Policia ka zbardhur aksidentin e rëndë të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbi jetën një 74-vjeçare. Pas hetimeve, është identifikuar dhe arrestuar drejtuesi i automjetit që dyshohet se shkaktoi përplasjen, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe djali i tij, i cili ndodhej pasagjer në makinë.
Sipas policisë, i arrestuari është Xh. M., 65 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar se rreth orës 04:10 të datës 23 korrik ka përplasur me automjet shtetasen M. T., 74 vjeçe, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas aksidentit, 65-vjeçari dhe djali i tij, B. M., 32 vjeç, dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë të moshuarës dhe pa njoftuar autoritetet.Hetimet zbuluan gjithashtu se 32-vjeçari dyshohet se ka fshehur automjetin tip “Mercedes Benz” të përfshirë në aksident dhe ka ndërhyrë për riparimin e dëmtimeve, me qëllim pengimin e zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.
Automjeti është gjetur dhe sekuestruar nga policia, ndërsa vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të përgjegjësive.Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net