Këtë të dielë, 11 janar, Policia procedoi penalisht një 33-vjeçare për veprën penale ‘keqtrajtimi i të miturve’, pas denoncimit të ish-vjehrrës së saj, e cila pretendonte se ish-nusja i kishte lënë fëmijët e saj vetëm, të mbyllur në shtëpi.
Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i 33-vjeçares, e për A2 CNN, ku është shprehur se kurrë nuk do t’i braktiste apo keqtrajtonte fëmijët e saj.
Ajo sqaroi se gjatë ditës është në punë dhe detyrohet që t’i lërë fëmijët vetëm. E reja pretendon se denoncimi në Polici është një kurth që i ka bërë ish-vjehrra, e cila sipas saj, ka mësuar edhe fëmijët që të flasin keq për të.

Duke u ankuar për gjendjen e rëndë ekonomike, 33-vjeçarja është shprehur se ish-burri ka qenë në burg në Itali për 5 vite dhe pasi ka dalë, paguan vetëm 180 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët.
“Kam 5 vjet e divorcuar. Punoj banakiere dhe të tre fëmijët i lë së bashku kur iki në punë. Paguhem 400 mijë lekë të vjetra në muaj dhe paguaj 300 mijë lekë qiranë.
A2 CNN bën të ditur se 33-vjeçarja e proceduar penalisht, quhet Blerina dhe është nëna e tre fëmijëve 5, 10 dhe 12-vjeç.
‘E kam të pamundur që të rri me fëmijët se s’kam të ardhura me se të paguaj qiranë dhe t’i ushqej. Ky është kurth nga ish-vjerra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bëj këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijët të flasin keq kundër meje. Nuk e di por kjo është e patolerueshme. Si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do mbroj fëmijët se babai i fëmijëve ka qenë në burg ne Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijet 180 mije lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj? Unë fëmijët nuk i braktis kurrë se jam nënë. Djali i dytë vuan nga epilepsia dhe kam shkuar në spitale për kurim për një kohë të gjatë. Tani është më mirë. Veshkën e shes e femijët nuk i braktis. Fëmijët nuk i lë në jetimore”, tha mes të tjerash 33-vjeçarja.
“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’.
Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhej në njoftimin e Policisë për procedimin e 33-vjeçares.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila përmes një njoftimi në rrjetet sociale bën të ditur se 3 fëmijët po qëndrojnë në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.
Po ashtu Ministria bën të ditur se në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve./A2 CNN.
© SYRI.net