Kur Specialistët propozojnë një ligj, në lojë nuk janë vetëm paratë!

Kur Specialistët propozojnë një ligj, në lojë nuk janë vetëm paratë!

17:01, 20/04/2024
A+ Aa A-

Nga Pastor Akil Pano

– Dy fjalë mbi legalizimin e Surrogacisë!

Legalizuesit e mëdhenj të shkeljeve morale vijojnë projektin e çbërjes, goditjes dhe përçudnimit të jetës, familjes, fëmijëve, etikës dhe moralit.

Ministria e shëndetësisë dje paraqiti projektligjin për surrogacinë, inseminimin artificial dhe abortin. Arsyet për këto ndryshime ligjore duhet t’i argumentojnë socialistët. Nga eksperienca e kalimit në parlament të dy ligjeve të fundit; legalizimi i kanabisit mjekësor dhe legalizimi i bixhozit, argumenti që u paraqit ishte paratë që do të hynin në buxhetin e shtetit. Po tani!? Cilat janë argumentet e paraqitura!? Miq, mos kërkoni argumente të tjera kur specialistët paraqesin një projektligj të ri. Projektlgji i ri i Socialistëve të Vjetër është natyrë e mendimit liberal majtist i cili e sheh njeriun si produkt i kushteve materiale.

Deri dje, ju kanë thënë se argumenti janë paratë! Më lejoni t’ju them që në lojë nuk janë vetëm paratë. Në lojë është njeriu, familja, fëmijët.

Çfarë është Surrogacia e ndaluar me ligj deri tani?

Surrogacia përkufizohet si ‘marrëveshja riprodhuese në të cilën një grua (zëvendësuesja) mbart një shtatzëni dhe lind një fëmijë për një individ ose çift tjetër (prindërit e synuar).’

Deri këtu gjithçka duket normale, çiftet që nga natyra nuk mund të kenë fëmijë nisin të ëndërrojnë. Familjet prekin lumturinë!

Cila është ana e errët e kësaj historie? Pse në botë ka shumë debat kur flitet për surrogacinë?

Më poshtë po rendis implikimet e mëdha të surrogacisë dhe pse ky projektligj i socialistëve nuk duhet të votohet.

1. Surrogacia ekspozon vajzat dhe gratë ndaj trafikimit dhe shfrytëzimit për përfitime financiare nga tutorët. Ka shumë raste që lidhen me potencialin për shfrytëzim dhe shtrëngim të grave zëvendësuese, veçanërisht në situata ku ato mund të përballen me disavantazhe socio-ekonomike ose autonomi të kufizuar. Kryesisht janë vajza të reja ose gra që jetojnë në kushte tejet të vështira të cilat ofrojnë trupin e tyre kundrejt një pagese relativisht të lartë.

Ekspertët tregojnë që për një surrogaci të suksesshme kostot financiare që përfiton nëna surrogato variojnë nga 55.000 -70.000$ dollarë, ndërsa i gjithë proçesi në klinikat e specializuara kushton nga 190.000 -230.000$ dollarë. Duke qenë se janë shumë para në lojë, ekziston mundësia e trafikimit të vajzave dhe grave për t’u përdorur si nëna surrogate.

2. Sfidat emocionale dhe psikologjike: Surrogacia përfshin sfida komplekse emocionale dhe psikologjike për të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë zëvendësuesin, prindërit e synuar dhe fëmijën, veçanërisht në rastet e kompleksiteteve gjenetike, gestacionale ose ligjore.

Zakonisht keto gra nuk informohen plotesisht mbi potencialet e rrezikut shendetesor, që lidhet me procesin. (Injeksionet hormonale, apo dëmi emocional kur jep fëmijën që e ke rritur me gjakun tënd)

Mbase shumë persona nuk e njohin faktin e lidhjes fizike, emocionale dhe shpirtërore mes nenës dhe bebit gjatë shtatëzanisë.

Por, surrogacia nuk ekspozon vetëm të rriturit e përfshirë në marrëveshje ndaj sfidave të mëdha psiko-emocionale, por më së shumti fëmijën ndërsa nis udhëtimin e tij në këtë botë.

3. Komercializimi i jetës. Përmes surrogacisë, jeta njerëzore komercializohet deri në masën ku fëmijët shihen si një aksesor dhe komoditet i dëshirave të të rriturve. Madje fëmijët, kundrejt pagesës mund t’i porositësh njëlloj siç porosit një telefon celular tek shitësi, një biçikletë, automjet, apo një palë perde për shtëpinë. Ky komercializim ngre pyetje etike në lidhje me komodifikimin e riprodhimit njerëzor dhe potencialin për shfrytëzimin e individëve vulnerabël.

Nëse procesi nis me shitje, moralisht është i gabuar pasi vendos një cmim mbi jetën njerëzore e cila në fakt nuk ka çmim.

Marrëveshja financiare në thelb DHUNON të drejtat e fëmijës dhe të nënës si qenie njerëzore.

Madje Bioeticiste mendojnë që këtu kemi të bëjmë dhe me dhurimin e normës së krijimit të martesës, familjes dhe prokrijimit duke prezantuar një palë të trete kontributore në formën e një dhuruesi.

4. Pasiguritë ligjore dhe etike: Marrëveshjet e zëvendësimit mund të rrisin kompleksitetin ligjor dhe etik, pasi ligjet dhe rregulloret në lidhje me zëvendësimin e nënës ndryshojnë shumë në mbarë botën, duke çuar në sfida të mundshme në sigurimin e të drejtave dhe përgjegjësive të të gjitha palëve të përfshira.

5. Identiteti dhe të drejtat prindërore: Marrëdhënia zëvendësuese ngre pyetje në lidhje me identitetin dhe të drejtat prindërore të fëmijës, veçanërisht në rastet kur rolet prindërore gjenetike, gestacionale dhe të synuara mund të jenë të shkëputura.

Surrogacia është një prej çështjeve më komplekse që lidhet me jetën njerëzore, familjen dhe shoqërinë. Implikimet janë shumë të mëdha dhe të pandryshueshme. Kjo është arsyeja që ligji në Shqipëri e në shumë vende të botës e ndalon surrogacinë. Pyetja që shtrohet është: Çfarë ka ndryshuar me surrogacinë që qeveria socialiste propozon ndryshimin e ligjit? Deri tani asgjë s’ka ndryshuar dhe asgjë nuk do të ndryshojë ndonjëherë me surrogacinë.

Projektligji që propozohet nga socialistët si një e mirë e madhe, do të sjellë përfitime financiare për klinikat e inseminimit, para përmes taksimit në buxhetin e shtetit, por dëmi potencial ndaj nënave surrogato, fëmijëve dhe familjes në tërësi është i pariparueshëm.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco