Skema si qeveria shqiptare është bërë ortake, në pastrimin e parave të krimit

Skema si qeveria shqiptare është bërë ortake, në pastrimin e parave të krimit

16:35, 14/11/2017
A+ Aa A-

Teknika që përdor Edi Rama për ta butaforizuar çdo problem madhor që i plas në oborrin e tij qeverisës, tashmë është e dalë boje. Kështu bëri edhe sot përpara bankierëve që veprojnë në vendin tonë, duke e kaluar shqetësimin tashmë global, se vendi ynë është kthyer në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave në një çështje të pamundur teknike, siç është sistemi bankar.

Një “bombë” mes nesh, që vetëm Rama e mohon

Lulzim Basha si kryetar i opozitë nuk e ka fshehur kohët e fundit që në denoncimet dhe paralajmërimet që bën i ka të konsultuara me segmente të mirinformuara ndërkombëtare, të cilët e dinë mirë se çfarë po ndodh. Një nga kambanat të cilës po i bie më fort Basha ditët e fundit, por edhe eksponentët e LSI-së, është plani dhe tentativa e Edi Ramës, për të realizuar një operacion gjigant për pastrimin e parave gjatë mandatit të dytë. Në këtë këndvështrim po shihet projektbuxheti i vitit të ardhshëm, por veçanërisht nisma; “1 miliard” e Ramës.

Por nuk ka nevojë që të mësojmë më shumë nga konfidencialitet e Bashës, pasi për këtë çështje kemi të dhëna të hapura nga institucione të specializuara në SHBA dhe Europë. Le tu sjellim në kujtesë në mënyrë të koncentruar disa nga këto raporte të kohëve të fundit, të cilët paraqesin “bombën” që vetëm Rama bën sikur nuk e sheh.

Vitin e kaluar ishte vetë Departamenti Amerikan i Shtetit i cili pas shumë kohësh e  riktheu vendin tonë në listën e vendeve kryesore në glob, për sa i përket pastrimit të parave për vitin e shkuar.

 Në këtë raport shkruhet e zeza mbi të bardhë, që burimi i këtyre parave të pista që pastrohen më pas në vendin tonë është aktiviteti i brendshëm dhe ai ndërkombëtar i krimit dhe veçanërisht trafiku i të gjitha llojeve të drogës. Përveç këtij burimi, theksohet edhe korrupsioni, si një ushqyes i madh i kësaj lavatriçeje në mes të Europës.

“Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm burimi për marihuanë, si dhe një rrugë tranzite për kokainë dhe heroinë e destinuar për tregjet evropiane. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara dhe kontrabanda lehtësohet nga kontrollet kufitare dhe procedurat doganore të dobëta. Shqipëria shërben si një bazë e operacioneve rajonale për organizatat e krimit të organizuar. Të ardhurat e paligjshme mund të pastrohen lehtë”, shkruhet tekstualisht në raportin e DASH TË publikuar në mars të këtij viti.

Edhe  Instituti i Bazelit e riktheu Shqipërinë në verën e këtij viti, në listën problematike të 15 vendeve me rrezikun më të lartë për pastrim parash.

Paralelisht me këto konstatime që natyrisht mbështeten në të dhënat e shërbimeve sekrete, një raport i fundit i KE, jep edhe detaje sesi pastrohen paratë në vendin tonë. Përpiluesit shpjegojnë, edhe skemën.

Sipas tyre dy janë rrugët kryesore; transaksionet brenda sistemit dhe hapja e llogarive bankare në emër të personave të afërm të familjes, ose rrethit shoqëror. Gjithashtu sipas KE, një pjesë e parave pastrohen duke bërë blerje të bizneseve të ligjshme, ose duke hyrë në partneritet me to. Një nga mënyrat e tjera më të përhapura sidomos kohët e fundit është blerja e pasurive të patundshme si trojet, apartamentet, hotelet pikat e karburanteve apo blerja e më pas shitja e mallrave të luksit.

Skema e Ramës për të bërë tymnajë, në skemën e pastrimit

Sot përtej sarkazmës së shtirur ndaj akuzave më të fundit të bëra nga Lulzim Basha, Edi Rama deklaroi me pompozitet se sistemi ynë bankar është imun ndaj pastrimit të parave.

“Në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave, Shqipëria është një vend me të gjitha standardet më të larta të Bashkimit Europian...nuk ka asnjë shans që të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar...nëse ka një sistem ku ekonomia informale apo ajo e zeza nuk ka shans të penetrojë, ky është sistemi bankar”, ishte alibia e ngritur trashë e Ramës, për këtë çështje në mënyrë të koncentruar.

Le  të shpjegojmë në mënyrë të detajuar, se përse Rama gënjen dhe se mbledhja e bankierëve sot për të thënë live  që paratë nuk mund të pastrohen direkt nëpër banka është vetëm një përpjekje, për t`ju shmangur thelbit.

Së pari duhet thënë, se askush nuk i ka akuzuar bankat se pastrojnë direkt para. E theksojmë, DIREKT.

Edhe në raportin e KE-së kur bankat përmenden në skemën e pastrimit të parave, ka dy aspekte. I pari ka të bëjë me llogari bankare të hapura në emër të familjarëve ose rrethit shoqëror. Në këtë rast kemi të bëjmë me shuma të vogla prandaj edhe sistemi jo vetëm në Shqipëri, përgjithësisht është më pak vigjilent.

Në rastin e dytë në atë pjesë të raportit të KE-së për pastrimin e parave në Shqipëri ku përmenden edhe bankat flitet, edhe për “transaksione brenda sistemit”.

Këtu fle edhe lepuri, por le ta shpjegojmë në mënyrë sa më të thjeshtë.

Të gjitha bankat që veprojnë në Shqipëri, janë të ndërlidhura me rrjetin ndërkombëtar financiar dhe infiltrimi direkt i shumave të mëdha që vijnë nga burime të dyshimta është i pamundur.

Por ka një mënyrë tjetër që bën e bën të mundur funksionimin e lavatriçes dhe bankat të jenë momenti i fundit “legjitim”, i shpëlarjes së parave të pista.

Bëhet fjalë për vetë qeverinë dhe ambientin që krijon ajo, për këtë proces.

Si funksionon?

Një nga mënyrat më të “lehta” dhe të sigurta për të pastruar para është ajo, “e të punuarit me shtetin”. Dy janë rrugët që nën qeverinë Rama po funksionojnë me sukses deri tani; koncesionet dhe veprat publike nga njëra anë dhe biznesi nga ana tjetër.

Në rastin e parë shteti është i përzier direkt, kurse në të dytin krijon kushte që lavatriçja të funksionojë pa asnjë pengesë.

Sa herë që media investohet që të zbulojë se deri ku shkojnë gjurmët e kompanive që kanë marrë qindra milion euro koncesione nga qeveria Rama, përpara u del një mur i padepërtueshëm siç janë Parajsat Fiskale dhe tjetërsimi i vazhdueshëm i kompanive, me kalime nga një emër te një tjetër.

Për të kuptuar se çfarë omerte ka në këtë çështje, po ju sjellim një dialog të bërë një ditë më parë në komisionin e Ekonomisë mes Erion Braçes dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Nëse u heqim emrat protagonistëve, ose “harrojmë” se bëhet fjalë për ministrin e Financave, dialogu ngjason si i nxjerrë nga një skenarë filmash që përshkruan ndonjë seancë hetimore në Kongresin Amerikan, për tjetërsimin e mafies në biznes të “ndershëm”.   

Braçe: Një sekondë, unë pyeta sa janë, sa kontrata kompanish janë regjistruar në parajsa fiskale, dua të di sa?

Ahmetaj: Ju referoni markimin, unë referoj sektorin e naftës që vinte nga parajsa fiskale. Do ja jap unë me listë edhe pse s’është detyrë e ministrisë së Financave, do ua bëjmë me dije gjithë listën për 200 e kusur koncesionet, e do tua japim. A ka ardhur koha për ligj a jo nuk e di.

Braçe: Me kë flisni ju kur negocioni me këto, jam vërtet kurioz ta di kush ju përfaqëson?

Ahmetaj: Ministria e Financave apo ekonomia nuk ka pas ndonjë koncesion si kontraktues, s’kam pas ndonjë eksperiencë koncesioni por në bazë të ligjit me përfaqësues ligjor me atë që bën ofertën.

Braçe: Shqiptarë?

Ahmetaj: Nuk e di, mund të jenë shqiptarë, amerikanë. A ka ardhur koha për një ligj, hajde ta diskutojmë … Normat e fitimit një pjesë e tyre e kanë të deklaruar në kontratë përveç kompanive të naftës

Por nuk është film është realitet: Ky që flet për më shumë se 200 kompani që “punojnë” me shtetin duke deklaruar pa ju dridhur qerpiku; “Nuk e di...mund të jenë shqiptarë, amerikanë..” është pikërisht ministri i Financave dhe Ekonomisë së qeverisë shqiptare.

Tashmë nuk është më ndonjë çudi, kur shqiptarët lexojnë për këto kompani me pronarë “misteriozë” që Rama i ka futur në sistem, se e kanë themeluar biznesin me shuma qesharake dhe direkt fitojnë dhjetëra milion euro në vit. Të gjitha të pastra, të kaluara nëpër duart e institucioneve të shtetit dhe të certifikuara në fund në banka, “nëpërmjet transaksioneve” siç thotë raporti i KE-së për pastrimin e parave.

Një nga mënyrat e tjera ku shteti përfshihet direkt janë; punët publike. Kulmin kjo lavatriçe duket se do ta kap me projektin “1 miliard dollarë”, që Rama e ka ndarë mendjen ta inplementojë.

Por lavatriçja e parave të pista që prodhohen këtu brenda dhe nëpër botë, punon fortë edhe nëpërmjet biznesit; gjithmonë e vaisur nga qeveria Rama. Paratë e drogës dhe të korrupsionit po pastrohen “rehat fare” sidomos në sektorin e ndërtimit. Një bum i paparë ndërtimesh ka ngërthyer Shqipërinë e veçanërisht kryeqytetin, ndërkohë që çmimet e apartamenteve sipas raporteve më të fundit, në Tiranë janë nga më të lartit në Europë.

Në çdo mbledhje të Këshillit të Territorit (edhe në këtë të fundit ja shtoi Tiranës ca kulla të tjera) të cilën e shmang nga ERTV-ja e tij, Rama vazhdon të jap leje ndërtimi pafund. Askush nuk pyet për ligjet e tregut, rëndësi ka që këto biznese e investime të jenë të ligjshme, me leje të dhëna nga shteti, të regjistruara në QKR, të kaluara “në sitën” e taks-tatimeve dhe në fund siç edhe thotë raporti i KE-së, “me transaksione nëpër banka”.

Për të mësuar më në detaje skemën që Rama ka ngritur për të pastruar jo vetëm paratë që po vazhdojnë të vilen nga kanabisimi i Shqipërisë, duhet të presim edhe ca kohë. Zullumi i tij tashmë është bërë çështje dhe rrezik për miqtë e Shqipërisë si SHBA, por edhe mjaft vende të Europës si Gjermania, Britania e Madhe etj.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco