Monetarizmi i Friedman si alternativë për rimëkëmbjen e ekonomive kapitaliste dhe një shembull për Shqipërinë

Monetarizmi i Friedman si alternativë për rimëkëmbjen e ekonomive kapitaliste dhe një shembull për Shqipërinë

16:49, 19/03/2024
A+ Aa A-

Klea Duçka*

Ekonomitë më të fuqishme botërore po përballen aktualisht me probleme strukturore, pasojat e të cilave duket se do të zgjasin dhe vështirësojnë procesin e rimëkëmbjes. E ndërsa qeveri të ndryshme përpiqen të shfajësohen duke e cilësuar dobësinë e ekonomive të tyre si diçka ekzogjene, e shkaktuar nga ngjarje si pandemia e Covid-19 apo lufta në Ukrainë, duket se ka një tendencë për t’iu shmagur shkaqeve reale.Arsyet e vërteta tëinflacionit duhen kërkuar përtej tre viteve të fundit.

Inflacioni i lartë në SHBA dhe në Eurozonë vjen si rezultat i një periudhe të tejzgjatur politikash ekspansioniste monetare, të fokusuara në një printim masiv parash dhe pompim të tyre në ekonomi, e pajustifikuar nga kërkesa për këto monedha. Kjo është shoqëruar me rritje pa kriter të shpenzimeve publike, politikave të gabuara fiskale dhe rritjes së prezencës së vazhdueshme dhe mbytëse të shtetit në tregun e lirë, sidomos në Evropë.

Ne këto kushte "flluska" e krijuar nga të gjitha shkaqet e lartpërmendura, ishte e destinuar të plaste. Ngjarjet e këtyre dy viteve shërbyen thjesht si katalizatorë. Megjithëse Banka Qendrore Evropiane i është kthyer më në fund një politikeshtrënguese monetare, me qëllim rikthimin e inflacionit në, ose afër objektivit ideal prej 2%, duke u përpjekur të reduktojë ofertën monetare dhe duke mbajtur të pandryshuara normat e interesit për operacionet kryesore të rifinancimit, kreditë margjinale dhe depozitat, në 4.5%, 4.75% dhe 4% respektivisht, duket se këto masa janë efektive vetëm për të trajtuar "simptomat" e inflacionit në terma afatshkurtër dhe jo shkaqet reale të tij, siç do ta diktonte teoria monetariste tradicionale e Friedman, që provoi të jetë goxha efektive në SHBA, në vitet '80.

Milton Friedman, ekonomist amerikan dhe fitues i çmimit Nobel konsiderohet gjerësisht sot si ekonomisti më influent i shek.XX-te. Ai u bë i famshëm me teorinë e tij mbi politikën monetare, sipas së cilës ndryshimet dhe luhatjet e ofertës së parasë kanë efekte të menjëhershme dhe afatgjata në ekonomi, pasi inflacioni rritet proporcionalisht me shpejtësinë e rritjes së tepërt të agregatëve monetarë. Rekomandimet e tij për politikat ekonomike bazoheshin në 2 principe efektive tërësisht kapitaliste për nga natyra:

 1) Ndërveprimet vullnetare mes konsumatorëve dhe bizneseve, prodhojnë rezultate më të mira për tregun se sa ato të rregulluara nga dekretet qeveritare.

2) Politikat ekonomike kanë shpeshherë pasoja të padëshiruara, ndaj ekonomistët duhet të fokusohen më shumë tek rezultatet dhe jo tek objektivat apo synimet.

Ai argumentoi saktësisht se Depresioni i Madh në vitet '30 nuk ishte rezultat i dështimit të tregut të lire kapitalist, por i politikës monetare. Në vitet ’60 ai hodhi poshtë pretendimet konvencionale të ekonomistëve keynesianë, të cilët nisur nga normat e larta të interesit që e çuan inflacionin në nivele dyshifrore deri në fund të viteve ’70 në SHBA, deklaronin se politikat monetare ishin të paefektshme për të ngadalësuar shtrenjtimin e çmimeve. Friedman nënvizoi se problemi real ishte rritja jashtëzakonisht e shpejtë e ofertës monetare dhe kjo u vërtetua kur Presidenti Lyndon B.Johnson vendosi të rriste nivelin e tatimit mbi të ardhurat aq shumë, sa arriti të balanconte buxhetin, por inflacioni vazhdoi të mbetej në nivele të larta. Ai u ngadalësua dhe u kthye në objektiv vetëm në vitet ’80, nën presidencën e Ronald Reagan, kur Paul A.Volcker, asokohe Drejtor i Përgjithshëm i Rezervës Federale vendosi të reduktonte sasinë e dollareve në qarkullim, duke arritur ta ulë me sukses inflacionin nga nivelet e deri atëhershme dyshifrore, në 4% në 1982.

Qeveritë perëndimore të ditëve të sotme dhe institucionet e tyre financiare po tregojnë çdo ditë e më tepër se janë "nxënës të keqinj" kur bëhet fjalë për të nxjerrë mësim nga historia. Duke flirtuar me idetë socialiste e marksiste si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë ekonomik, e duke u strukur pas një izolacionizmi që i lë terren të lirë babëzisë dhe agresivitetit të kundërshtarëve të tyre tradicionalë në Lindje dhe duke hequr dorë nga principet e tregut të lire kapitalist e adoptuar praktika utilitariste që synojnë një "barazi" apo egalitarizëm utopik e që nuk ka lidhje me rritjen e produktivitetit apo eficencës në aspektin ekonomik dhe atë të mirëqenies sociale, ato i kanë dobësuar pozitat e tyre ekonomike dhe politike në arenën botërore përballë fuqizimit në rritje të një poli të ri që po krijohet nga vatrat e konflikteve politike në rang global.

Problemi më i madh, sidomos i Evropës, duket të jetë një shtet shumë i madh e ndërhyrës, duke cenuar parimet bazë të kapitalizmit dhe tregut të lire. Në kushtet e stabilitetit politik dhe të konkurrencës së ndershme, mekanizmat e tregut të lire funksionojnë mbi parimin e "dorës së padukshme" të Adam Smith duke konvergjuar vetvetiu drejt pikës së ekuilibrit. Nderhyrjet e qeverisë, për të korrigjuar të ashtuquajturat "deshtime të tregut", zakonisht nuk bëjnë gjë tjetër vecse çojnë në alokime jo eficiente të të mirave dhe shërbimeve, ose me pak fjale pikërisht në atë që synojnë ta shmangin: dështimin e mekanizmave të tregut. Situata rëndohet, kur Bankat Qendrore dalin jashtë statuteve të tyre dhe kthehen në paterica të qeverive, duke marrë gjithashtu kompetenca intervenuese.

Në 22 janar të vitit 2015, Guvernatori i atëhershëm i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi lancoi një ndryshim dramatik të kursit të politikës monetare në Eurozonë. Ai theksoi pabarazinë e të ardhurave, në vend të deflacionit, si shkaku kryesor i rritjes së pamjaftueshme ekonomike dhe deklaroi se BQE do të blinte gjërësisht asete qeveritare (euro-bonde) me vlerë 60 mld € nga qeveritë e unionit. Kjo lëvizje shkaktoi pikërisht efektin e kundërt. Pabarazia u thellua, sepse fluksi i madh i parave i shtrenjtoi artificialisht çmimet e aksioneve të kompanive në bursë si dhe të pasurive të paluajtshme. E ndërsa fitimet e aksionerëve të mëdhenj dhe të pronarëve u rritën me shpejtësi marramendëse, kursimet e konsumatorëve në banka u goditën dhe u reduktuan ndjeshëm, duke nxitur konsumin, krahas rritjes pa fre të shpenzimeve qeveritare, që thelloi edhe më shumë nivelet e borxheve publike.

Njëkohësisht, me shtimin e mbrojtjes së klimës në listën e prioriteve të BQE, BE-ja ndaloi shfrytëzimin e burimeve tradicionale të energjisë dhe eksplorimit të gazit natyror, duke i lënë vendet e unionit krejtësisht nën mëshirën e gazit rus. Efekti zinxhir i gjithë kësaj u reflektua me rritjen e pritshmërive inflacionare që e rriti inflacionin bazë të matur nga HCIP (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve për Konsumatorët) në nivelin 6%, rreth dy javë përpara sulmit të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Në këtë kontekst, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, ishte në të vërtetë sanksion ndaj ekonomive perëndimore, kryesisht të vendeve të BE, pasi shoku i çmimeve të energjisë u pasua në tregjet e komoditeteve dhe punës.

Nga ana tjetër, ekspertë kryesisht te majte drejtojnë gishtin nga rritja efitimeve të kompanive si shkaktarin kryesor te inflacionit ne vend. Megjithatë, studimet e fundit në Mbretërinë e Bashkuar për shembull, kane treguar se nuk ka asnje tregues ne favor te “greedflation” (rritjes se fitimeve), duke konkluduar se shoku i cmimeve te komoditeteve pasohet nga jashte ne tregun e brendshem, pasi Mbreteria e Bashkuar importon rreth 46% te produkteve ushqimore qe shiten ne tregjet e saj.

Joseph Stiglitz, ekonomist amerikan,fitues i çmimit Nobel, ne nje studim te fundit te tij mbeshtet po ashtu tezen se problemi janë fitimete tepërta, si shkaktar kryesor i inflacionit të lartë në SHBA. Ekonomistë të tjerë dhe drejtorë të unioneve te tregtisë në BE, i japin vlefshmëri argumentave të Stiglitz edhe për Eurozonen duke bërë thirrje për kontroll mbi çmimet. Por studimet tregojnë të kundërtën.

Në këto rrethana, ndërsa ekonomistët gjenden në mes të një debati mbi shkaktarët e inflacionit duke luajtur me opsionet për të vendosur kontroll mbi çmimet, ata duket se rrotullohen tek i njëjti rreth vicioz i viteve ’70 dhe duke injoruar efektshmërinë e politikave monetare. Friedman paralajmëroi në atë kohë, se kontrollet e çmimeve (te ngjashme me kontrollet që u vendosën pa efekt në Shqipëri) vetëm sa do ta reduktonin inflacionin në terma afatshkurter. Kur ato u hoqën, inflacioni u rrit edhe më shumë në vitet që pasuan. Kjo ka gjasa të ndodhë edhe sot, sepse kontrollet mbi çmimet thjesht i zbusin artificialisht efektet e inflacionit, por nuk zgjidhin problemin kryesor pas tij: Ofertën Monetare. Ndërkohë, niveli i përgjithshëm produktivitetit dhe mirëqenies vazhdon të jetë në rënie. Në këto kushte, viktima më e madhe inflacionit është shtresa e mesme. Inflacioni do të vazhdojë të rritet dhe shtresat më të ardhura të ulëta do të vazhdojnë të varfërohen, nën sisteme të korruptuara që për të mbuluar dështimet e tyre fajësojnë të pasurit në funksion të propagandave anakronike me natyrë marksiste.

Ka ardhur koha që politikëbërësit, ekonomistët dhe qeveritë e perëndimit të nxjerrin mësime të vlefshme nga e shkuara, të hapin një diskutim serioz mbi situatën dhe të shohin atë që Friedman arriti ta targetonte me sukses në SHBA, si dhe t’i japin fund çdo formë monopolizimi të tregut dhe ndërhyrjes së panevojshme shtetërore në tregjet e lira duke u fokusuar në rritjen e produktivitetit dhe eficencës në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe në ruajtjen e lirive dhe të drejtave individuale të qytetarëve të tyre. Në këto kushte do të jetë e mundur jo vetëm të parandalohet një krizë globale më të madhe ekonomike, por dhe që ekonomitë e botës të rikuperohen më lehtë dhe më shpejt nga inflacioni i lartë që po përjetojnë, duke e zhvilluar një ekonomi globale më të qëndrueshme dhe më të përshtatshme ndaj sfidave të ardhshme.

Në vendin tonë, forca kryesore e djathtë do duhet të ketë parasysh këto politika të gabuara ekonomike, dhe të ketë në programin e saj qartësisht taksat e ulëta, qeverinë e limituar që nuk ndërhyn në jetën e individit, uljen e borxhit, dhe rikthimin e konkurrencës së drejtë në treg, si rruga e vetme drejt prosperitetit.

*Anëtare e Laboratorit të Ideve, Departamenti i Brain Gain dhe Ekselenca, PD

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco