Seminar për parandalimin e radikalizmit me prindër nga Pogradeci

Seminar për parandalimin e radikalizmit me prindër nga Pogradeci

21:35, 11/01/2017

Prindër dhe imamë nga zona të ndryshme të Pogradecit morën pjesë në seminarin me temë “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit duke promovuar vlerat demokratike dhe angazhimin qytetar” organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë në kuadër të projektit po me të njëjtin emër.

Në panelin e referuesve ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Gazmend Aga, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në KMSH, z. Fejzi Shaholli, zyrtari i lartë i ambasadës së SHBA në Tiranë z. Geoffrey Parker, Myftiu i Durrësit, z. Redi Quku, myftiu i Pogradecit, z. Namik Mahmutllari, imamë dhe prindër të fëmijëve që janë pjesë e projektit.

Nënkryetari i KMSH-së, z. Aga në referimin e tij u fokusua tek arsimi si një nga pikat kyçe dhe ndër faktorët më të rëndësishëm në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ndër të tjera ai u ndal tek shenjat e ekstremizmit, si ta parandalojmë dhe mënyrat më të mira të zgjidhjes së këtij fenomeni.

Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane z. Parker tha se ne jemi bërë partnerë me Komunitetin Mysliman për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit ndaj këtij fenomeni dhe për t’i treguar fëmijëve tanë që konflikti dhe dhuna nuk do t’i japin kuptim jetës së tyre. Mesazhi që po jep Komuniteti Mysliman na tregon që kuptimi i jetës suaj vjen nga ajo që ju ndërtoni, jo nga ajo që ju shkatërroni.  Vjen nga ndihma që i jepni një fqinji të sëmurë. Vjen nga respektimi i ligjeve dhe njëri-tjetrit në komunitet. Dhe vjen nga angazhimi në shoqërinë tuaj demokratike. Këto janë mesazhet që ne u japim fëmijëve që marrin pjesë në këtë program.

Myftiu i Durrësit, z. Redi Quku në referimin e tij theksoi se çdo qytetar i këtij duhet të punojë fort për të kontribuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, qoftë ai me karakter fetar, politik apo nacionale. Ai shtoi se duhet një bashkëpunim i ngushtë mes shoqërisë civile, organizatave dhe instancave shtetërore.

Projekti “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit duke promovuar vlerat demokratike dhe angazhimin qytetar” është i shtrirë në qytetet e Kavajës, Librazhdit, Elbasanit dhe Pogradecit.

Këto aktivitete janë vazhdë e projektit për promovimin e vlerave demokratike dhe qytetarisë aktive mes të rinjve organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me mbështetjen financiare të ambasadës së SHBA-ve ne Tiranë.

Image

 

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment