Iu sekuestruan dy resorte në vlerë 3 mln euro! Mik i Aldo Bares, kush është 55-vjeçari që tentoi të trafikojë drogë drejt Austrisë

Iu sekuestruan dy resorte në vlerë 3 mln euro! Mik i Aldo Bares, kush është 55-vjeçari që tentoi të trafikojë drogë drejt Austrisë

10:33, 03/11/2023
A+ Aa A-

Policia ka vendosur në pranga tre ditë më parë 55-vjeçarin Emiljano Burba, i cili dyshohet se së bashku me dy persona, baba e bir, tentuan të trafikonin rreth 300 kg drogë përmes doganës së Malit të Zi në Itali.

55-vjeçari nga Tirana ishte në kërkim prej datës 17 shtator, por u arrestua në Sarandë pak ditë më parë.

Por kush është Emiljano Burba

Ai njihet si miku i Aldo Bares dhe  në shkurt të këtij viti u sekuestruan dy resorte në vlerë 3 mln euro.

Resortet e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 55-vjeçarit të dënuar në Itali, me 21 vjet burgim, për trafik droge.

“Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit Emiljan Burba, 54 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi prokuroria.

Ndërsa shtoi: “Ky shtetas është ndaluar në Tiranë, në vitin 2014, dhe është ekstraduar në Itali, pasi Gjykata e Apelit në Torino, Itali, e ka dënuar me 21 vjet burgim, për trafik droge”

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 3 milionë euro, konkretisht: 2 ndërtesa (resorte), në Sarandë, 1 automjet (kamion) dhe 1 rimorkio.

“Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas ose familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë”, thuhej në njoftim.

E shkuara kriminale

Emri i Emiljan Burbës u mësua pikërisht 9 vite më parë, teksa një njoftim i policisë bënte me dije se ishte arrestuar për qëllime ekstradimi.

Në njoftimin e asaj kohe thuhej: “Më datë 21 prill 2014, rreth orës 20:30, nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme u arrit kapja e shtetasit në kërkim ndërkombëtar e Emiljan Sofo Burba, 42 vjeç, banues në Tiranë. Kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tij u krye për ekstradim në Itali, pasi nga zyra e Interpol Tirana ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Torino, Itali, me vendimin e datës 15 prill 2014, e ka dënuar me 21 vjet burgim”.

Por, në retrospektive të fakteve që pasuan historinë e Burbës, në janarin e një viti më pas, u tha se ai e mundi Prokurorinë e Torinos me anën e një avokati italian dhe fitoi lirinë. Bëhet fjalë për janarin e vitit 2015.

Burba në kohën kur pretendohej se kishte konsumuar veprën penale, që daton një operacion të forcave të policisë italiane në vitin e largët 2006, ai konsiderohej si krahu i djathtë i Aldo Bares, por më pas Gjykata e Torinos nuk mundi ta mbante në qeli.

Trafik droge drejt Austrisë

Emiljano Burba, nga Tirana, akuzohet se tentoi të trafikojë 300 kg kanabis, me destinacion Austrinë më 17 shtator 2023.

Ai u kap nga forcat e policisë në qytetin e Sarandës. Droga u zbulua nënjë kamion të ngarkuar me dërrasa dhe me paleta që kishin destinacion Austrinë. Pas gjetjes së drogës u arrestuan baba e bir, përkatësisht shtetasit me iniciale I. O. dhe K. O.

“Dyshohet se 55-vjeçari i ndaluar nga Policia, në Sarandë, ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e arrestuar I. O. dhe K. O. (babë e bir), gjatë tentativës për të trafikuar rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa që u sekuestruan më datë 17.09.2023, në doganën e Malit të Zi”, njofton policia.

Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur këtë veprimtari kriminale, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar të gjithë shtetasit e implikuar në të.

Njoftimi i policisë:

Hetimet e thelluara bëjnë të mundur identifikimin dhe vënien në pranga të një 55-vjeçari që dyshohet se bashkëpunoi me 2 shtetas të tjerë, për të trafikuar rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa që u sekuestrua në doganën e Malit të Zi.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Policinë malazeze, më datë 17.09.2023, u vunë në pranga 2 shtetasit (babë e bir) të cilët e transportonin drogën, me një kamion të ngarkuar me dërrasa dhe me paleta që kishin destinacion Austrinë.

Në vijim të hetimeve të thelluara, të ndjekura në koordinim me Policinë e Malit të Zi dhe në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, ndaluan shtetasin E. B., 55 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 55-vjeçari i ndaluar nga Policia, në Sarandë, ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e arrestuar I. O. dhe K. O. (babë e bir), gjatë tentativës për të trafikuar rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa që u sekuestruan më datë 17.09.2023, në doganën e Malit të Zi.

Vijojnë hetimet për të zbardhur këtë veprimtari kriminale, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar të gjithë shtetasit e implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionittë Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco