Analiza/ Misteri që rrethon objektet e rrëzuara nga ushtria amerikane

Analiza/ Misteri që rrethon objektet e rrëzuara nga ushtria amerikane

13:46, 13/02/2023
A+ Aa A-

Nga Gareth Evans, BBC

Ushtria amerikane është e pasigurt se çfarë ishin tre objektet fluturues që rrëzoi në qiejt e Amerikës Veriore – dhe se si ishin në gjendje të qëndronin në ajër.

Të dielën, Presidenti Joe Biden urdhëroi rrëzimin e një tjetër objekti, i katërti këtë muaj.

Për shkak se udhëtonte në lartësinë 6100 metra, objekti mund të komplikonte trafikun ajror komercial, u tha nga qeveria amerikane.

Një komandant ushtarak tha se mund të kishte qenë “një balonë me ajër të ngrohtë” apo “ndonjë tip sistemi me propulsion”.

Ai shtoi se nuk mund ta përjashtonte që objektet të ishin jashtëtokësore.

Objekti i fundit, rrëzuar mbi liqenin Huron në Michigan, pranë kufirit me Kanadanë u përshkrua nga zyrtarë të mbrojtjes si “strukturë oktagonale” pa pilot dhe me fije të ngjitura.

Ai u rrëzua nga një raketë e gjuajtur nga një avion luftarak F-16 në orën 14:42 sipas orës lokale.

Incidenti ngre pyetje të tjera rreth vërshimit të objekteve në lartësi të madhe që janë rrëzuar mbi Amerikën Veriore këtë muaj.

Komandanti i Komandës Veriore të SHBA, Gjenerali Glen VanHerck, tha se nuk kishte tregues për ndonjë kërcënim.

“Nuk do t’i kategorizoj si balona. Po i quajmë objekte për një arsye”, tha ai. “Ato çka shohim janë objekte shumë, shumë të vegjël që dalin shumë zbehtë në radar”.

Spekulimet për natyrën e objekteve janë intensifikuar ditët e fundit.

“Do t’ua lë komunitetit të inteligjencës e të kundërzbulimit ta gjejnë”, tha Gjenerali Van Herck kur u pyet nëse ishte e mundur që objektet të ishin jashtëtokësore. “Nuk kam përjashtuar asgjë në këtë pikë”.

Një balonë kineze e dyshuar si spiune u ul në bregun e Karolinës së Jugut më 4 shkurt pasi qëndroi disa ditë në qiellin amerikan. Zyrtarët thanë se ajo vinte nga Kina dhe ishte përdorur për monitorimin e zonave sensitive.

Kina mohoi që objekti të ishte përdorur për spiunazh dhe tha se ishte një pajisje për monitorimin e kohës që e kishte ikur në fluturim të lirë. Incidenti dhe polemikat e zemëruara që pasuan i rriti tensionet midis Uashingtonit e Pekinit.

Por të dielën një zyrtar i mbrojtjes tha se SHBA kishte komunikuar me Pekinin për objektin e parë, pasi nuk mori përgjigje për disa ditë. Nuk u bë menjëherë e qartë se për çfarë ishte diskutuar.

Që nga incidenti i parë, avionët luftarakë amerikanë kanë rrëzuar edhe tre objekte të tjerë në lartësi të madhe. Presidenti Biden urdhëroi rrëzimin e një objekti mbi Alaska të premten, ndërkohë që të shtunën një objekt i ngjashëm u rrëzua mbi Yukon në Kanadanë veri-perëndimore.

Të dy vendet po kërkojnë për pjesët e objekteve të rrëzuar, por kërkimi në Alaska është penguar nga kushtet e vështira të motit.

“Këto objekte nuk ishin të ngjashëm dhe qenë shumë më të vegjël se balona (e 4 shkurtit) dhe ne nuk do t’i karakterizojmë deri sa të gjejmë pjesët e tyre”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

Një zyrtar i lartë tha për ABC News se tre objektet e fundit me shumë gjasa kanë qenë pajisje për motin dhe jo balona monitorimi.

Por kjo u kundërshtua nga Demokratët në Kongres, që më herët thanë se oficerët e inteligjencës besonin se kishin të bënin në fakt me balona survejimi.

Republikanët kanë kritikuar vazhdimisht administratën Biden për balonën e parë, duke thënë se duhej të ishte goditur shumë më parë.

Ndërkaq, Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Ben Wallace, tha se vendi i tij do të bënte një analizë sigurie pas incidenteve të fundit në SHBA dhe Kanada.

“Ky zhvillim është një tjetër tregues se tabloja e kërcënimit global po ndryshon për keq”, tha ai.

Kronologjia e objekteve fluturues të paidentifikuar

4 shkurt: Ushtria amerikane rrëzon një balonë të dyshuar survejimi pranë bregut të Karolinës së Jugut. Ajo ishte endur për disa ditë mbi SHBA dhe zyrtarët thanë se vinte nga Kina e kishte vëzhguar zona sensitive.

10 shkurt: SHBA rrëzon një tjetër objekt mbi Alaskën veriore, për të cilin zyrtarët thanë se nuk kishte sistem propulsioni apo kontrollit.

11 shkurt: Një avion luftarak amerikan rrëzon një objekt ajror në lartësi të madhe mbi territorin e Yukonit në Kanada, rreth 160 km nga kufiri me SHBA. Objekti u përshkrua si cilindrik dhe më i vogël se balona e parë.

12 shkurt: Avionët amerikanë rrëzojnë objektin e katërt në lartësi të madhe pranë liqenit Huron për të qenë të kujdesshëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco