'Kam filluar të kem frikë nga Balena Blu' - Letra e hapur e një 12-vjeçari kosovar Apollon Morina

'Kam filluar të kem frikë nga Balena Blu' - Letra e hapur e një 12-vjeçari kosovar

10:10, 21/06/2017
A+ Aa A-

"Ka shumë gjëra që nuk mund t'i kuptoj në këtë jetë dhe që ndoshta nuk do t'i kuptoj sa të jem gjallë. Si p.sh. pse njerëzit krijojnë lojëra të rrezikshme, që jo vetëm na shkaktojnë stres, nxisin mosmarrëveshje, keqtrajtime, lëndime, e deri tek loja e fundit e frikshme, që po i shtyn fëmijët drejt vdekjes mizore. Ne fëmijët nuk u kemi asgjë borxh atyre."

Nga Apollon Morina

Këtë muajin e fundit sa herë që dalë jashtë të takohemi me shokë, të gjithë fëmijët i dëgjoj duke folur për një lojë të rrezikshme që quhet “Balena blu” (angl. “Blue Whale Game”) ose më saktë njihet me emrin loja vetëvrasëse, kurse në shqip njihet edhe si loja “Balena e kaltërt”. Kjo lojë i shtynë fëmijët që të bëjnë edhe vetëvrasje duke i kërcënuar se do t’ia vrasin familjen, duke ju thënë se e dinë ku banon fëmija me familje.

Kështu këta i frikësojnë aq shumë adoleshentët dhe fëmijët duke i shtyrë që t'i bëjnë 50 “misionet” e përgatitura nga ata (programuesit e lojës - shtytësit janë administratorët e saj). Që nga misioni i parë, fillojnë me shantazhin se nëse tërhiqet lojtari nga loja, ata do të hakmerren ndaj familjes duke i bërë keq deri në vrasje dhe dalëngadalë misionet zhvillohen shkallë shkallë duke i shtyrë që ata ta lëndojnë veten me thikë, armë etj.

Ata i detyrojnë që me thikë të shkruajnë në dorë, krahë, gjërat e caktuara, ashtu siç ata i urdhërojnë, si tatunë - vizatimin e balenës, zgjimin nga gjumi në kohë të ndryshme, atëherë kur je duke bërë gjumin më të mirë apo kur je i lodhur më së shumti, nga këtu të kërkojnë të shikosh filma horror, edhe në ora 4 të mëngjesit, që t’i mësojnë fëmijët me lëndimin dhe vrasjen, duke i motivuar që të sillen ashtu, duke lënduar njerëz të tjerë, familjarë, shoqërinë etj, dhe që këto t'i bëjnë gjatë natës. Po ashtu edhe i nxisin fëmijët ta gjuajnë veten me revole, në këmbë ose dorë, dhe ata që arrijnë në fund të lojës i detyron që të hidhen nga një ndërtesë e lartë për të përfunduar ‘misionet’.

Unë për veten time kam filluar të kem frikë si dhe shumica e fëmijëve në moshën time edhe ata shumë më të rinj. Ata pyesin vazhdimisht për këtë lojë, dhe duan të dinë si të mbrohen, si ta harrojnë, dhe si të jenë sa më larg prej saj.

Frika është aq e madhe, dhe është përhapur kudo, sa një ditë as unë dhe prindërit nuk mund ta qetësonim dhe t’ia largonim frikën motrës sime.

Aq sa ka frikë për vete, motra ime O., e cila ende si ka mbushur 8 vjet, gjatë gjithë kohës më thotë edhe mua mos e luaj këtë lojë, dukshëm e shqetësuar. Dhe sapo vjen nga shkolla ajo sjellë edhe një apo dy tregime të reja, të treguara me frikë dhe me fantazi, si psh., se një shoqe e saj, me të cilën udhëton me kombi për në shkollë, u kishte thënë shoqeve se ajo tashmë e luan këtë lojë, duke i bërë kureshtarë fëmijët tjerë, por edhe më të frikësuar…!

Kjo lojë ka sjellë në botë një panikë të paimagjinueshme te njerëzit, tek të rriturit dhe te fëmijët. Sapo dëgjuam për këtë lojë unë mora masa së bashku me prindërit e mi, dhe i kam mbyllur rrjetet sociale, sepse kanë frikë se unë mos e luaj këtë lojë dhe nuk kanë dëshirë që unë të mashtrohem, lëndohem apo aq më pak të më ndodhë edhe ndonjë gjë shumë më e keqe.

Ndoshta këta nerëz që kanë krijuar këtë lojë janë të sëmurë mendërisht ose kanë pasur probleme me shoqërinë ose i ka keqtrajtuar ndokush në fëmijëri dhe këta mendojnë se në qoftë se vrasin fëmijë mund ti hakmerren atij, mizori.

Unë nuk dua që të ketë këso njerëz në jetët tona ose në botën që ne (njerëzimi) arritëm ta ndërtonim me mund.

Thjesht unë nuk mund ta paramendoj një fëmijë duke hipur në lartësi, dhe që nga atje të kërcejë, sepse një i sëmurë apo disa i urdhërojnë të kërcejnë nga atje, për një vdekje të papritur, të parakoshme e tragjike.

E çfarë kuptimi ka kjo jetë, me këta njerëz të sëmurë (psikopatë)?! Bota jonë siç e njohim ne nuk do të ishte interesante dhe admiruese me këto lojëra që vrasin, prandaj ne duhet të luftojmë e ti kalojmë këto probleme të dhembshme e pikëlluese. /SHQIPTARI.eu

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco