Xavi vendos notën 10 për këtë lojtar të Barcelonës

Xavi vendos notën 10 për këtë lojtar të Barcelonës

09:20, 20/02/2023

Barcelona vijon me fitoret në La Liga teksa ndaj Cadiz në shtëpi regjistroi të shtatën radhazi duke ruajtur avantazhin me tetë pikë ndaj Reali të vendit të dytë.

Katalanasit u mjaftuan me dy gola të shënuar në pjesën e parë me anë të Sergi Roberto dhe Robert Lewandowskit, ndërsa në fraksionin e dytë ulën ritmin dhe menaxhuan avantazhin, edhe pse në disa raste miqtë vendosën në pozita të vështira repartin difensiv dhe portierin Ter Stegen.

Pikërisht, ky aspekt i ka lënë një “shije të hidhur” trajnerit Xavi Hernandez i cili pas sfidës theksoi se skuadra duhet të tregohet më e vëmendshme, ndërsa shtoi se është i lumtur me paraqitjen e atyre lojtarëve që në këtë sezon kishin marrë pak minuta.

“Në fundin e lojës morëm shumë goditje në kuadrat dhe është diçka që nuk më pëlqeu, Ter Stegen iu desh që të ndërhynte në disa raste. Pjesa e parë nuk ishte e shkëlqyer megjithatë luajtëm mirë dhe më bëhet qejfi për paraqitjen e atyre lojtarëve që kanë marrë më pak minuta këtë sezon.

E meritojnë të luajnë edhe Ferran Torres, Sergi Roberto, Eric Garcia, Ansu Fati apo edhe Pablo Torre. Dua që të veçoj pak Ferran Torres dhe Sergi Roberto pasi të dy janë kritikuar shumë dhe nuk e meritojnë.

Ferran Torres ka një sjellje që meriton notën 10 dhe ndihmon gjithnjë skuadrën, sakrifikon edhe duke mbrojtur. E kuptoj që njerëzit shohin më shumë aspektin e golave apo të driblimeve, por ne trajnerët duhet t’i shohim të gjitha. Në stërvitje tregon një nivel të jashtëzakonshëm dhe shpresoj të ketë vazhdimësi”, u shpreh Xavi Hernandez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco