Qeveria e Kosovës: Ne jemi partneri më serioz i SHBA-së për stabilitet në rajon

Qeveria e Kosovës: Ne jemi partneri më serioz i SHBA-së për stabilitet në rajon

15:04, 12/09/2025

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se Kosova mbetet partneri më serioz i Uashingtonit për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kabineti aktual është i pari që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë, duke i kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë.

“Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, kanë qenë gjithmonë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim të ligjit, luftim të krimit e korrupsionit se sa sot. Në të kaluarën kemi parë vetëm një stabilitet të rrejshëm”, tha Kryeziu.

Ai theksoi se ngjarjet e majit 2023, ku u sulmuan pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, si dhe sulmi terrorist e paramilitar në Banjskë në shtator të po atij viti, treguan qartë se burimi i destabilitetit në rajon është Serbia.

Në reagim u theksua se Qeveria e Kosovës ka depolitizuar integrimin e serbëve në shtet, duke e dalluar gjithmonë komunitetin serb nga strukturat ilegale e kriminale të Serbisë në Kosovë. Qeveria ka theksuar se janë ndërmarrë hapa konkretë për punësimin, arsimimin dhe integrimin e serbëve, sidomos në komunat veriore.

Sa i përket kritikave të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeziu tha se Kurti ka shprehur hapur që kjo gjykatë ka cenuar karakterin demokratik të Republikës me vendimet dhe vonesat e saj, duke sjellë pengesa për reformat qeveritare, përfshirë Ligjin për Fondin Sovran, që pret shqyrtim prej më shumë se një viti e gjysmë.

Në fund, Qeveria shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe tha se i mirëpret edhe kritikat:

“Kurdo që ato janë konkrete, përpiqemi maksimalisht t’i korrigjojmë hapat dhe veprimet tona.”


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco