parim, një zgjidhje e mundshme. Keni shembullin e Maqedonisë së Veriut, me kushte specifike edhe atë të Greqisë, pra është e mundur, por vendimet i merr politika shqiptare dhe ne nuk japim opinion as pro dhe as kundër”, tha Bochard. Propozimi ka ardhur nga Partia Demokratike, por që deri më tani nuk ka marrë dritën jeshile nga ana e mazhorancës megjithëse jemi vetëm 15 ditë para.

Mocionistët kërkojnë verifikimin e pasurive të Ramës

Ndër pikat që mocionistët do paraqesin nesër në kongres është dhe verifikimi, i pasurive që nga presidenti i Republikës, Kryeministri, e deri të krerët e bashkive. Ata kërkojnë që të futet në ligj konfiskimi i këtyre pasurive ku verifikohen që janë të paligjshme. Ndërkohë i kërkohet PS që të dënojë manipulimin e votës dhe krimit elektoral, akuza këto të hedhura jo pak nga ana e opozitës. Verifikimi sistematik dhe pa asnjë përjashtim i pasurisë së të gjithë personave që kanë kryer, kryejnë ose do të kryejnë funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco