Provat që Rusia është ulur këmbëkryq, në konakun e Edi Ramës!

Provat që Rusia është ulur këmbëkryq, në konakun e Edi Ramës!

18:29, 14/03/2019
A+ Aa A-

Pak ditë më parë, 11 Mars, kreu i SHISH Elidon Bendo, raportoi me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë në Kuvend për veprimtarinë e institucionit që drejton për vitin 2018, por i fokusuar në të ashtuquajturin, “rrezik dhe influencë ruse, në Shqipëri”.

Pavarësisht se në këtë mbledhje mungonin deputetët e opozitës, mësohet se Bendo u tregua i kujdesshëm, për të lëshuar deklarata të cilat çojnë ujë në hullinë që ka hapur këto kohë Edi Rama dhe mediat pranë tij. Bëhet fjalë për një ndërlidhje të influencës ruse me lënien e mandateve në bllok nga opozita parlamentare dhe protestat për të rrëzuar qeverinë e Rilindjes, të akuzuar si klepto-kriminale dhe për blerje të zgjedhjeve në bashkëpunim me organizata kriminale.

Bendo i cili e di më mirë se deputetët e Ramës, që për këto çështje delikate ka një zyrë të mirë organizuar me specialistë të SHBA dhe NATO në institucionin që drejton, nuk ju dha atë që kërkonin deputetëve të Ramës, pasi u pyet nëse ky ndikim rus mbërrinte deri në sferat e larta të politikës shqiptare, gjë që nënkuptonte krerët e opozitës.

Përgjigjja e tij ishte e prerë dhe lakonike; Jo nuk kemi asnjë informacion të tillë.

Nga kjo mbledhje e Komisionit të Sigurisë dhe informacioni i kreut të SHISH, deri më tani ka rrjedhur shumë pak informacion, por një gjë është e sigurt; Bendo nuk guxoi që të hidhte vallen e Ramës, i cili të njëjtën ditë te gazeta italiane “Libero” deklaroi hapur, se protestat dhe rrëzimin e tij po e kërkojnë faktorë të tretë, duke nënkuptuar qartë Rusinë. Të njëjtën gjë e ripërsëriti edhe në konferencën me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev, ditën e djeshme madje duke e specifikuar me emër Rusinë.

Tani çështja shtrohet; a ka vërtet ndikim dhe prani Rusia e Putin, në Shqipëri dhe ku pikërisht; në cilat qarqe?!

Kreu aktual i SHISH Elidon Bendo, për ata që kanë harruar, nuk e kishte për herë të parë paraqitjen në Komisionin e Sigurisë për të folur për të njëjtën çështje.

Rreth një vit më parë, më 27 Mars 2018, Bendo raportoi po në Komisionin e Sigurisë për “rrezikun rus në Shqipëri”, atëherë në pozicionin e Zv/drejtorit të SHISH, por i komanduar si numri një i  këtij institucioni, nga kryeministri Edi Rama.

Në atë kohë Top Channel raportonte, se Bendo në atë mbledhje deklaroi se Shërbimi Informativ Shtetëror disponon informacione se shërbimet inteligjente ruse, kanë tendenca për të influencuar në nivele të ndryshme të administratës në Shqipëri, por se deri në cilin nivel dhe në kë pjesë të administratës, nuk e bëri të ditur për arsye sekreti.

Vini re! Bëhet fjalë për influenca ruse, në administratën e qeverisë Rama dhe këto informacione gjenden në raportin për punën e SHISH për vitin 2017.

Nëse kjo pjesë ende mbetet e errët, sot mund të hedhim prozhektorët mbi fakte dhe ndërlidhje të qeverisjes Rama e të tijat personalisht me influenca ruse-serbe, të cilat janë më shumë në dritë dhe të aksesueshme, nga gjithë opinioni.

Linja kryesore dhe më e dukshme është ajo nëpërmjet kanalit kryesor rus në rajonin tonë, Serbia dhe shërbimet e saja sekrete.

Që në ditët e para që Edi Rama u bë kryeministër i vendit në verën e vitit 2013, një nga këshilltarët e parë që përzgjodhi për rrethin e tij të ngushtë dhe specifikisht për çështjet rajonale, ishte shqiptari nga Kosova Shkëlzen Maliqi.

Nuk po zgjatemi shumë me këtë figurë, veçse po citojmë se çfarë ka shkruar një nga njerëzit më të afërt në media të Edi Ramës, Mero Baze, në një editorial të datës 29 gusht 2013, menjëherë pasi ky i fundit e emëroi këshilltar.

“Ka qenë jugosllavi i fundit jo vetëm i Kosovës, por gjithë Jugosllavisë dhe u angazhuar si intelektual vetëm për shpëtimin e saj në kohën e reformatorit Ante Markoviç…Ka një edukim të mirë arsimor pasi është shkolluar në Beograd, ndërkohë që babai i tij ka qenë një nga drejtuesit e policisë serbe në Kosovë…Unë e çmoj Shkëlzen Maliqin për aq sa vlen dhe nuk përtoj ta lexoj sa here që shkruan, siç bëj me plot emra publicistësh nga Kosova. Por, nuk ndjehem as i sigurt, as i nderuar dhe as i qetë, që kryeministri i vendit tim e shpall edhe këshilltar për rajonin, edhe intelektual të madh, edhe të pavarur. Kosova nuk ka nevojë të ketë një përfaqësues të saj në Tiranë pranë kryeministrit,  siç kishte në kohën e Milosheviçit në Beograd”, portretizon Baze këshilltarin e Ramës për rajonin tonë, ku Rusia ka si të vetmin aleat të madh anti-perëndimor Beogradin.

Kalojmë më tej me një këshilltar tjetër të kryeministrit më “pro-perëndimor në rajon”, që Rusia dashka ta rrëzojë nga pushteti nëpërmjet opozitës, që ka dalë në protesta.

Ai tashmë është “një yll” i ekraneve shqiptare në të cilat shfaqet me një hartë në dorë e në mendje, për ndarjen e Kosovës dhe njihet nga të gjithë. Për Baton Haxhiun nuk ja vlen ta zgjasim këtë shkrim, por  duke shmangur dhjetëra shkrime e dëshmi të shumicës së mediave dhe gazetarëve të Kosovës që e njohin shumë më mirë se kushdo, po citojmë një deklaratë të ish-ministrit për Kthim dhe të Komunitete në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviç, lëshuar publikisht në Mars të vitit 2006.

“E kush është Baton Haxhiu?. Prej vitit 1990, Baton Haxhiu është bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Nuk ka qenë Sllavisha Petkoviqi ai që në vitin 1994 ka mundur të hapë gazetën “Koha Ditore”, por këtë ka mundur ta bëjë Baton Haxhiu. Nuk është Sllavisha Petkoviqi ai që, në kulmin e luftimeve, në kohën kur në Kosovë binin viktimat, është ulur dhe ka pirë uiski në Brezovicë me njeriun e parë së Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Stranishiqin, në vitin 1998. Nuk e kanë ruajtur forcat speciale të MUP-it Sllavisha Petkoviqin, por Baton Haxhiun”.

Ecim më tej me një nga emërimet më të debatuara së fundmi në qeverinë “Rama 3”, “djaloshin e lexuar” Gent Cakaj, të emëruar me dhunë dhe në mënyrën më antikushtetuese nga Edi Rama, në krye të një dikasteri delikat dhe strategjik, Ministria e Jashtme.

Për figurën e dyshimtë të tij në lidhje me kanalin ruso-serb që influencon në rajon e veçanërisht në Shqipëri, nuk po citojmë deklaratën e fundit të Ervin Salianjit që e ndërlidh me influencat e shërbimeve sekrete ruse, por një nga figurat më të dashura politike për patriotizmin dhe ndershmërinë e tij në Kosovë, Albin Kurtin:

“Ne kemi shpjeguar qëndrimin tonë përmes një komunikate për ish anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai (Gent Cakaj) nuk është ministër i Edi Ramës, por është ministër i Baton Haxhiut, nuk është problem Baton Haxhiu, por Stanishiqi”, deklaroi Kurti në News24, menjëherë pas kësaj përzgjedhje të dyshimtë të Ramës.

Këto janë vetëm maja e ajsbergut për ndërlidhjet e Edi Ramës me kanalin serb të influencës ruse në rajon dhe Shqipëri, por faktet flasin se kryeministri i Shqipërisë me intensitet, ka krijuar edhe vetë lidhje direkte me spinofe ruse të maskuar si biznese të mëdhenj e të kontrolluara nga Putin dhe shërbimi i tij sekret.

Një nga rastet më flagrante është ai i kompanisë “Gunvor”. Në mjaftë media kanë dalë fakte e dokumente të shumta, që vërtetojnë, se ajo është ulur këmbëkryq në ekonominë shqiptare dhe pikërisht në sektorë strategjikë të saj. Në një nga daljet e fundit në “Opinion” të Blendi Fevziut, kreu i opozitës Luzim Basha, i cili sipas Ramë kërkon rrëzimin e tij për llogari të rusëve, bëri me përgjegjësi dhe kompetencë të plotë një denoncim.

“Në tetor të vitit 2016,Edi Rama ka takuar në zyrë dhe më pas jashtë saj, përfaqësues të firmës “Gunvor”, që kishin interes të merrnin Albpetrolin. Kjo firmë është e Genardi Timçenko, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane për shkelje të sanksioneve në Ukrainë. Doni lidhje të tjera të Ramës me rusët ju, shikoni lidhjet e kompanisë turke që ka marrë konçesionin për aeroportin e Vlorës. Shikoni tezat e Edi Ramës për ndryshime kufijsh, që janë tërësisht teza ruse”, zbuloi Basha diçka nga një dosje e trashë që tashmë është në dorë të shërbimeve inteligjente amerikane dhe të NATO, të cilat po investigojnë ndërhyrjen dhe influencën reale ruse, në Shqipëri dhe rajon.

Dhe për ta mbyllur këtë shkrim (I cili është i pari në vazhdën e fakteve të tjera që vërtetojnë se kë ka kapur Rusia e Putin faktikisht në Shqipëri), po e mbyllim me një deklaratë të vetë Ramës në dhjetor të vitit 2017, në Samitin “Western Balkans at a Crossroads”, në Bruksel.

“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu, që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë. Po, po, kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes. Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi”, deklaroi Rama atëherë duke folur në nerv e sipër, edhe me subkoshiencë.

Vini re me kujdes se çfarë kalon nëpër mend duke folur për ofertën e Rusisë, përveç parave të shumta:

“Harroni shtetin e së drejtës”-Atë po bën dhe për atë po protestohet.

“Harroni institucionet”-ato ka shkatërruar dhe i ka futur në grushtin e vet. Për këtë po protestohet.

“Mbaje pushtetin për gjithë jetën”-Atë po bën duke blerë zgjedhjet dhe duke u mburrur, se opozita nuk fiton as për 100 vite. Për këtë po protestohet.

“Dhe (oferta ruse) nuk është pa interes”-Këtë tashmë e dinë të gjithë. Prej kohësh është në negociata dhe pazar me Rusinë, për ofertën e saj!  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Qarrishta14/03/2019 19:19

Ndaj ketij njeriu i duhet dhene plumbi ballit, ne te kundert cdo gje pritet, pra ashtu si eterit e tyre te na kthejne ne kohet e erreta te miqesise me BRSS. Vetem kete nuk do munden ta bejne per sa kohe demokratet dhe shqiptaret e vertete jane gjalle. Ndaj ne 16 mars te gjithe ne shesh ta shporrim ndyresiren qe po qelb dynjane.

pacavure14/03/2019 19:19

KGB kontrollon diplomacine shqiptare, kur diplomate te "shkolluara" ne Rusi te cilat u "mesonin" gjuhen shqipe agjenteve te KGB, jane ne poste kyce ne diplomacine shqiptare shtet rrumpalle

cak14/03/2019 19:10

Hajduti kujton se do të shpëtojë duke thirrur kapeni hajdutin.

Shto koment

Denonco