Për shqiptarët e vrarë nga çetnikët në Bosnjë, në fillim të prillit 1992 Bijelinë, prill 1992. Forcat e Arkanit pas vrasjes së civilëve, shqelmojnë edhe disa viktima shqiptare. Foto: Ron Haviv

Për shqiptarët e vrarë nga çetnikët në Bosnjë, në fillim të prillit 1992

07:27, 05/04/2019
A+ Aa A-

Bijelina sot është një qytet pothuaj «i pastër» serb. Dikur ishte qytet shumetnik, me serbë e boshnjakë (myslimanë), por edhe me shqiptarë të vyeshëm që gatuanin bukë dhe përgatisnin akullore. Nga 1 prilli deri më 4 prill 1992 forcat e kriminelit Zhelko Razhnjatoviq Arkan, të përkrahura nga ushtria jugosllave e serbizuar, vranë mbi dhjetë shqiptarë. Në masakrën e Bijelinës u ekzekutuan gati 50 civilë.

Nga Enver ROBELLI

Vështirë të ketë pasur një qytet në Jugosllavi pa shqiptarë. Ata kryenin punët më të ndryshme fizike, por kryesisht njiheshin si bukëpjekës dhe përgatitës dhe shitës akulloresh. Nga duart e shqiptarëve mund të kenë ngrënë bukë edhe ata serbë që të prirë nga Zhelko Razhnjatoviq Arkani, një kriminel i njohur serb me karrierë ndërkombëtare, në fillim të prillit 1992 vranë në Bijelinë në verilindje të Bosnjës mbi 10 shqiptarë. Emrat e tyre nuk janë të njohur aq të në opinionin shqiptar. Nuk ka ende një hulumtim serioz mbi shqiptarët e vrarë gjatë agresionit kundër Bosnjës. Vetëm për tragjedinë e Bijelinës do të mund të shkruhej një libër, por shqiptarët si shoqëri kudo në Ballkan nuk shquhen për kujdes të duhur në dokumentimin e krimeve, as për denoncimin e kriminelëve.

Në Bijelinë kriminelët serbë të dirigjuar nga Beogradi dhe të përkrahur nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), e shndërruar në ushtri serbe, testuan luftën para se ajo të fillojë më 6 prill 1992 me të shtënat e para në Sarajevë. Arkani dhe trupat e tij, të përbërë nga serbët lokalë dhe nga djemtë «urbanë» të Beogradit që kishin ardhur në Bijelinë për të vrarë «katundarë», ekzekutuan së paku 48 civilë. Pas vrasjes së këtyre njerëzve filloi «spastrimi etnik», një nocion që përfshinte dëbimin e popullsisë, hedhjen në ajër të xhamive, plaçkitjen dhe shkatërrimin e shtëpive.

Në mesin e të vrarëve janë edhe këta shqiptarë: Hajrush Ziberi, Bejtulla, Hamijeta dhe Abdurrahman Pajaziti, Mersim Elmazi, Halil Guci, Nezir Çemi, Nexhbedin Latifi, Faredin Sejdiu, vëllezërit Përparim dhe Vllaznim Rexhbeqaj, Mehas Zendeli, Shani Nezaj, Izet Kastrati. Vëllezërit Amir dhe Çamil Ganiu, të lindur në Bijelinë, u vranë më 1 qershor në Zvornik. Secili prej këtyre njerëzve ka një histori që pret të shkruhet.

Disa nga fotografitë e Ron Haviv mund të shihen në këtë link: http://100photos.time.com/photos/ron-haviv-bosnia

Plojën e Arkanit dhe kriminelëve të tij pjesërisht e ka regjistruar me aparatin e tij fotografi amerikan Ron Haviv. Fotografia më ikonike është ajo ku një kriminel shihet duke shqelmuar tri viktima të shtrira përtokë mbi gjakun e tyre: Tifa Shabanoviqin dhe Abdurrahman (sipas disa burimeve Abdurami) dhe Hamijeta Pajazitin. Më vonë është konstatuar se personi që i goditi me shqelm viktimat ka qenë Sërgjan Golluboviqi, i njohur si DJ Max, i cili jeton në Beograd. Në një fotografi tjetër shihet Hamijeta Pajaziti duke u përpjekur t’i ndihmojë burrit të saj Abdurrahmanit, i cili u vra nga «Tigrat» e Arkanit. Pastaj kriminelët e vranë edhe Hamijetën.

Bijelina sot është një qytet pothuaj «i pastër» serb. Vetëm pak boshnjakë jetojnë aty. Shumica e banorëve serbë në çdo fillim të prillit e festojnë «çlirimin e qytetit», gati askush nuk dëshiron të flasë për krimet e luftës dhe dënimin e kriminelëve. Kryesit e drejtpërdrejtë të krimeve vazhdojnë të jenë të lirë.

Më 4 prill 1992 në Bijelinë erdhi për vizitë Biljana Pllavshiqi, atëbotë kryetare e republikës së vetëshpallur serbe të Bosnjës. Pllavshiq e uroi Arkanin për «çlirimin» e Bijelinës dhe iu hodh atij në përqafim. Kjo është njëra nga skenat më cinike të luftës: Pllavshiq, biologe, profesore universiteti, e cila kishte thënë se myslimanët e Bosnjës janë material i deformuar gjenetik, i jargavitej kriminelit të regjur Arkan, të cilin shërbimi sekret jugosllav e kishte angazhuar për të kryer vrasje të kritikëve të regjimit komunist në Perëndim.

ImageImageImageImageImageImageImageImage

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco