Vrau policin e plagosi kolegun e tij/ Gjykata e Korçës lë në burg Violand Braçellarin

Vrau policin e plagosi kolegun e tij/ Gjykata e Korçës lë në burg Violand Braçellarin

13:55, 07/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Korçës la në burg, ish komandon, Violand Braçellari, për vrasjen e efektivit të Shqiponjave, Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri.

Në vendimin e saj, Gjykata e cilëson të ligjshëm, vleftësimin e arrestit në flagrancë të personit nën hetim Violand Braçellari, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit", "Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit" ngelur në tentativë, "Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit.

Braçellari qëlloi me armë zjarri ndaj efektivit Enea Mekolli duke e lënë të vdekur në vend dhe plagosi kolegun e këtij të fundit, gjatë një operacioni policor për kapjen e tij, ngjarje kjo e ndodhur më 4 qershor në Lozhan të Maliqit.

VENDOSI:

1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit", "Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit" ngelur në tentativë, "Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal "Arrest në burg" të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco