Ky është 35-vjeçari Refit Buzi, i cili qëlloi për vdekje me armë gjahu ish vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori me forcë ish gruan e tij duke u larguar më pas me makinë.
Sipas informacioneve, Buzi kishte marrë edhe disa vite më parë peng një tjetër person. Autori mësohet se është gjithashtu fqinj me familjen Plaku në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Familjarët tregojnë se ai ishte arrestuar disa herë për shkak të kërcënimeve ndaj tyre. Sipas tyre, ai kishte kërcënuar edhe vajzën me armë zjarri.
Njoftimi i policise:
Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

© SYRI.net