Forcat RENEA vijojnë operacionin për kapjen e Refik Buzit, autorit të dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Vidisht të Roskovecit, ku mbeti i vrarë ish-vjehrri i tij, Kosta Plaka 58 vjeç, ndërsa u plagos ish-vjehrra dhe u mor me vete ish-e fejuara e tij.
Pas disa orësh negociatash, situata vijon të mbetet e tensionuar. Sipas informacioneve paraprake, Buzi ndodhet pranë automjetit të tij dhe ka vendosur armën e zjarrit, një çifte, poshtë mjekrës, duke kërcënuar se do të kryejë vetëvrasje.
Drejtori i Policisë ka bërë me dije se forcat speciale po afrohen me kujdes drejt makinës ku ndodhet autori, ndërsa vijojnë përpjekjet për ta bindur që të dorëzohet pa pasoja.
Zona vijon të jetë e rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa negociatorët e RENEA-s po komunikojnë me 35-vjeçarin për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
© SYRI.net