Pas aksidentit të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Unazën e Madhe të Tiranës, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë dhe mbeti i plagosur një drejtues shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka dalë me një njoftim për mediatpër sa i përket pajisjes me leje drejtimi të dy shtetasve egjiptianë, Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali.
Sipas njoftimit , DPSHTRR bën të ditur se nuk i ka pajisur me leje drejtimi shqiptare dy shtetasit egjiptianë, as me Dëshmi Aftësie Profesionale për profilin automakinist, ku përfshihen edhe drejtuesit e autobetonierëve.
Gjithashtu, DPSHTRR thekson se vendi ynë nuk ka një marrëveshje dypalëshe reciprociteti me Republikën Arabe të Egjiptit për njohjen e lejeve të drejtimit dhe hedh poshtë të gjitha raportimet se ka pajisur me leje drejtimi dy shtetasit egjiptianë.
Aksidenti ndodhi në Unazën e Madhe të Tiranës, ku një automjet i tonazhit të rëndë doli nga rruga dhe përfundoi duke rënë nga ura. Si pasojë, humbën jetën dy shtetasit egjiptianë që ndodheshin në mjet dhe mbeti i palgosur një drejtues shqiptarë.
© SYRI.net