Kosova do ketë zërin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, ja deputeti që u zotua në Kuvendin e Shqipërisë

Kosova do ketë zërin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, ja deputeti që u zotua në Kuvendin e Shqipërisë

19:55, 12/09/2025


Sot, në Kuvendin e Shqipërisë, u betua deputeti i ri, Besart Xhaferi,  i cili theksoi se do të përfaqësojë demokratët dhe shqiptarët e ndershëm që, sipas tij, kanë zgjedhur të refuzojnë kompromisin dhe konformizmin përballë qeverisjes aktuale.

Në fjalën e tij, ai u zotua se prioritet i veprimtarisë parlamentare do të jenë të rinjtë, studentët dhe çiftet e reja shqiptare, të cilët, siç tha, janë prekur rëndë nga politikat e 12 viteve të fundit.

Deputeti u ndal te fenomeni i emigrimit masiv të të rinjve, duke e cilësuar si një nga pasojat më të rënda të qeverisjes.

Ai premtoi se do të ngrejë zërin në Kuvend për arsim më cilësor, shëndetësi më të drejtë dhe mbrojtje të interesit publik. Gjithashtu, ai theksoi lidhjen e tij me Kosovën, duke shtuar se do të përfaqësojë edhe zërin e saj në Parlamentin shqiptar, shkruan Syri.net Kosova.

“Koha mund të jetë e maskarenjve, por Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë e shqiptarëve,” u shpreh ai në përfundim të fjalës së tij, duke bërë thirrje për më shumë angazhim në mbrojtje të vendit.

Postimi i plotë:

Sot bëra detyrën të betohem si Deputet në Parlamentin e Shqipërisë, për të përfaqësuar aty demokratët dhe shqiptarët e ndershëm që kanë vendosur që përballë të keqes që ka emër e që quhet Edi Rama, të refuzojnë kompromisin dhe konformizmin dhe të zgjedhin qëndresën. 

Lufta ime në këtë legjislaturë do jetë për ata 400 mijë të rinj shqiptar që Edi Rama përzuri nga Shqipëria në 12 vite. 

Në Kuvend do flas për çiftet e reja të këtij vendi që Edvini Rama me politikën e tij të pastrimit të parave në ndërtim po i privon nga mundësia për të siguruar një çati dhe një jetë dinjitoze në atdhe. 

Në këtë Parlament kryefjalë e veprimtarisë sime dhe propozimeve të mia do të jenë studentët dhe të rinjtë e këtij vendi, që janë aseti ynë më i madh. 

Kohën time në foltore do ta shfrytëzoj që në shkolla tona të mos dalin më analfabetë funksionalë siç po ndodh prej një dekade, që në spitalet tona të mos reduktohen më dozat e ilaçeve për fëmijët e për pacientët. 

Zëri im në atë Parlament ku krimi ka më shumë përfaqësues se qytetarët, do jetë në mbrojtje të interesit publik. 
Kosova, nga ku unë kam gjysmën e familjes sime do ketë përmes meje zërin e saj në Kuvendin e Shqipërisë.

Koha mund të jetë e maskarenjve por Shqipëria ka qenë, është e do jetë e shqiptarëve dhe ne do punojmë çdo ditë që ata të jenë Zot në këtë vend. 

Zoti e bekoftë Shqipërinë! 

Zoti na dhëntë forcë që ta shpëtojmë Shqipërinë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco