Breshku i revoltuar! Ç'e bëri të lërë seksin e të merret me politikë?!

Breshku i revoltuar! Ç'e bëri të lërë seksin e të merret me politikë?!

10:26, 01/09/2022
A+ Aa A-

Nga Artan Fuga.

Ajo që më ndodhi atë dite ishte sa e çuditshme aq edhe më ndryshoi brenda disa çastesh kuptimin për qenien e gjallë, edhe për njeriun madje. Deri në një farë mase më shkaktoi një të qeshur të hidhur, disi histerike, të mbushur me një lloj frike.

E dija që përreth banesës sime, midis disa shkurreve dhe barit, herë pas here dukeshin edhe breshka. Lëviznin ngadalë, të përgjumura. Me gjithë respektin për jetëgjatësinë e tyre që ma kishte mësuar një biznesmen, i cili i mbante nëpër shtëpi, me një lloj zilie për to, përsëri fjala breshkë te unë ishte edhe një lloj sharjeje, gazmore, por gjithësesi sharjeje! Ik moj breshkë!

I keni vënë re njerëzit? Kanë më shumë respekt për kafshë që i kërcënojnë, si tigri, ujku, çakalli, akrepi, gjarpri, kurse për qënie të buta si pulat, breshkat, kërmijtë, ndonëse aq paqësorë me ta, i përbuzin! Ik mor kërmill!

Nuk di pse breshkat aty rreth e rrotull i shihja nga dritarja e veturës a nga maja e biçikletës, me një lloj indiferentizmi, përbuzjeje, dhe një çikë mëshirë mospërfillëse.

Breshkat, madje janë në gjininë femërore, por ai që e kam fjalën unë ishte mashkull, nuk e gjeja dot si ta thosha, pastaj e quajta breshku!

As më shkonte ndërmend se me atë breshkun, breshkën mashkull pra, do të kisha hesape për të larë.

Përgjithësisht, nuk i dalloja dot femrat breshka nga meshkujt breshkë. E çfarë më duhet? - thosha shpejt me vete duke bërë kujdes sidoqoftë se mos rrota e veturës apo e biçikletës sime kalonte sipër zhgunit të tyre. Më dukeshin qenie shumë të nënshtruara veç të tjerash. Të mbyllura në vetvete. Imagjinoni gjithë jetën në shtëpi, duke e tërhequr mbi kurriz. Provoni të rrini disa ditë pa dalë nga shtëpia dhe kur do të shkoni ta zëmë të blini kosin, a domatet, të jeni të detyruar të tërhiqni mbi kurriz të gjithë pallatin ku banoni, bashkë me komshinjtë që keni sipër, poshtë, anash!

Zvarritur me çapa dembelë në pluhur, ngadalë, me kokën futur në guackën mbi shpinë, qenie e ngathët, jo transparente, në tokë, breshka më ngjante si një nëpunës burokrat, si një qenie a komb i nënshtruar që mbyllur në guackën e tij, nuk di se çfarë bëhet jashtë, ku shkon, nga vjen, jeton gjatë, por ç'e do atë jetë, kur sapo i del rreziku i parë, fut kokën nën parzmore dhe pret të kalojë rreziku, apo grabitqari sipër tij ta shkatërrojë, ta hedhë atje tej, apo të tallet me të duke e vendosur me këmbë përpjetë që të ngordhi ashtu në vapë a në shi!

Por atë ditë që po ju flas ndodhi çudia!

Zbrita nga vetura për t'u ngjitur lart në apartamentin tim. As më shkonte ndërmend t'i kushtoja një mendim sado të shpejtë breshkave që duhet të ishin aty pari. Kur, syri më kapi një skenë që më bëri të ndaloj, të lë qeset me ushime të saponxjerra nga vetura në tokën me rërë, dhe të shtangem.

Te qoshja e pallatit, afër një kaçubeje, një breshkë me përmasa më të vogla kishte hipur në kurrizin e një breshke më të madhe, që nxirrte ca tinguj të çuditshëm, kënaqësie, do të thosha. Kënaqësi breshke, por gjithsesi isha e sigurt që tingujt ishin nga eksitimi i saj.

Dy breshkat po bënin dashuri. Dashuri, them, kot, sepse një biolog do të thoshte ndofta se ato po kryenin aktin seksual që çonte në riprodhimin e tyre!

Kisha parë dema, lopë, qenër, bushtra, gjela, pula, kuaj, të kryenin marrëdhënie seksuale, madje edhe një cjap me një dhi, por kurrë breshka. Breshka duket si aseksuale si qënie sepse edhe organet gjenitale nuk është kollaj t'ja shohësh! Por, në mitologji të lashta, qeniet aseksuale janë perënditë më të vjetra!

Ishte një skenë e çuditshme, sa madhështore, aq edhe qesharake. Breshku po bënte dashurinë e tij, po realizonte erosin, ndaçi edhe po bënte seks, pa hequr rrobat, madje pa hequr as jorganin, për më tepër duke mbajtur të gjithë shtëpinë, pra pallatin e vet, në kurriz. Ajo shtëpi që duket se është trupi i i tij, nuk e pengonte fare. I gjithë trupi i tij kishte dalë si në ndonjë plazh nudist krejt jashtë, thuajse, lakuriq, koka përpara e tendosur, sytë e errësuar nga dëshira, këmbët e vendosura fort mbi kurrizin e femrës së tij, dhe dukej se për ta bota ishte aty.

Nuk kisha parë kurrë seks breshkash. Kujtoja se së paku breshkat, nga fakti që ishin aq të nënshtruara, as zvarranike, aq të mbyllura në vetvete, aq të mbuluara me një kockë të madhe mbi kurriz, do të ishin qenie të ngathta, të fjetura, të pandjeshme.

Posi, posi!

Nuk mund ta humbja atë çast. U rifuta vetëtimthi në veturë, hapa çantën me nxitim, nxorra celularin, e bëra gati për foto dhe isha gjithë gëzim sepse atë imazh sublim që po shfaqej para meje do ta tregoja me krenari miqve të mi.

Mbase do ta vendosja edhe në profilin tim në facebook!

Nuk kisha arsye t'i afrohesha çiftit breshkor. Bëra gati zoom-in, dhe në një distancë ndofta nja pesë metra nisa t'i fotografoj!

Kisha sigurisht pakëz turp. Jo nga breshkat. Kush pyeste për ato kafshë të nënshtruara që nuk dinë as të mbrohen dhe as të sulmojnë. Imagjino në vend të shqiponjës krenare, dykrenore, në flamur të kishim një breshkë. Të identifikoheshim me një breshkë, mashkull, a femër, me dy koka, të nështruar, të zhytur në zhguallin tonë, që fut kokën brenda sa herë dikush na fyen, na shqelmon, na kërcënon!!!

Kisha edhe ndrojtje se mos ndokush nga komshitë e mi me shihte duke marrë në foto breshkat duke bërë seks, dashuri, a quheni si të doni! Do të dukesha si ata tipat andej nga liqeni që dikur fshiheshin pas ferrave për të parë çiftet që putheshin natën! Ka qenë e turpshme fjalia që thoshim mes nesh, të rinj hokatarë të asaj kohe: Ai gjëmon çifte! Ishte përbuzja më e tmerrshme!

Ja, unë, kisha arritur në atë pikë. Po gjëmoja çifte! Edhe çfarë çiftesh! Të ishin çifte luanësh, tigrash, hajde gjarpërinjsh, a të shihja shqiponjën tonë të flamurit duke u mbarsur me ndonjë cjap, a gomar, a hardhucë, hajde de, po të ndiqja çifte breshkash!!!

Megjithatë një justifikim më shkoi ndërmend. Në fund të fundit a nuk bëjnë këtë punë zoologët! A nuk jam kërkues shkencor? A nuk ka ngjashmëri mes kafshëve dhe njerëzve? A nuk po bëja një studim krahasues? Dhe vazhdova të filmoj tanimë! Do të bëja një video!

Edhe sot e kam atë video në telefonin tim, por sa herë e shoh, më dridhet mishi!

Ju thashë, isha nja pesë metra larg vendin ku po ndodhte akti erotik! As më shkonte ndërmend ta shqetësoja mashkullin që hipur mbi femrën e tij ishte dhënë me gjithë zemër e shpirt, dhe duhej të ndodhej si në parajsë. Të them të drejtën, gabim, për femrën poshtë tij nuk mendova shumë!

Ajo që ndodhi më tronditi, dhe sikundër e thashë, më ka ndryshuar krejtësisht!

Mashkulli breshkë, breshku pra, në çast e la aktin seksual në mes! U rrukullis me krakëllima nga kurrizi i femrës së tij, u rrutullua për inerci disa herë në tokë, herë i shihja barkun dhe herë kurrizin e mbuluar me shtëpinë e tij, dhe u vendos në pozicionin normal, me këmbët në tokë. Atje tej femra e breshkut rrinte kokëulur, si e zënë në faj.

Breshku u ngrit me të dy këmbët, nxori kokën jashtë bunkerit të tij dhe i ngritur ashtu mbi dy këmbë nisi të ecte. U vërsul drejt meje. Ndodhej nën këmbët e mia. Hapte gojë, me inat dhe për herë të parë pashë një breshkë që fliste, njç breshkë të inatosur. As pyeste fare se unë isha dhjete a njëzet herë më i madh se ai. As pyeste fare që unë isha njeri dhe ai kafshë! As pyeste fare që unë isha qenie me të njëjtën aftësi për të menduar sikurse Aristoteli, Dekarti, Anjshtajni! As pyeste fare që isha shqiptar!!! Trim!

Diçka thërriste që poshtë këmbëve të mia pa pasur frikë që me një shkelm mund ta hidhja tej! Ai bërtiste, shante, kërcënonte që aty poshtë këmbëve të mia.

Çfarë force e bënte të aftë të sillej kështu? Çfarë e shtynte që të linte qejfin e tij meskin aty mbi kurrizin e femrës që po dashuronte, a përdhunonte, a mashtronte, dhe të angazhohej në një betejë me një si puna ime!

Çfarë e bënte të aftë të linte seksin dhe të merrej me politikë!

Sado i fortë që më dukej vetja përballë tij, u tremba! Nuk u tremba nga fuqia e tij lilipute, por nga akti i tij i guximshëm. Kisha mësuar që kafshët kanë instinkte, dhe jo arsye, reagojnë vetëm kur kërcënohen apo kur i josh me ushqim a diçka tjetër. Unë nuk i isha afruar për ta penguar në seksin e tij si instinkt primar. Çfarë donte ai me mua? Përse më kishte marrë inat?

Frika që më mbuloi ishte se breshku, aq i nënshtruar, aq i zhytur në instinktet e tij, në fakt po tregohej një qenie etike. Nuk kisha marrë një shkop dhe ta prekja në organet gjenitale. Thjesht e kisha fotografuar nja dhjetë hapa larg. Ku më kishte parë?

Breshku ishte revoltuar? Kishte ngritur kokë? Nga burgu i tij i përjetshëm, ku është dënuar të jetojë si kafshë barngrënëse në pluhur, baltë dhe bar, ai po më sfidonte!

Breshku po tregonte se ishte fyer. Se kishte kurajo. Se për femrën e tij pranonte rrezikun me vdekje. Se nuk kishte fare rëndësi për të raporti i forcave, por nderi i tij. Se ishte fisnik.

Etika e tij ishte ku e ku më e lartë sesa e një shumice njerëzish. Aty u tremba. Ai ishte gati të jepte jetën për nderin e tij! Donte të jetonte me nder! Nuk kisha më përballë një breshkë që kishte lënë seksin e tij përgjysmë, por një Breshkë - Hyjni!

Nisa të tërhiqem. Këmbët më dridheshin, dora kishte humbur sigurinë e mëparshme. Unë tërhiqu, breshku më ndiqte pas. Aty u rrëzova krejt moralisht. Pata përshtypjen se diku u pengova dhe ndjeva trupin që më ra përdhe! Ishin çaste të lemerisshme.

Nuk dija se çfarë mund të më bënte një breshkë e inatosur, e revoltuar! Breshka e tij atje tej rrinte e palëvizur, shihte nga larg. Në çast më vezulloi në kokë ajo që kisha lexuar në një tekst datuar dymijë e pesëqind vjeçar, ku një filozof rrëfente se ai që dashuron përpara syve të të dashurit, a të dashurës së vet, mund të bëjë të pamundurën. Vetëm nën vështrimin e tij apo të saj nuk duhet ta ngacmosh sepse lufton si i marrë. Si Akili kur i vranë Patroklin, si Orfeu që kërkonte të dashurën e tij në ferr a parajsë!!!

Hapa derën e banesës, ngjita ato tre kate shpejt e shpejt, si i trullosur, dhe u rrëzova mbi divan! Nuk dija se çfarë të bëja! Trupi më dridhej.

Breshku i revoltuar ndofta për herë të parë në jetën e tij qindravjeçare, më kishte nxjerrë nga koka Darvini, Marksin, Frojdin! Kafshët kanë kurajo, nder, pra kanë etikë, që nuk u vjen fare thjesht nga instinktet e tyre.

Breshku që e kisha menduar të nënshtruar, duke ngrënë bar atje në pluhur, duke ecur si qerre e ngadaltë, njësoj në qindra vjet, ishte revoltuar!

Ditë e re, e nesërmja. Ajo që kishte ndodhur dukej si një ngjarje tashmë e rastit, e kaluar, një incident i papëlqyeshëm, por që përsëritet njëherë në qindra vjet. E kisha nxjerrë mësimin. Breshku ka nder! Breshku ka privatësi! Breshku do që njeriu apo kushdo të mos i prekë të drejtat e tij! Breshku ka fytyrë dhe ruan dinjitetin e tij para syve të dashuruar. Nuk bën aktin seksual të riprodhimit, por bën dashuri, është i zhytur në erosin e tij.

Mirëpo aty niste frika. Përderisa bën dashuri, atëherë ai i bën të gjitha!

Dola me biçikletë për të marrë pak ajër në Lungomaren e plazhit. Atje tej shihja dritat e darkës të Durrësit të magjishëm mijëravjeçar. U ula për një kafe duke parë detin ku shfaqeshin tanimë vetëm dallgët me shkumë të bardhë që ndrisnin nga drita e hënës!

Dashuria e Hënës me dallgët e detit! A nuk tërhiqen në gravitacionin kozmik? Pse e quajti këtë Njutoni, forca të gravitacionit, dhe jo të Erosit, sikundër bëri ai djaloshi mjek që i kishte thënë atë natë Sokratit në pije e sipër: Yjet tërhiqen në Eros!

U ktheva në shtëpi duke shijuar atë mbrëmje të qetë! Madje dukesha i lumtur që mendja më ishte hapur nga revolta e Breshkut!

Çfarë eksperimenti! - thashë me vete! Buzëqesha duke tundur kokën, vendosa biçikletën poshtë një peme dhe po bëhesha gati të drejtohesh te hyrja e pallatit.

Ndjeva një zhurmë poshtë këmbëve të mia. Pashë breshkun që ngritur mbi dy këmbë më shante, kërcënonte, që nga poshtë. Nofullat e gjëra i kishte të shtrënguara. Ai më kishte zënë pritë. Ai nuk harronte. Ai dinte të mbante inat!

Nuk isha më asnjë fuqi. Hyra brenda derës, e mbylla fuqishëm pas meje, u sigurova që ai kishte mbetur jashtë, dhe ngjita shkallët me një frymë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco