Lajmi i fundit

LIVE/ Dita 9 e protestave në Shqipëri, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Shëmbja e rrugës Librazhd-Prrenjas paralizon banorët, Gazetarja: Qeveria dështoi në garantimin e sigurisë

11:27, 23/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Situata në aksin nacional Librazhd-Prrenjas është përkeqësuar ndjeshëm, duke u kthyer në një emergjencë kombëtare.

Një rrëshqitje masive e dherave gjatë natës ka shembur bypass-in provizor të ndërtuar ditë më parë, duke bllokuar totalisht qarkullimin dhe duke lënë qindra banorë të zonës plotësisht të izoluar.

Prej dy ditësh, qarkullimi në zonën e njohur si “Arat e Gurrës” ishte i ndaluar, përfshirë edhe mjetet e emergjencës si autoambulancat dhe zjarrfikëset.

Shembja e re e ka bërë situatën edhe më dramatike, duke izoluar banorët me banesa në faqen e malit, pjesë të qytetit të Prrenjasit dhe fshatrat përreth.

Lajmi vjen vetëm një ditë pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte njoftuar se qarkullimi do të hapej të hënën nëpërmjet bypass-it, një premtim që tashmë është bërë i pamundur.

Gazetarja e Syri TV Margarita Mhillka raporton se e vetmja rrugë alternative kalon nëpërmjet fshatrave Spathar dhe Hotolisht, por ajo është tejet e dëmtuar dhe nuk rekomandohet nga autoritetet për shkak të dëmtimeve masive.

Punonjësit në terren raportojnë se situata është jashtëzakonisht e rrezikshme. Rrëshqitja e tokës është thelluar me 30 centimetra të tjera brenda 24 orëve, duke rrezikuar jo vetëm banorët, por edhe vetë punonjësit.

Për pasojë, perimetri i sigurisë është zgjeruar me 1 kilometër. Dëmet nuk kufizohen vetëm tek aksi rrugor; edhe hekurudha historike që kalon poshtë urës, e ndërtuar në kohën e komunizmit, ka pësuar devijime dhe shkatërrime të pjesshme si pasojë e erozionit.

Në përgjigje të kësaj situate alarmante, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për një sërë veprash penale, duke përfshirë “shpërdorimin e detyrës”, “shkeljen e barazisë në tendera”, “shkatërrimin e rrugës” dhe “ndotjen e mjedisit”.

Deklarata e plotë:

"Ndodhemi sërish ditën e sotme pikërisht në zonën Arat e Gurrës në aksin nacional Librazhd-Prrenjas, aty ku që prej dy ditësh le të themi qarkullimi i automjeteve përfshirë këtu ambulancat, por dhe zjarrfikëset është ndaluar totalisht.

Ndërkohë që gjatë ditës së sotme është vënë re një përkeqësim i madh i të gjithë situatës duke qenë se toka ka pësuar sërish një shëmbje duke shembur kështu dhe bypassin provizor për shkak të goditjes së rëndë që ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme.

Ndërkohë që në të gjithë zonën janë lëvizur gjithashtu edhe të gjitha makineritë edhe të firmës e cila është kontraktore dhe që po ndihmonte le të themi në hapjen e bypassit ku do të kalonin dhe automjetet siç u bë dhe njoftimi gjatë ditës së djeshme nga drejtori i autoritetit rrugor shqiptar ku në fjalën e tij ai citoi se në pasditën e të hënës do të hapej dhe do të bëhej i mundur kalimi për të gjithë automjetet si pasojë e hapjes së bypassit shumë në anë të urës e cila rrezikonte shëmbjen.

Që ditës së sotme kalimi është bllokuar totalisht duke i lënë të izoluar banorët e zonës të cilët kanë banesat në faqen e malit ku ka ndodhur shëmbja, por gjithashtu edhe pjesë të të qytetit të Prrenjasit, por dhe të fshatrave të rreth.

Aktualisht rruga që është një rrugë alternative e përdorur nga banorët e zonës, është rruga e fshatrave Spathar që të çon në Hotolisht.

Ndërkohë që kjo rrugë është mjaft e dëmtuar dhe nuk sugjerohet le të themi nga autoriteti rrugor për shkak të dëmtimeve masive që ka në këtë rrugë.

Aktualisht patëm mundësinë të komunikojmë me një prej punonjësve të cilët kanë qenë duke asistuar prej ditësh në zonë.

Ata shprehen se situata është mjaft e rrezikshme duke qenë se rrëshqitja nga dita e djeshme ka është thelluar me 30 centimetra, gjë e cila e bën shumë të rrezikshme jo vetëm për banorët e zonës këtë situatë, por edhe për vetë punonjësit të cilët kanë qenë prej ditësh në terren, ndërkohë që është zmadhuar dhe perimetri i sigurisë me 1 kilometër, duke qenë se e gjithë zona është në rrezik.

Në fakt, veç kësaj ure dhe hekurudha poshtë saj, një hekurudhë shumëvjeçare e ndërtuar që në kohën e komunizmit, ka pësuar devijime dhe një shkatërrim të pjesshëm të saj si pasojë e erozionit.

Gjatë ditës së djeshme kemi marrë dhe njoftimin se prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet lidhur me të gjitha shkaqet që mund të kenë çuar në këtë lloj masakre, le të themi të gjithë aksit që lidh juglindjen me pjesët e tjera të vendit, kryesisht për procedimet penale që janë regjistruar për veprat penale shpërdorim të detyrës, shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike, shkatërrim i rrugës, ndotja e ajrit, ujit apo tokës.

Ndërkohë që vijojnë të hetojnë prokurorët dhe gjithashtu ditën e djeshme ka qenë në zonë dhe IKMT-ja e cila ka bërë dhe vëzhgimet e nevojshme në terren. 

Dyshimet janë të shumta, deri në këto momente nuk ka dalë ende një version zyrtar për shkakun konkret i cili ka çuar në gjithë këtë shkatërrim të madh të aksit nacional Librazhd-Prrenjas pikërisht në zonën Arat e Gurrës, por gjithashtu dyshimet paraprake janë se mund të ketë shkaktuar gërryerja e lumit Shkumbin.

Pra, ndonëse është pohuar nga autoriteti rrugor shqiptar se kjo gërryerje është bërë me leje dhe në parametrat e duhur, sërish dyshimet janë.

Ndërkohë që vijojnë hetimet. Gjithashtu dhe banorët hedhin dyshime se kjo situatë është shkaktuar nga gërryerje pa kriter dhe punime pa studim të thelluar pikërisht në këtë zonë, duke qenë se është një rrugë e ndërtuar në vitin 1997, pra përafërsisht 30 vite më parë.

Kjo sipas banorëve është hera e parë që ndodh një shëmbje masive dhe një rrëshqitje kaq e madhe në këtë zonë, që e ka paralizuar të gjithë këtë aks. Ndërkohë që vetëm në datën 1 shkurt, shumë pranë kësaj vendodhje ku ka ndodhur dhe rrëshqitja e dheut, gjithashtu u shëmb dhe një masiv shkëmbor, për të cilin vetë banorët e zonës hidhnin dyshime se kanë dëgjuar shpërthime të shumta për hapjen e rrugës dhe punimeve pa kriter".
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco