Tre persona të shpallur në kërkim janë ndaluar sot nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë dhe në Portin e Sarandës.
Në SPK Qafë Botë është ndaluar 20-vjeçari J. Lapa, banues në Sarandë, i cili ishte shpallur në kërkim me masë sigurimi “Arrest në burg” në mungesë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Sipas policisë, ai dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, më 12 mars, ka qëlluar me armë zjarri tip “Kallashnikov” në ajër, në lagjen nr.1 të Sarandës, duke prishur qetësinë publike.
Gjithashtu, në Qafë Botë u ndalua edhe 27-vjeçari A. L., banues në Divjakë, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë për veprën penale “Kanosje”.
Ndërkohë, në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Sarandës u ndalua 43-vjeçari Luiz Danddan, banues në Angli, i shpallur në kërkim kombëtar nga Policia e Sarandës për veprën penale “Mashtrimi”.
Të tre personat u kapën gjatë kontrolleve të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.
© SYRI.net