EMRI/ Vrasja në Shkodër dyshohet për gjakmarrje, viktima i hetuar si i përfshirë në vrasjen e një 19-vjeçari

EMRI/ Vrasja në Shkodër dyshohet për gjakmarrje, viktima i hetuar si i përfshirë në vrasjen e një 19-vjeçari

20:17, 11/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një krim i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Prekal-Kir të Shkodrës.

Aleksandër Koçeku është gjetur i ekzekutuar në makinën e tij.

Dyshimet janë se, krimi ka ndodhur për gjakmarrje, për shkak se Koçeku dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka në oborrin e shtëpisë, në fshatin Guci e re.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Pak orë para vrasjes, Prokuroria e Shkodrës kishte njoftuar zgjatjen me 3 muaj të hetimeve në lidhje me vrasjen e 19-vjeçarit, e ndodhur më 26 Shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Për vrasjen e 19-vjecarit, janë vënë në pranga Vasel Koceku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa ka dyshime se në ngjarje është i përfshirë dhe Aleksandër Koceku.

Prokuroria sqaron se Preka u vra pasi planifikoi të rrëmbente vajzën e Vasel Kocekut, me qëllim për tu fejuar me të, edhe pse e mitura nuk kishte shprehur pëlqim.

‘Duke analizuar provat e mbledhura deri më tani rezulton se shtetasi Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj në bashkëpunim mes tyre kanë përgatitur planin dhe kanë realizuar vrasjen e viktimës Pavlin Preka për shkak të qëllimeve dhe veprimeve të tij për ‘grabitjen’ e vajzës së shtetasit Vasel Koçeku për t’u fejuar, pa pëlqimin e vajzës, emrin e së cilës e ka tatuazh dhe në qafë’, thekson prokuroria.

Lidhur me këtë ngjarje, institucioni i akuzës thotë se ka veprime të tjera hetimore për të kryer, të cilat nuk janë mundur të përfundohen brenda afatit hetimore. Gjithashtu thekson se nuk është bërë e mundur të administrohen të gjitha aktet e ekspertimeve të tjera, pyetja e të gjithë dëshmitarëve dhe personave të dyshuar dhe kryerja këtyre veprimeve hetimore, harmonizuar me provat e grumbulluara dhe ato që do të diktohen në vijimësi do të bëhet përfundimi i hetimeve paraprake.

Me këto argumente, hetimet ndaj të dyshuarve janë zgjatur deri më datë 15 shtator 2026.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco