VIDEO/ Agjitacion e Propagandë/ Hiqet nga puna për shkak të një dënimi në komunizëm

VIDEO/ Agjitacion e Propagandë/ Hiqet nga puna për shkak të një dënimi në komunizëm

21:25, 28/03/2019
A+ Aa A-

Një gardian i paraburgimit të Vlorës është pushuar nga puna me argumentimin se ka qenë i dënuar për fyerje në regjimin e Enver Hoxhës. Robert Shllega ka treguar për emisionin “Stop” në Tv Klan se prej 10 vitesh ka punuar në IEVP-në e Vlorës, ndërsa në Qershor të vitit 2018 e liruan nga detyra. Fillimisht i thanë se shkak ka qenë një dënim i vitit 2002, por gardiani u interesua dhe zbuloi se nuk kishte asnjë dënim. Më pas, për ta shkarkuar nga puna i nxorrën motivacionin e një “njolle në biografi” në vitin 1989.

Në vitin 1989, Robert Shllega u dënua në emër të popullit me punë të detyruar për fyerje. Ky dënim i kohës së regjimit hoxhist i ka kushtuar sot vendin e punës. Shllegës i kishin mbetur edhe dy vite punë për të dalë në pension të parakohshëm, por vettingu në policinë e burgjeve e hoqi atë nga detyra.

“Ju drejtova emisionit “Stop” sepse është bërë një padrejtësi te vendi i punës që kam qenë. Unë kam filluar punë në Fier në ’96. Punova 6 muaj me policinë kriminale dhe më pas fillova në Vlorë me Policinë e Shtetit te reparti i rendit. Aty pastaj ika për çështje ekonomike, kam qenë emigrant në Greqi me dokumente të rregullta dhe në 2008 kërkonin te paraburgimi i Vlorës punonjës policie që kanë qenë punonjës policie. Atje shkova bëra dokumentet, bëra dhe një trajnim 15-ditore dhe fillova punë më 3 Qershor 2008. Dhe në 30 Qershor 2018 më liruan nga detyra si mosplotësim kriteresh ligjore. Ka qenë një punë shumë e vështirë ajo, jo për mua por për të gjithë kolegët e mi. Atje ishin të dënuar policët, nuk ishin të dënuar ata që kishin kryer vepra penale. Kemi qenë të dënuar gjithë policët. Kam qenë i burgosur në liri”, ka thënë Shllega për Stop.

Kurse drejtori i paraburgimit të Vlorës, Ilir Aliaj thotë për “Stop” se gardiani Robert Shllega ishte një nga punonjësit më shembullorë të këtij institucioni. Ai shprehet se u shkarkua me motivacionin “marrë jashtë kritereve” pasi u bë vettingu i policisë së burgjeve.

“Në lidhje me këtë punonjës, para disa muajsh është larguar nga kjo detyrë me motivacionin “marrë jashtë kritereve”. Në policinë e burgjeve është bërë një vetting, dhe nga vettingu dolën nga Ministria e Drejtësisë, u gjetën rreth 123 persona që ishin marrë jashtë kritereve. Kanë qenë të dënuar nga drejtësia shqiptare. Për këtë arsye janë thirrur në Drejtori të Përgjithshme dhe u është komunikuar urdhri, ndoshta atje mund të ketë dhe dokumentacion shtesë në lidhje me këtë problem. Ne nuk kemi, kemi vetëm urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të asaj kohe që i ka larguar këta persona me motivacionin “marrë jashtë kritereve”. Kemi zbatuar urdhrin e drejtorit të përgjithshëm. Personalisht, si punonjës është njeri shembullor, model për punën që kryente”, ka thënë Aliaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco