Arrestohen në Angli tre nga 6 vrasësit e Ardian Nikulajt, ndër ta porositësi Edmond Haxhia

Arrestohen në Angli tre nga 6 vrasësit e Ardian Nikulajt, ndër ta porositësi Edmond Haxhia

12:13, 29/04/2023
A+ Aa A-

Janë arrestuar në Angli, tri pre grupit prej gjashtë personash që porositën dhe organizuan vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. I arrestuar është i dyshuari si porositësi, Edmond Haxhia dhe dy shtetas të huaj, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.

Pritet që ata të dalin sot para gjykatës britanike për të marrë masën e sigurisë.

Arrestimi i tyre, i Edmond Haxhisë, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan u bë i mundur nga National Crime Agency, pas kërkesës që iu dërgua nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë, homologëve të saj në Londër. Operacioni është koordinuar nga institucionet ligjzbatuesve ndërmjet dy vendeve.

VRASJA DHE AUTORET: DEKLARATA E PLOTE E POLICISE SE SHTETIT ME 27 PRILL

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku së bashku me një nga prokurorët e kësaj çështjeje Françesk Ganaj, lidhur me ngjarjen e rëndë kriminale në Shëngjin, më datë 19 prill, deklaruan:

"Jemi sot këtu, për të komunikuar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale, të ndodhur në qarkun e Lezhës. Ashtu siç ju kemi bërë me dije, në Shëngjin, më datë 19.04.2023, rreth orës 13:25, në ambientet e lokal “Coral”, është vrarë me armë zjarri, shtetasi Ardian Nikulaj, 51 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.

Mënjëherë pas ngjarjes së ndodhur, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe kryerjen së veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Policia e Shtetit e vlerësoi maksimalisht këtë ngjarje, për zbardhjen e së cilës grupi hetimor ka këqyrur, vlerësuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sërë provash të vlefshme që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

• Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm;
• Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;
• Letërnjoftim;
• Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike

Njëkohësisht, grupi hetimor ka vijuar me veprime të shpejta procedurale si: marrje të deklarimeve, këqyrje dhe sekuestrim pamjesh filmike në vendin e ngjarjes, këqyrje të itinerarit të përshkruar nga autorët e dyshuar që lidhen me kohën dhe vendin para dhe pas kryerjes së ngjarjes së rëndë kriminale.

Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes.

Në përfundim të këtyre veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:

1. E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
2. R. R. S., shtetas portugez,
3. H. J. S., shtetas britanik,
4. H. B., shtetase britanike,
5. TH. M., shtetas britanik,
6. S. P. H, shtetas britanik,

Grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj.

Gjithashtu grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.

Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale:

“Vrasja me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal

 “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Policia e Shtetit flet me prova për ngjarje të caktuara dhe me rezultatet që strukturat e saj arrijnë në punën e përditshme, jo me opinione. Në këtë kuadër kërkohet rritja e ndërgjegjësimit dhe e bashkëpunimit të qytetarëve, rritja edhe më shumë e besimit të tyre te Policia e Shtetit, me qëllim që të raportojnë në kohë për çdo paligjshmëri me të cilën përballen, pasi denoncimi në kohë, i jep mundësi Policisë të veprojë menjëherë dhe drejt objektivit."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco