Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 40-vjeçarit Ilir Gjini, i njohur edhe si Ilir Lika, mbrëmjen e 9 korrikut në Laç.
Sipas burimeve hetimore, viktima dhe autori i dyshuar Emiljan Suti kishin pasur një konflikt rreth një muaj më parë, për motive që mësohet se kanë qenë banale. Po ashtu, bëhet me dije se disa muaj më parë Gjinit i kishte ndërruar jetë bashkëshortja, e cila ishte edhe shtatzënë.
Mbrëmjen e ngjarjes, dy personat dyshohet se janë parë në qendër të Laçit, ku kanë pasur një debat verbal, ndërsa motivet e konfliktit vijojnë të jenë objekt hetimi.
Gjatë kontrolleve pranë vendit të ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar një revolver, i cili është dërguar për ekspertizë balistike. Ekzaminimi do të përcaktojë nëse arma është përdorur në krim, kujt i përket dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri mes dy personave.
Pista kryesore e hetimit është se viktima mund të ketë qenë i armatosur dhe hetuesit po verifikojnë dinamikën e përplasjes. Gjithashtu po punohet për të zbuluar nëse në vendngjarje kanë qenë persona të tjerë.
Për vrasjen është shpallur në kërkim Emiljan Suti, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
© SYRI.net