Zbardhet dosja hetimore e vrasjes së efektivit Enea Mekolli: Si ndodhi përplasja me armë në Malin e Bodesë

Zbardhet dosja hetimore e vrasjes së efektivit Enea Mekolli: Si ndodhi përplasja me armë në Malin e Bodesë

16:27, 07/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore që lidhet me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë një operacioni policor në Malin e Bodesë, në qarkun e Korçës.

Sipas dokumenteve hetimore, operacioni ishte organizuar pas kallëzimit të bërë nga shtetasi A.K., 32 vjeç, i cili prej disa ditësh punonte si çoban në bagëtitë e Violand Braçellarit. Në dëshminë e tij, ai pretendonte se ishte dhunuar dhe kanosur me qytën e një arme automatike nga Braçellari, i cili sipas tij qëndronte pranë stallave të bagëtive dhe dispononte një armë automatike si edhe një armë gjahu.

Bazuar në këto informacione, mëngjesin e 4 qershorit 2026, rreth orës 07:00, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë u afruan në zonën e stallave në Malin e Bodesë për të ekzekutuar planin operacional të hartuar më herët.

Hetimet tregojnë se, ndërsa policia po kryente rrethimin e ndërtesave ku dyshohej se ndodhej Braçellari, ky i fundit hapi zjarr në drejtim të efektivëve. Si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë punonjësi i policisë Enea Mekolli, ndërsa u plagos efektivi Edison Adri.

Sipas dosjes, autori tentoi të largohej me vrap në drejtim të poshtëm të stallave, por u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe u kap pak metra më larg. Pranë tij u gjet një armë automatike model 56, kalibri 7.62 mm, e boshatisur nga municioni. Në armë dhe në zonën përreth u konstatuan njolla të kuqërremta të dyshuara si gjak, ndërsa u sekuestruan edhe gëzhoja të shumta të të njëjtit kalibër.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor gjeti gjithashtu veshje të dëmtuara me njolla gjaku, si dhe një numër të konsiderueshëm gëzhojash të shpërndara rreth stallave, të cilat dyshohet se janë qitur nga e njëjta armë.

Trupi i pajetë i efektivit Enea Mekolli u gjet rreth 8 metra larg murit të stallës së fundit. Ai kishte plagë në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë, të gjitha të ngjashme me dëmtime të shkaktuara nga armë zjarri. Viktima mbante veshur uniformën e policisë dhe jelek antiplumb, i cili paraqiste dëmtime në pjesën e gjoksit.

Një nga gjetjet më domethënëse të hetimit është fakti se arma automatike e Mekollit u gjet me 29 fishekë në krëhër dhe një tjetër në fole, çka sipas ekspertëve tregon se efektivi nuk kishte arritur të qëllonte asnjëherë gjatë përplasjes.

Pas transportimit të trupit në morgun e Spitalit të Korçës për ekspertizë, në vendin ku ndodhej koka e viktimës u konstatua një pellg gjaku me diametër rreth 40 centimetra.

Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu se një dritare e stallës së parë ishte e hapur, me rrjetën e telit të shqyer dhe të varur jashtë, duke krijuar dyshimin se autori ka dalë nga ajo pikë për të qëlluar ndaj policisë. Në të gjithë itinerarin nga stalla deri në vendin ku u kap Braçellari janë gjetur dhjetëra gëzhoja model 56, të cilat dyshohet se janë shkrepur nga e njëjta armë.

Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu armët dhe jelekët antiplumb të efektivëve pjesëmarrës në operacion, përfshirë armën e efektivit të plagosur Edison Adri, si dhe disa gëzhoja pistolete 9 mm. Të gjitha provat materiale do t’i nënshtrohen ekspertizave balistike dhe biologjike për të përcaktuar me saktësi dinamikën e plotë të ngjarjes.

Hetimet për vrasjen e efektivit Enea Mekolli dhe plagosjen e punonjësit tjetër të policisë vijojnë, ndërsa ekspertizat pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e shkëmbimit të zjarrit në Malin e Bodesë.

Shkarko dokumentin

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco