Vrau bashkëjetuesen me thikë, burg të përjetshëm për Ramiz Micin

Vrau bashkëjetuesen me thikë, burg të përjetshëm për Ramiz Micin

16:09, 29/03/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Ramiz Micin. Ky i fundit është akuzuar dhe gjykuar për vrasjen e bashkëjetueses së tij, shtetases Jetlira Elezi, nënë e dy fëmijëve.

Ngjarja ka ndodhur në 30 korrik 2022, rreth orës 00:53, në lagjen Skënderbej Elbasan, ku i dënuari ka qëlluar me thikë bashkëjetuesen e tij.

Mici është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’', të parashikuara nga neni 79/c i Kodit Penal.

I pandehuri apeloi vendimin në Apel, por treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Fuat Vjerdha, relator, dhe anëtarë Irena Brahimi dhe Genti Dokollari, vendosi të lërë në fuqi vendimin e burgimit të përjetshëm.

Mici do e vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Si ndodhi krimi

Krimi i ndodhur rreth dy vite më parë pothuajse ishte i paralajmëruar, pasi mes viktimës dhe autorit kishte pasur një konflikt 5 ditë para vrasjes dhe Jetmira Elezi kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje.

Ata jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. Viktima, 37-vjeçare ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë. Edhe autori i vrasjes ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme.

Viktima kishte kërkuar ndihmë në polici dhe ishte pajisur me urdhër-mbrojtje.  Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara.

Ditën e vrasjes,  37-vjeçarja do të ikte nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër, edhe pse nuk mundi dot të largohej.

Fatmirësisht dy fëmijët e mitur nuk kanë qenë në banesë në momentin e krimit. Nisur nga situata e rëndë me bashkëjetuesin Jetlira kishte dërguar fëmijët tek babai i tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco