Vrasja e Azem Hajdarit, Apeli lë në fuqi vendimin për Izet Haxhinë! Çfarë kërkuan në Shkallën e Dytë të gjyqësorit Prokuroria dhe i pandehuri

Vrasja e Azem Hajdarit, Apeli lë në fuqi vendimin për Izet Haxhinë! Çfarë kërkuan në Shkallën e Dytë të gjyqësorit Prokuroria dhe i pandehuri

11:11, 01/11/2022
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin ndaj Izet Haxhisë, i akuzuar për përfshirjen në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.

Me vendimin e trupës gjykuese lihet kështu në fuqi vendimi i dhënë më 11 shkurt të këtij viti nga Gjykata e Tiranës, e cila e dënoi Haxhinë për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”. Ishte Prokuroria ajo që ankimoi vendimin duke kërkuar dënimin e Izet Haxhisë me 22 vite burg. Gjithashtu, ankim kundër dënimit bëri edhe vetë i pandehuri, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave procedurale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm. Në përfundim të gjykimit, trupa gjykuese me relatorë Marsela Dervishi dhe anëtarë gjyqtares, Alma Ahmeti dhe Ornela Naqellari, vendosën të rrëzojnë kërkesat duke lënë në fuqi dënimin e një shkalle më poshtë të gjyqësorit.

Nga arratia, te rikthimi në burg

Një nga emrat më të përfolur dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Izet Haxhia, përreth 17 vite ka qëndruar jashtë Shqipërisë. Në vitin 2006, ai u arrestua në Turqi, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar por më pas u lirua. Ekstradimi i tij zgjati për vite të tëra dhe Haxhia mbërriti në Shqipëri pas 12 vitesh. Haxhia u ekstradua në maj 2018, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për rigjykimin e tij, duke rrëzuar dënimin e mëparshëm nga gjykata. Ai deklaronte në atë kohë se ishte vetëdorëzuar në policinë turke.

Çfarë thotë haxhia për vrasjen e Hajdarit

Izet Haxhia e ka mohuar që ai të ketë rol në vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari në 12 shtator 1998. “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD-së. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, mësohet të jetë shprehur në gjyq Haxhia. Sipas Izet Haxhisë, vrasjes së bujshme i parapriu një takim i datës 1 shtator të vitit 1998, midis vetë Azem Hajdarit dhe Muharrem Haklajt.

Haxhia shprehet se Azem Hajdari e kishte informuar Muharrem Haklajn se urdhri për vrasjen e djalit të tij kishte ardhur nga zyra e katit të dytë, duke nënkuptuar Sali Berishën. Madje, ish-truproja i Sali Berishës ka pretenduar se dispononte edhe një kasetë të regjistruar në mitingun e 21 qershorit. Për të siguruar këtë kasetë, Fatmir Haklaj i kishte kërkuar Izet Haxhisë që ta ndihmonte për të takuar Myftar Lumneshin dhe Dem Dollapin, takim i zhvilluar në një lokal në zonën e Linzës, i cili shërbente edhe si bazë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Izet Haxhia ka deklaruar se takimi nuk u arrit të realizohej pasi Lumneshi kishte udhëtuar me Azem Hajdarin drejt Fierit. Sa i përket ditës së ngjarjes, Haxhia është shprehur se ndodhej në një bilardo pranë shtëpisë, kur mbërriti një makinë që drejtohej nga Jaho Mulosmani dhe në të ishte edhe Halil Haklaj. Ai pretendon gjithashtu se nuk është përfshirë në vrasjen e Hajdarit dhe se duhet të dënohet vetëm për përfshirjen në ngjarjet e 14 shtatorit, pasi ka sulmuar me armë institucionet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco