Banorët e Baks-Rrjollit kanë protestuar sërish këtë të mërkurë, ku që në orët e para të mëngjesit kanë tentuar të bllokojnë mjetet dhe punëtorët e firmës ndërtuese të resortit turistik. Banorët janë përplasur me forcat e policisë, ndërsa mes tensioneve, mbi 20 persona janë shoqëruar në komisariat. Banorët kanë shprehur edhe një herë qëndrimin e tyre për të mos hequr dorë nga pronat e tyre, ndërsa shtojnë se nëse qeveria nuk merr masa për ndalimin e ndërtimit të resortit, situata mund të eskalojë
Syri tv
Banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë kanë protestuar sërish këtë të mërkurë. Por ndryshe nga ditët e shkuara, këtë herë banorët i bënë pritë që herët në mëngjes punonjësve dhe makinerive të kompanisë që do të ndërtojë resortin turistik. Në mbrojtje të punonjësve të ndërtimit kanë mbërritur forca të shumta policie nga Tirana, të cilët mes tensioneve dhe kundërshtive të banorëve, kanë bërë të mundur spostimin e tyre dhe hapjen e rrugës për makineritë. Gjatë rezistencës, policia ka shoqëruar mbi 20 persona, mes tyre edhe një grua. Banorët edhe një herë janë shprehur se do të vijojnë rezistencën e tyre pasi po i vidhet prona, ndërsa kanë një thirrje për kryeministrin Rama.
Edhe para komisariatit të policisë së Shkodrës, banorët kërkuan drejtësi nga shteti, ndërsa kanë akuzuar policinë për dhunë ndaj protestuesve. Banorët shprehen se forcat e policisë duhet të jenë në mbrojtje të qytetarëve dhe jo të hajdutëve
Kujtojmë se prej më shumë se 2 javësh, banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë protestojnë duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në tokat e tyre. Ata kanë theksuar vazhdimisht se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e pronave të tyre, edhe nëse do të duhet të derdhin gjak.
© SYRI.net