Apolitikët, teza e ‘sterilitetit’ të së ardhme…

Apolitikët, teza e ‘sterilitetit’ të së ardhme…

12:19, 03/07/2020 Nga Irakli Pina
A+ Aa A-

Nga Irakli Pina

Një ndër tezat që kanë ngjitur më tepër në masë prej disa vitesh (kryesisht pas zhvillimit të protestës studentore) është padyshim ajo e ‘apolitikëve’, një sajesë dhe një rreng i bukur për ‘rininë gri’, pa bindje të caktuara apo të painteresuar për politikën, por edhe një metodë për të ‘përjashtuar’ nga të ashtuquajturat kauza të drejta, të gjithë personat aktivë në jetën publike, duke i mbytur nën thirrjet ‘jo politikë’ …

Ajo çka mbart aromën më të keqe mbi vete, është fakti se një tezë e tillë s’doli befasisht, ajo është rrjedhimi i ‘narcizmit qeverisës’ të nisur me thëniet dhe shprehjet tashmë të bëra tepër bajate e të pështira:

‘Ne jemi më të mirët’; ‘Largohemi ne, kush vjen’ etj… që krijojnë domosdoshmërisht një dyzim të opinionit publik, pasi krahas kësaj pune, makineria propagandistike nxit edhe më tej idenë se puna e opozitës nuk është e mirë dhe e shoqëron me sulme e ofendime personale që për një masë të caktuar krijon perceptime të gabuara për figura e emra të përveçëm.

Një kombinim i tillë është më tepër se fatal për një shoqëri demokratike. Sistemi i krijuar i mbyll qytetarëve të gjitha rrugët institucionale të ankimit, duke qenë brenda shtetit por pa shtet, pa përfaqësim, pa mundësi për të fituar atë çfarë është e drejtë, pa garë të ndershme, pa promovim, pa mbështetje iniciativash, por gjithashtu edhe valvulat shkarkuese të irritimit të qytetarëve përbuzen, nëpërkëmben, injorohen, kalohen në heshtje, bojkotohen ose në rastin më të keq, strukturat policore shpërndajnë dhunshëm protestuesit dhe ngjarja merr shumë pak vëmendje …

Por, ajo çfarë e bën më të pisët të gjithë këtë mekanizëm të ngritur për t’i kthyer shqiptaret ndaj politikës dhe për ta lënë rezultatin zgjedhor të varur nga anëtarësitë dhe militantët partiakë, është puna e tmerrshme, monstruoze dhe kriminale ndaj mendjes së të rinjve, duke i kompleksuar të kenë bindje politike, duke i bërë të ndihen keq nëse janë pjesë e një grupimi politik dhe të jenë të ndrojtur të tregojnë hapur bindjen, idealin, qëllimin e tyre.

Pikërisht kjo tezë kaq idjote por thellësisht ‘ngjitëse’ shërbeu për shpërbërjen e një prej protestave më madhështore që post-komunizmi shqiptar ka parë dhe njëkohësisht është përdorur si etalon e fanar ndriçues për çdo organizim të mëtejshëm, për çdo iniciativë qytetare. Loja është tepër e qartë, pre e saj kanë rënë shumë njerëz, është diçka mirëmenduar dhe e kopsitur, por duhet kuptuar se teza ‘apolitike’ është një tezë sterile, pa vazhdimësi, predikon shterpësinë, cenon rëndë jetën publike dhe i sjell shoqerisë zero të mira e mijëra të zeza.

Në terma praktikë, kjo tezë është boshe pasi së pari ushqehet nga njerëz thellësisht të interesuar për politikën, por që për opinionin publik kamuflohen si individë pa ambicie politike nën sigla, shoqata e fondacione ku shqiponja dhe flamuri janë bërë si letra higjienike njëpërdorimshme dhe thirrjet në emër të ‘Shqipërisë e shqiptarëve’ si ato ‘në emër të popullit dhe shokëve tanë pionerë’. Tashmë, njerëz të ndryshëm, të panjohur më parë, të paangazhuar por çuditërisht të mbirë nga hiçi në politikë, hiqen si njerëz ‘apolitikë’ dhe në krahun tjetër paguhen për shërbimet e tyre pikërisht nga pushteti …

Njerëz që i sheh në çdo organizim, jo për kauzën, por për t’i bërë ‘fresk’ pushtetit, janë të gatshëm të shoqërohen, të ndalohen, për besë edhe të zvarriten në bulevard për ta bërë skenën më të besueshme, por në fund të ditës, kasollja që i mbledh është një dhe e vetme, ajo e pushtetit. Duhet thënë se këta njerëz investohen në politikbërje përmes sulmit në stilin ‘të të gjithëve por të asnjërit’ dhe duan të krijojnë imazhin e të ardhurve nga asgjëja, të mbështetur nga askush, të ngjitur dalëngadalë e me meritë, por cedojnë në qëndrime, pasi në pesë ofendime, njëri bëhet për të krijuar iluzionin anti-pushtet, katër të tjerët ndaj opozitës për të mbajtur gjallë pikërisht tezën boshe …

Politika është e të gjithëve, çdo gjë është politike, edhe të zgjedhurit janë përfaqësuesit e një grupimi më të madh njerëzish, zëri i masës që përfaqësojne, natyrisht ndaj tyre mund të kemi rezerva, por jo ndaj politikës si koncept, pasi ajo është një ndër gurët e themelit që vendosin fatet e sotme dhe të nesërme, aty merren vendimet për funksionimin ose jo të familjes tonë të madhe e të përbashket, Shqipërisë. Ajo çfarë mua realisht më shqetëson, është raporti i të rinjve me tezën ‘apolitike’, pasi në këtë linjë shkojmë drejt një steriliteti politik të së ardhmes, që më krijon disa pikëpyetje:

– Investimi për të rinj të paangazhuar e të painteresuar për politikën, kujt i shërben?!

– Përcaktimi i politikës si një ‘fobi’ shoqërore, çfarë dobie i sjell të ardhmes tonë, a pengon kjo ‘qarkullimin e elitave’ dhe përsëritjen e të njëjtëve njerëz në pozicione drejtuese?!

– Nëse të gjithë bëhemi ‘apolitikë’, politikën në të ardhmen kush do ta drejtojë?!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco