LDK kundërshtoi pjesëmarrjen e tij në dialog, Bislimi: Interesant që ky budallallëk ka mbërri në Bruksel

LDK kundërshtoi pjesëmarrjen e tij në dialog, Bislimi: Interesant që ky budallallëk ka mbërri në Bruksel

20:04, 11/09/2025

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për të dërguar Bislimin në Bruksel për dialogun me Serbinë, duke e vlerësuar si vendim “të pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional”.

“Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani”, tha LDK-ja.

Që nga zgjedhjet e shkurtit, vendi ende nuk ka arritur të krijojë një ekzekutiv të ri, pasi asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të krijuar vetë institucione, teksa nuk ka ende ndonjë marrëveshje mes partive për krijimin e Qeverisë së re.

“Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike”, tha LDK-ja përmes një njoftimi për media.

Pas bisedimeve në Bruksel, Bislimi e quajti “budallallëk” këtë reagim të LDK-së, duke thënë se ai është zëvendëskryeministër në detyrë, i ngarkuar edhe për temën e dialogut.

“Pak është interesant që ky budallallëk ka mbërri në Bruksel. Unë jam zv.kryeministër në detyrë i Qeverisë, i ngarkuar edhe me temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë Qeveria dhe mundet me ma marrë qeveria, nuk ma ka dhënë LDK, as nuk mund të ma marrë LDK. Çdo gjë tjetër është e palogjikshme ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik dhe subjekteve tjera që po i hasim muajt e fundit”, përfundoi Bislimi.

Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco